Pak orë pasi ka ftuar në duel Entoni Xhoshua, boksieri britanik Tajson Fury ka deklaruar se në rikthimin e tij në ring si ish-kampion bote nuk ka për t’u ndalur para askujt. Fury, që dikur mbante titujt kampionë bote në kategoritë IBF, VBA dhe VBO, kërkon t’i rimarrë ato trofe, duke deklaruar se synon të jetë si Muhamed Ali.
Ndërkohë që pret një vendim nga antidopingu britanik, për të rimarrë licencën për boksim, britaniku ka deklaruar se do ta hedhë në tapet Deontaj Vilder, kampionin e botës në kategorinë VBC në peshat e rënda. “Shihni kush është rikthyer, i madhi dhe i vetmi. Të hedh “KO” Deontaj Vilder më motivon çdo ditë e më shumë. Po vij për ty vogëlush, po rikthehem enkas për ty. Do të mbaj atë premtim që të kam dhënë para disa vitesh. Ti e di se për çfarë po flas”, ka qenë deklarata e dhënë nga Fury në faqen e tij zyrtare në “Instagram”. Britaniku është ende mbipeshë dhe shpreson që të rikuperojë fizikisht për të qenë gati për rikthimin e tij në ring si protagonist, teksa është ende i pamposhtur.