Duke kundërshtuar fushatën “Më e mira për komunën time” të LSDM-së, VMRO-DPMNE publikon video me gabimet e qeverisë nën sloganin “Kjo nuk është më e mira, kjo nuk është normale”. LSDM, nga ana tjetër, kundërshton fushatën “Me Mickoskin, nuk e dini se çfarë jeni”
Xhenur ISENI
Shkup, 15 tetor – Partitë më të vogla politike dhe listat e pavarura, por veçanërisht E majta, do të përfitojnë më shumë nga “fushata e zezë” që dy partitë më të mëdha po zhvillojnë mes vete në prag të zgjedhjeve lokale, thonë analistët politikë. Kanë mbetur edhe tre ditë deri në votimin për zgjedhjet lokale. Mediat, dhe veçanërisht rrjetet sociale, janë të përmbytura me postime të sponsorizuara për të denigruar kundërshtarin. Duke kundërshtuar fushatën “Më e mira për komunën time” të LSDM-së, VMRO-DPMNE publikon video me gabimet e qeverisë nën sloganin “Kjo nuk është më e mira, kjo nuk është normale”. LSDM, nga ana tjetër, kundërshton fushatën “Me Mickoskin nuk e dini se çfarë jeni”. Disa individë në rrjetet sociale, nga ana tjetër, postojnë vazhdimisht foto dhe video për të denigruar kundërshtarët politikë, të cilët më pas shpërndahen nëpër portale me besueshmëri të dyshimtë, përkatësisht portale që nuk kanë impresium.
Analistët politikë thonë se fushata e zezë zakonisht shërben për të pasivizuar votuesit e papërcaktuar dhe për të zvogëluar pjesëmarrjen në zgjedhje. Nga ana tjetër, në këto zgjedhje lokale oferta është më e pasur. Përveç LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, E majta, koalicioni LDP-RDM, si dhe një numër partish të tjera më të vogla dolën me kandidatët dhe lista të këshilltarëve, dhe në komunat më të mëdha ka edhe lista të pavarura të këshilltarëve. Analisti politik, Petar Arsovski thotë se fushata e zezë do t’i detyrojë votuesit të abstenojnë nga zgjedhjet. “Por natyrisht, narracioni i gjatë negativ nga të dyja palët, pra fushatat negative do t’i bënte qytetarët të kërkonin një opsion të tretë. Teorikisht, në shkencë është kështu. Unë mendoj se E Majta do të përfiton më shumë në këtë situatë. Ajo është në gjendje të fitojë pjesën më të madhe të tortës si një opsion i tretë. Të tjerët mund të marrin diçka lokale, por në nivel kombëtar fituesi më i madh mund të jetë E majta”, tha Arsovski.
Nga ana tjetër, analisti politik, Arben Llalla thotë se edhe pse partitë e mëdha po zhvillojnë një fushatë negative ditët e fundit, prapë nuk do të kenë përfitime listat e pavarura për kryetarë e këshilltarë, dhe sipas tij opsioni i tretë për momentin është larg daljes në sipërfaqe. “Historikisht kandidatët e pavarur apo lista e këshilltarëve të pavarur nuk kanë patur suksese në Maqedoni, përveç rasteve ku janë deklaruar të pavarur por në hije kanë patur mbështetjen e partive. Votuesi gri që zakonisht voton të pavarurit apo opozitën, është në emigracion, ajo pakicë që ka mbetur është indiferente se është vrarë shpresa nga këto dy partitë e mëdha. Përfituesit janë partitë në pushtet. Maqedonia ka ekonomi të brishtë e cila imponon edhe demokraci të kufizuar. Nuk shikojë ndonjë ndryshim të madh, por vetëm forcim të pushtetit qendror duke u zgjeruar edhe në qeverinë vendore. Prandaj opsioni i tretë për momentin është larg daljes në sipërfaqe”, ka deklaruar, Arben Llalla, analist.
Në zgjedhjet që do të mbahen të dielën, përveç kandidatëve të partisë, do të jenë 25 kandidatë të pavarur për kryetarë komune dhe 57 lista të pavarura për këshilltarët që kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme. Në Makedonska Kamenica dhe Çuçer Sandevo ka nga tre kandidatë të pavarur për kryetar. Në Kavadar dhe Makedonski Brod, nga ana tjetër, ka 5 lista të pavarura për këshilltarë. (koha.mk)