Më 29 prill do të zhvillohet sfida e boksit mes britanikut Anthony Joshua dhe ukrainasit Wladimir Klitschko, përballje që ka përfshirë në debat shumë personazhe të njohura të këtij sporti. Një prej tyre është edhe ish-kampioni i botës në peshat e rënda Tyson Fury, që ka përdorur rrjetet sociale për të thumbuar patriotin e tij Joshua. Në një deklaratë të postuar në “Twitter”, boksieri Tyson Fury tha: “Joshua është varianti i dobët dhe i shëmtuar i Frank Bruno (ish-boksier)”.
Nuk ka munguar të vijë replika e Joshua, që i është drejtuar Fury, duke thënë: “Deklaratë tipike e Tyson Fury, pasi gjithnjë thotë idiotësi e budallalliqe. Po të nis si herën tjetër dy bileta për ta parë ndeshjen në radhë të parë. Mos sill njeri tjetër, po të jap dy bileta pasi tani e ke prapanicën e madhe dhe të duhen dy sedilje”, ka komentuar Joshua në “Twitter”.
Ai që ka kërkuar të vendosë paqen është ish-boksieri Frank Bruno, që ka thënë: “Boksierë, lërini fjalët. Le të flasë boksi dhe ringu”. Pra, atmosfera në prag të duelit të 29 prillit, që do të zhvillohet në stadiumin “Wembley” të Londrës, në prani të 90 mijë shikuesve, sa vjen dhe bëhet më interesante. Joshua mban titullin kampion IBF që Fury ia pat marrë Klitschko nëntorin 2015, në duelin e zhvilluar mes tyre. Ndaj dhe Tyson Fury shpesh ka thumbuar patriotin e tij, duke i thënë se një ditë do t’ia rimarrë titujt.