Boksieri britanik Tyson Fury ka marrë një goditje të rëndë sot, 3 javë para duelit që do të zhvillojë më 1 dhjetor ndaj amerikanit Deontay Wilder. Babai i tij, John Fury, një ish-boksier, nuk do të ketë mundësi të jetë në stadiumin “Staples Center” të Los Anxhelosit për të asituar djalin e tij në këtë sfidë për titullin kampion. Atij i është refuzuar hyrja në Amerikë nga autoritetet amerikane.
Sipas të përditshmes “The Daily Mirror”, përfshirja e babait të Tyson Fury në një aktivitet kriminal, pasi ka goditur një burrë IOathie Sykes) në sy në vitin 2010, e pengon që të udhëtojë në Amerikë. Madje John Fury, babai i Tyson, ka kaluar 4 vite në burg, nga ku doli në vitin 2015, pasi mori një dënim prej 11 vitesh. Ngjarja e rëndë daton në korrik të vitit 2010 dhe ka ndodhur gjatë pushimeve në Qipro.
John ka një rol të rëndësishëm në karrierën e Tyson Fury, duke qenë gjithnjë pranë tij në ring, së bashku me Peter Fury, xhaxhain e boksierit britanik. Ai ka qenë i rëndësishëm me këshillat e tij në duelin ndaj Wladimir Klitschko në nëntor të vitit 2015, kur Tyson u shpall kampion bote në peshën e rëndë. Ndaj mungesa e tij në ring, në duelin e 1 dhjetorit është një goditje e rëndë për Tyson Fury.
Burime nga familja e Fury e konfirmuan këtë mungesë, duke shprehur edhe keqardhjen për këtë ngjarje. “John është i hidhëruar që nuk do të jetë në Amerikë dhe që nuk mund të ndihmojë Tyson në këtë sfidë të madhe. Ai i njeh të gjitha sekretet dhe të fshehtat e Fury dhe do ta ndihmonte shumë në këtë sfidë. E gjithë pjesa tjetër e familjes do të jetë në Los Anxhelos”, konfirmojnë mediet.