Fisnik PASHOLLI
Shkup, 1 mars – Amvisëritë në Maqedoni duhej që prej 1 janarit të vitit 2015 të zgjedhin se prej ku do të blejnë rrymë, shkruan gazeta KOHA. Mirëpo, kjo tashmë është prolonguar dhe kjo zgjedhje pritet të ndodhë prej 1 korrikut të vitit 2020. Qeveria e Republikës së Maqedonisë në tetor të vitit 2014, e anuloi liberalizimin e tregut energjetik për qytetarët, me arsyetimin e mbrojtjes së standardit jetësor të qytetarëve, për shkak se vlerësohet se një gjë e tillë do të shtrenjtojë rrymën për 20 për qind. Për këtë hap të vonesës së liberalizimit të tregut energjetik, ka pasur vërejtje edhe nga Komisioni Evropian si dhe Bashkësia Energjetike, për shkak të ngecjes së harmonizimit të legjislacionit vendor me atë të BE-së dhe pamundësimit të konsumatorëve që vetë të zgjedhin furnizuesin e tyre me rrymë. Kjo paraqet edhe prolongim të obligimeve që shteti ka ndërmarrë në kuadër të marrëveshjeve për bashkësinë energjetike të BE-së.
Në ndërkohë, liberalizimi i tregut energjetik është ndarë në disa etapa dhe aktualisht po rrjedh për konsumatorët më të mëdhenj nga sfera e biznesit. Procesi i liberalizimit të tregut energjetik zhvillohet në disa stadiume, ku gradualisht kompanitë hyjnë tregun e lirë, në varësi prej konsumit të përgjithshëm në vitin paraprak.
Prolongimi: ME arsyetohet me mbrojtjen e amvisërive
Liberalizimi i pjesshëm filloi me mbi 200 kompani më të mëdha me qarkullim mbi 10 milionë euro dhe mbi 50 të punësuar që harxhojnë afër 44 për qind të energjisë elektrike, të cilën e blejnë në mënyrë të lirë. Vitin e kaluar, në treg hynë bizneset që harxhonin mbi 1000 megavat në vit, në vitin 2017 do të hyjnë kompanitë me mbi 500 megavat në vit, në 2018 ato që harxhojnë mbi 100 megavat në vit dhe në vitin 2019, ato që harxhojnë mbi 25 megavat në vit. Pjesa tjetër e mbetur e konsumatorëve, ku bëjnë pjesë rreth 65 mijë firma të vogla dhe 600 mijë amvisëri, në tregun e lirë hyjnë në vitin 2020. Nga Ministria e Ekonomisë thonë se prolongimi i liberalizimit të tregut energjetik për amvisëritë është për shkak të mbrojtjes së mirëqenies së qytetarëve nga shtrenjtimi i hovshëm dhe i paparashikueshëm i rrymës.
“Argumenti kyç apo kryesor për prolongimin e liberalizimit si dhe përcaktimi për hapjen graduale dhe në etapa të tregut, paraqet minimizimin e rrezikut të shokut apo tronditjes së çmimeve (rritjet e shpejta të çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë). Në këtë mënyrë të mbrohet standardi i qytetarëve. Tronditjet e çmimeve priten për shkak se, ndër vite, çmimi që e paguajnë amvisëritë në kuadër të tregut të rregulluar, subvencionohet nga ana e konsumatorëve afarist, gjegjësisht konsumatorët afarist paguajnë çmimin më të lartë të rrymës, me qëllim që amvisëritë të paguajnë çmimin më të ulët. Me hapjen e tregut, normalisht se pritet që konsumatorët afarist të dalin në tregun e hapur në kërkim të çmimit sa më të ulët dhe zvogëlim të harxhimeve vetanake, që do të krijojë një situatë të tillë në tregun e rregulluar, ku amvisëritë më nuk do të ketë kush t’i subvencionojë. Pikërisht analiza që e realizoi qeveria në bashkëpunim me Komisioni Rregullator të Energjetikës në kohën e përcaktimit të dinamikës së re të liberalizimit të tregut, tregoi se nëse hapej tregu më 1 janar të 2015-ës, do të kishte rritje prej 17.7 për qind deri në 20 për qind të çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë”, thonë nga Ministria e Ekonomisë. Sipas këtij dikasteri, në periudhën e deritanishme, pjesa e nevojës për energji elektrike që sigurohet në tregun e hapur të energjisë elektrike, ishte mbi 40 për qind e konsumit të energjisë elektrike në Republikën e Maqedonisë, që paraqet përqindjen më të madhe të liberalizimit real të tregut të rrymës në rajon.
