Parlamenti ende nuk është shpërbërë, ndërsa partitë kanë hyrë në fushatë zgjedhore Qytetarët mërzitën nga fushatat e shpeshta, sidomos kur ato janë të parakohshme e që ndikojnë tek votuesit e papërcaktuar të jenë cinik dhe apatik. Partitë politike sillen sikur se janë në fushatë, bëjnë aktivitetet edhe gjatë kohës së festave, vikendeve, mitingje etj., ndonëse formalisht fushata nuk ka filluar
Destan JONUZI
Shkup, 22 janar – Në Maqedoni formalisht nuk janë të kufizuara fushatat elektorale të partive politike. Kufizimi është vetëm nga momentin kur shpallen zgjedhjet zyrtarisht, deri në fillimin e fushatës. Edhe përkundër kësaj, analistët politik vlerësojnë se fushatat e parakohshme dhe të vazhdueshme kanë tendencë për ti bërë cinik dhe apatikë votuesit e papërcaktuar.
“Formalisht fushatat në Maqedoni nuk është e kufizuar. Kufizimi i vetëm është nga momenti kur do të shpallen zgjedhjet, deri në fillimin zyrtar të fushatës, vetëm në këtë periudhë është e ndaluar që partitë të bëjnë fushatë. Por, fushatat e parakohshme ka tendencë që ti bëjë, veçanërisht votuesit e papërcaktuar cinik dhe apatik, të mërzitën nga politika dhe të abstenojnë në numër më të madh, sesa abstenimi normal. Megjithatë, më së shumti në abstenim ndikon ambienti i përgjithshëm politik. A ndjehen qytetarët optimist, kanë besim në të ardhmen etj. Qytetarët mërzitën nga fushatat e shpeshta”, deklaroi për KOHA, komunikologu Petar Arsovski.
Por, shprehet ai, nëse dalja në zgjedhje është e vogël nuk do të jetë kjo për shkak të fushatës së parakohshme elektorale. “Në botën moderne, por edhe tek ne fushatat nuk ndalen, gjithë kohës partitë janë në fushatë. Por, ajo që duhet të theksohet se kemi në vazhdimësi fushatë negative “ping pong” fushatë, me preskonferenca. Fushata negative është më e lehtë dhe më e shpejtë. Më lehtë realizohet dhe më lehtë arrijnë partitë te votuesit e tyre. Dy partitë më të mëdha në vend LSDM dhe VMRO-DPMNE-ja po ë bëjnë këtë mirë. Target kanë vetëm trupin e tyre elektoral, duke lënë anash votuesin e pa përcaktuar”, nënvizon Arsovski.
FUNKSIONARËT SHTETËROR NUK DUHET TË ZHVILLOJNË FUSHATË
Sllagjana Taseva nga Organizata “Transparency International” thekson se partitë politike sillen sikur se janë në fushatë, bëjnë aktivitetet edhe gjatë kohës së festave, vikendeve, mitingje etj., ndonëse formalisht fushata nuk ka filluar. Ajo potencon se fushata te ne është e kufizuar në 20 ditë para zgjedhjeve. “Te ne ende Parlamenti nuk është shpërbërë ndërsa partitë kanë hyrë në fushatë zgjedhore. Por në këtë pjesë më shumë duhet të pasur kujdes në atë se sa para publike harxhohen për qëllime politike. Sa ministra dhe funksionarë shtetëror shfrytëzojnë vetura zyrtare që të shkojnë nëpër takime partiake. Sa i shfrytëzojnë zyrat e tyre për qëllime partiake dhe si e bëjnë kufizimin mes tyre. Për arsye se gjatë kohës së ushtrimit të funksionit nuk duhet të zhvillojnë fushatë. Po ashtu duhet hetuar se si tani menjëherë shpallen fushata promovuese nga Qeveria dhe po realizohen disa aktivitetet që nënkuptojnë promovim nëpërmjet mediave”, deklaroi për KOHA, Taseva.
Ajo sqaron se ligjet janë të qarta. Kontroll mbi financat e partive politike kur nuk është fushatë zgjedhore bënë revizioni Shtetëror i zgjedhjeve, për shkak se partitë arkëtojnë para nga shteti dhe buxheti për punën e tyre, ndërsa në kohë fushatë përgjegjës për ndjekjen dhe kontrollin e financimit të partive politike është Komisioni Shtetëror për ndjekjen dhe parandalimin e korrupsionit.
MUNGESA E OFERTAVE SJELL ABSTENIMIN NË ZGJEDHJE
Analisti politik, Faton Aliti vlerëson se rritja e mundësisë për abstenim në zgjedhje është reale, dhe jo vetëm për arsye të fillimit të hershëm të fushatës, por edhe për arsye të mungesës së ofertës konkrete. “Partitë politike shqiptare, e veçanërisht ato opozitare vazhdojnë me kryeneçësi të madhe të merren me njëra tjetrën dhe vetëm të ankohen për të bërat e të pabërat e partive në pushtet. Nuk ofrojnë zgjidhje, por vetëm i përsërisin disa fraza të përsëritura shpesh tash e 30 vite. Për këto arsye, mendoj se votuesit shqiptarë të cilët e përkrahën LSDM-në në vitin 2016, tani më pas largimit të VMRO-së nga pushteti e kanë motivin më të vogël për të vazhduar përkrahjen ndaj tyre. Njëkohësisht, analizat thonë se këto votues ishin në përqindje më të madhe votues të BDI-së dhe e kanë të vështirë të votojnë ndryshe nëse do të votojnë. Si përfundim, mendoj se ato të cilët nuk do ta votojnë LSDM-në përsëri, një numër i konsiderueshëm do të abstenojnë, ndërsa ata që do të votojnë në përqindje më të madhe do të kthehen përsëri në BDI”, vlerëson Aliti.
Ndërkaq, hulumtimet e mendimit publik tregojnë se numri i votuesve të papërcaktuar dhe atyre që do të abstenojnë në zgjedhje është në rritje dhe mund ta ulë vlerën e zgjedhjeve duke ulur numrin e përqindjes së qytetarëve që dalin në votime. Sipas të dhënave të hulumtimit publik, 44 për qind e qytetarëve e shohin si problem papunësinë, mbi 23 për qind varfërinë, ndërsa mbi 58 për qind thonë se vendi nuk është në binare të mirë ekonomik. Ndërkohë së fundmi po zhvillohet debat politik për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Partitë janë të ndara për sa i përket modelit zgjedhor. Përderisa një pjesë e partive të vogla parlamentare dhe LSDM-ja e Zoran Zaevit janë për një njësi zgjedhore me lista të hapura, partitë tjera politike kanë mendime të ndara për sa i përket modelit zgjedhor. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 12 prill. (koha.mk)