BDI, ASH, Lëvizja BESA në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen gjatë muajit korrik fushatën e tyre elektorale do ta adaptojnë sipas rrethanave të krijuara si pasojë e virusit “Korona”, gjegjësisht sipas rekomandimeve të institucioneve kompetente. Nga atje thonë se fushatën kryesisht do ta fokusojnë në mediat tradicionale, mediat e reja dhe platformat e rrjeteve sociale, por theksojnë se do të kenë edhe takim të kufizuara dhe me distance me qytetaret
Destan JONUZI
Shkup, 28 maj – Partitë politike shqiptare fushatën e tyre elektorale në zgjedhjet e planifikuara për muajin korrik ose gusht do ta zhvillojnë sipas rrethanave të reja të krijuara si pasojë e pandemisë botërore me virusin Kovid19. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) thonë se fushatën do ta adaptojnë sipas rrethanave të krijuara, ndërsa e njëjta do të fokusohet në mediat tradicionale, sociale dhe platformat tjera të internetit. “Fushata do te zhvillohet me metoda te adaptuara ndaj rrethanave te reja, përfshirë mediat tradicionale, mediat e reja, platformat e rrjeteve sociale, kontakte te kufizuara dhe me distance me qytetaret. Rekomandimet e eksperteve për kujdes do te merren parasysh medoemos për tu garantuar shëndeti publik”, deklaroi për “KOHA”, Artan Grubi, sekretar organizativ i BDI-së.
Edhe nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës thonë se do ti respektojnë të gjitha rekomandimet e institucioneve përkatës që zgjedhjet të mos kenë pasoja negative ndaj shëndetit të qytetarëve. Nënkryetari i kësaj partie, Remzi Mehmedi për gazetën “KOHA” thotë se deri sa ende nuk dihet një datë e saktë e cila do të determinonte shumëçka rreth çështjes se deri ku do të jetë situata me pandeminë nuk mund ta dimë saktë se në ç’mënyrë do të zhvillohej fushata. “Ajo që duket se do të jetë ndoshta ndër masat e fundit që do duhet të respektojnë njerëzit është distanca fizike dhe kjo do të ndikojë që të përgatiten protokolle të caktuara nga organet kompetente të cilat ne si ASH sigurisht se do ti respektojmë gjithmonë në përpjekje për të qenë të kujdesshëm për shëndetin. Kjo sigurisht që do të diktojë që fushata të orientohet edhe më tepër në rrjetet sociale gjë që besoj se ne si ASH nuk na paraqet ndonjë pengesë sepse kemi grupet tona të punës të cilët do të dinë të ballafaqohen në mënyrë profesionale me këtë sfidë”, deklaroi Mehmedi.
Ndërkohë nga Lëvizja BESA presin që të caktohet data për zgjedhjet, ndërsa theksojnë se fushatën do ta zhvillojnë ashtu si do të jenë rekomandimet e institucioneve kompetente. “Presim njëherë të caktohet data e zgjedhjeve dhe varësisht prej rekomandimeve dhe protokolleve shëndetësore që do propozohen ne do i respektojmë të njëjtat. Ashtu si do jenë rekomandimet nga institucionet kompetente ashtu edhe ne do adaptohemi”, deklaroi për “KOHA”, Arjanit Hoxha, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes BESA.
Në bllokun politik maqedonase LSDM dhe VMRO-DPMNE vetëm se janë në fushatë të vazhdueshme në rrjetet sociale. Nga dyja partitë për “KOHA” deklarojnë se edhe ato do u përshtatën rrethanave dhe rekomandimeve të institucioneve me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit Kovid19. Ajo që i dallon këto dy parti është se, LSDM-ja e Zoran Zaevit fushatën e saj përveç se në gjuhën maqedonase do e zhvillojë edhe në gjuhën shqipe. Ndryshe, si kompromis i mundshëm për datën e zgjedhjeve, e që do i përmbush edhe egot e dy liderëve të partive maqedonase, Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, qarkullon 5 korriku, propozim ky i dhënë nga partia shqiptare në pushtet BDI. Me këtë datë do të mundësohen 35 ditë përgatitje për procesin zgjedhor dhe do të përmbushet kërkesa e VMRO-DPMNE-së e cila është kundër zgjedhjeve në muajin qershor. Burime partiake për gazetën “KOHA” brifojnë se është arritur kompromis mes partive politike dhe se nuk ka nevojë për një takim të ri liderësh për datën e zgjedhjeve, për shkak se kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi do ta shfuqizojë vendimin me të cilën zgjedhjet ishin caktuar që të mbahen me 12 prill, dhe do të nënshkruaj vendim të ri që zgjedhjet të mbahen me 5 korrik. (koha.mk)