Shumë hulumtime kanë treguar se pritjet e pothuajse 30% të votave janë rezultat i fushatave në platformat e internetit si Facebook, Twitter, Youtube, Instagram, etj. Përparësia e rrjeteve sociale është se komunikimi në internet është më intensiv dhe i drejtpërdrejt me qytetarët në terren
Zenel MIFTARI
Shkup, 15 janar – Në histori mediat kanë pasur rol të rëndësishëm në përcaktimin e bindjeve politike te qytetarët. Jo rastësisht mediat shpesh quhen edhe si pushteti i katër. Por vazhdimisht në kohë mediat kanë evoluar dhe kanë ndryshuar mënyrën se si ata i kanë informuar qytetarët dhe si kanë zhvilluar propagandat politike. Por më parë rregullimi dhe burimi i informacionit ka qenë më i besuar për shkak se mediat kanë pasur adresë dhe pronar, kryeredaktor dhe redaktor. Një pjesë e madhe e mediave në rrjetet sociale, tani veprimtarinë e tyre e zhvillojnë pa emër dhe pa adresë.
Demush Bajrami, profesor universitar thotë se kjo shoqëri informacioni në të cilën po jetojmë, e ka bërë të pashmangshëm rolin dhe ndikimin e mediave sociale. Portalet private dhe mediat e tjera në internet, tashmë janë një standard dhe prirje e pranuar gjerësisht në fushatat parazgjedhore edhe tek ne, me një shtrirje të pakontrolluar në kohë dhe retorikë që përdoret në to. “Tani edhe te ne mund të flitet për fushata të mediatizuara parazgjedhore. Kjo formë e komunikimit me zgjedhësit dhe jo vetëm, është bërë pjesë e domosdoshme e repertorit të fushatave politike. Shumë hulumtime kanë treguar se pritjet e pothuajse 30% të votave janë rezultat i fushatave në platformat e internetit si Facebook, Twitter, Youtube, Instagram, etj. Kjo, para së gjithash iu ka ndihmuar partive politike dhe kandidatëve e politikanëve për të kursyer goxha nga burimet njerëzore dhe financiare për fushatat e tyre. Prandaj, janë të shumta edhe dokumentet e ndryshme që ka miratuar Parlamenti Evropian, lidhur me këto media, të cilat konsiderohen si një ndihmë e madhe për shoqërinë civile”, theksoi Bajrami.
Gjithashtu, ai thotë se gjetjet e fundit, përfshirë ato në lidhje me çështjen Facebook, Cambridge Analytica, e vërtetojnë këtë. Besohet se të dhënat personale të jenë keqpërdorur dhe t’u jenë transferuar, në mënyrë të paligjshme, palëve të treta për qëllime shumë të ndryshme nga ato që ishin dedikuar. Kjo nënvizon, rreziqet e mundshme të këtyre aktiviteteve të caktuara në internet që synojnë përmes reklamave të fshehta politike dhe komunikimit me qytetarët, të ndikuar në mendimet e tyre, të përhapin dezinformata ose thjesht ta relativizojnë të vërtetën.
Nga Aleanca për Shqiptarët (ASh), thonë se rrjetet sociale vetëm se kanë zënë një vend shumë të rëndësishëm në jetën dhe mënyrën e jetesës së njerëzve me tërë ndikimin në nënvetëdije që mund të shkaktojë. “Përdorimi i tyre për keqinformim, sulme ndaj grupeve të caktuara dhe propagandë çdo vit e më shumë po shfrytëzohet nga fuqia politike kudo në botë. Aleanca për Shqiptarët (ASh), është kundër këtyre fenomeneve, por jo edhe kundër përdorimit të rrjeteve sociale si mënyrë për informim të denjë dhe të moralshëm”, nënvizojnë nga ASh.
Ata, thonë se ne jemi munduar që çdo faqe zyrtare të partisë të jetë e verifikuar, me qëllim që të jemi më transparent ndaj ndjekësve tanë. Gjithashtu thonë se është e pamundur kontrollimi i rrjeteve sociale, në tërësi pasi që çdo kush mund të ketë qasje dhe çdo kush mund të plasojë informacione në emër të tjetrit. Propaganda të tilla, jo vetëm se nuk janë morale, por duhet edhe të dënohen me ligj. Fushata zgjedhore nuk duhet të organizohet në mënyrë të drejtpërdrejt në rrjete sociale, por është mundësi e mirë që çdo gjë që ndodhë në botën e jashtme, plasohet në rrjete sociale ku çdo kush ka qasje në çdo kohë, përfundojnë nga ASh. Arianit Hoxha, nga Lëvizja Besa, tha se aktiviteti më i madh i Lëvizjes BESA është i përqendruar në Facebook.
“Ne kemi ekip i cili menaxhon faqen zyrtare të partisë, kryetarit dhe eksponentëve tjerë partiak. Në nivel të degëve ekzistojnë faqe zyrtare për çdo degë dhe me këtë bëhet mbulimi i aktiviteteve ne nivel lokal. Gjithashtu kemi persona përgjegjës që janë të angazhuar të komunikojnë me qytetarët dhe me të gjithë ata që interesohen për Lëvizjen Besa apo rreth qëndrimeve tona politike”, theksoi Hoxha.
Ai tha se përparësia e rrjeteve sociale është se komunikimi në internet është më intensiv dhe i drejtpërdrejt me qytetarët në terren është me i dobishëm pasi që qytetarët duan të shohin komunikimin e drejtpërdrejte dhe jo vetëm atë virtual, nënvizoi Hoxha. Ai shtoi se ne jemi duke u angazhuar dhe duke u përgatitur për fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parapara më 12 prill, përfundoi Hoxha. Interneti dhe mediat sociale u treguan si mjete tepër të fuqishme komunikimi në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve në vitin 2008, 2012 dhe 2016. Aktorët politikë, partitë politike, përpiqen që aktivitetet e tyre tërheqëse t’i përshtatin sipas konturave të mediave sociale. Strategjitë “spin” të specialistëve të marketingut politik e ruajnë imazhin e ndërtuar me kujdes. (koha.mk)