Frika e shtetit
Nga ana tjetër, një pjesë e ekspertëve të energjetikës kanë përkrahur anulimin e liberalizimit të tregut të energjetikës për amvisëritë deri në vitin 2020. Sipas profesorit universitar, Konstantin Dimitrov, sektori i energjetikës është një çështje shumë komplekse dhe serioze dhe nuk mund të bazohet në supozime se çka dhe si do të ndodhë, për shkak se është mjaft vështirë të parashikohet se si do zhvillohet, si prodhimtaria ashtu edhe konsumi jo vetëm i rrymës, por edhe i naftës apo gazit. “Edhe nëse supozojmë se do ndodhte liberalizimi i tregut të energjetikës për amvisëritë para dy vitesh, vështirë se mund të kishim çmim më të lirë të rrymës, për shkak se në botë çdo gjë shtrenjtohet. Gjithashtu, mos harroni, ju paguani mundësinë që të keni në disponim atë për 24 orë, pa marrë parasysh se e përdorni 24 orë si në prodhimtari ose si qytetarë e shfrytëzoni atë kryesisht ditën. Në rastin e liberalizimit të tregut, mund të ndodhë që blerësi të blejë rrymë për 10 apo 20 komuna për të siguruar furnizimin e tyre të rregullt me rrymë që duhet t’i paguajë prej përpara. Mund të ndodh që rrymë për shitje të mos ketë nga Elektranat e Maqedonisë që e kanë shitur tjetërkund, atëherë llogaritni sa kushton vetëm transporti prej Ukraine, Bosnje apo Rumanie, e të mos flasim për harxhimet e tjera që hyjnë në çmimin e rrymës, për shkak se ju paguani faktikisht që për 24 orë kur të doni të mund të ndizni bojlerin, apo të ndizni dritat e kështu me radhë”, thotë për KOHA, Dimitrov. Sipas tij, gjithashtu ekzistojnë pako të ndryshme të blerjes së rrymës në nivel vjetor për të pasur furnizim të rregullt. Kemi harxhues apo konsumator natën dhe ditën si dhe harxhues gjatë stinëve të verës dhe dimrit, që kompensohen midis tyre që në fund ndikon edhe në koston përfundimtare të rrymës.
Por, nga ana tjetër, ekzistojnë edhe mendime se në suaza afatgjate, amvisëritë do të kenë dobi nga liberalizimi i tregut të energjisë. Nga organizata “Analitika”, vlerësojnë se shteti duhet të realizojë të gjithë masat e nevojshme për zvogëlimin e përdorimit të energjisë elektrike për ngrohje, për shkak se qytetarët do të ishin më të goditur nga rritja eventuale e energjisë elektrike si përmirësimi i masave për kursimin dhe shfrytëzimin efikas të energjisë në amvisëri, instalimin e kalorimetrave për ngrohje qendrore, pompave për ngrohje dhe koftorëve efikas për ngrohje me dru dhe gazifikim.
“Frika e shtetit se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike do të sillte rritje të çmimeve të energjisë elektrike janë të bazuara, por vetëm në suaza afatshkurtra, ndërsa në suaza afatgjate një proces i tillë pritet të sjellë konkurrencë më të madhe dhe çmime më të lira .Ekzistojnë më shumë masa që shtetit mundej dhe mundet t’i ndërmarrë kundër tronditjeve të pritshme nga rritja e çmimit të rrymës si prodhimtaria më efikase e energjisë elektrike dhe asaj për ngrohje, vendosja e gazit natyror në amvisëri, përmirësimi i furnizimit me ngrohje, përmirësimi i kursimit dhe efikasitetit energjetik të ndërtesave e kështu me radhë“, vlerësonte në analizën e para dy viteve, Organizata “ Analitika”.
Ndryshe, përllogaritjet tregojnë se mesatarisht, një familje për t’u ngrohur gjatë sezonit të dimrit i nevojiten 20 – 25.000 denarë, duke pasur parasysh se në varësi temperaturave më të ulëta apo më të larta gjatë sezonit të dimrit harxhohen 8-10 metra dru. Ndërkohë, ngrohja me rrymë se vjen e më shumë bëhet luks për amvisëritë tona, pa dallim llojit të trupi për ngrohje që përdoret si termo, panel apo ngrohje vetanake e shtëpisë. Llogaria mujore për rrymë e qytetarëve gjatë muajit të dimrit në mesatare lëviz prej 6000 e deri në 12.000 denarë, në varësi prej izolimit të shtëpisë dhe hapësirave që ngrohen. Amvisëritë në të ardhmen do të përjashtojnë ngrohjen me rrymë si pasojë e çmimit që në vitet e ardhshme të rritet dukshëm si pasojë e liberalizimit të tregut, rrymës më të shtrenjtë nga importi në kushte të prodhimit më të vogël nga burimet vendore.
Ekspertët thonë se për çdo vit ritet konsumi i energjisë elektrike, ku një familje katëranëtarshe mesatarisht harxhon 350 kilovat orë në muaj, prej të cilave 42 për qind harxhohen për aparatet e ndryshme shtëpiake dhe të tjera, ndërsa 28 për qind konsumohet për ngrohje, 18 për qind për ngrohje të ujit dhe 12 për qind për ndriçim.
Afatet e liberalizimit të mbetura
– 1 korrik 2017 – 150 kompani që në 2016 kanë realizuar konsum të përgjithshëm prej mbi 500 megavat
– 1 korrik 2018 – 900 biznese me konsum të rrymës prej mbi 100 megavat në 2017-ën
– 1 korrik 2019 – 3500 konsumatorë me konsum të regjistruar mbi 25 megavat në 2018-ën
– 1 korrik 2020 – 65 mijë konsumatorë të vegjël dhe afër 600 mijë amvisëri me konsum vjetor prej 3200 gigavat në orë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.