Ligji parashikon që për ata qytetarë që nuk do të zgjedhin furnizuesin në tregun e lirë, me energji elektrike do ti furnizojë i ashtuquajturi “furnizues universal”, si firmë që do të zgjidhet në ankand publik në çdo pesë vite. Në këtë mënyrë garantohet se asnjë konsumatorë nuk do të mbetet pa rrymë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 19 gusht – Konsumatorët në Maqedoni, prej vitit të ardhshëm si rrjedhojë e liberalizimit të tregut energjetik, do të mund të blejnë rrymë nga më shumë kompani ngjashëm me ofertat në tregun e telekomunikacionit. Gjithashtu, Ligji parashikon që për ata qytetarë që nuk do të zgjedhin furnizuesin në tregun e lirë, me energji elektrike do ti furnizojë i ashtuquajturi “furnizues universal”, si firmë që do të zgjidhet në ankand publik në çdo pesë vite, shkruan gazeta KOHA.
Në këtë mënyrë garantohet se asnjë konsumatorë nuk do të mbetet pa rrymë. Njëherazi, furnizuesit me rrymë do të obligohen që në ofertat e tyre të përfshijnë edhe tarifat e ndryshme të lira ngjashëm me përvojën e deritanishme të shfrytëzimit të energjisë elektrike.
Në kuadër të përgatitjeve për liberalizimin e tregut energjetik, Qeveria në mbledhjen e fundit filloi me procedurën për përzgjedhjen e furnizuesit universal me rrymë. Dikasteri i kryeministrit, kryeministrit për çështje ekonomike, si dhe ai i Ministrisë së Ekonomisë janë të angazhuara të emërojnë nga një anëtar dhe zëvendësanëtar në Komisionin që do të realizojë procedurën për zgjedhjen e furnizuesit universal. Njëherësh, edhe nga Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe Akademia e Shkencave të Maqedonisë do të zgjidhet nga një anëtar dhe zëvendësanëtar për realizimin e procedurës në afat prej tre ditësh nga dita e miratimit të vendimit.
Pritet që deri në fund të muajit apo në afat prej 14 ditësh, Qeveria të dorëzojë për miratimit thirrjen publike dhe dokumentacionit e tenderit. Gjithashtu, me nenin 27 përcaktohet që me Ligjin e ri për Energjetikë të balancohen interesat e furnizuesve dhe konsumatorëve, si dhe parashikohet mbrojta e konsumatorëve dhe shfrytëzuesve të sistemit nga çfarëdo keqpërdorimi i pozitës dominante në treg.
Në mbledhjen qeveritare të së martës janë konstatuar edhe rezultatet e mira të Planit të ashtuquajtur “Garanci për të rinjtë”, që si pilot-projekt realizohet në Shkup, Gostivar dhe Strumicë. Prej muajit mars të këtij viti e këtej, në këto tre komuna janë punësuar 518 persona, ndërsa 1252 të tjerë janë përfshirë në masat e ndryshme që ndihmojnë punësimin siç janë praktika, trajnim në vendin e punës, trajnime për profesionet e kërkuara në tregun e punës, trajnime për shkathtësitë e avancuara të teknologjive informatike etj. Masa i dedikohet të gjithë të rinjve të moshës deri 29 vjeç që janë të papunë dhe kanë përfunduar arsimin e mesëm apo sipëror. Një masë e tillë aktive e punësimit në BE zbatohet nga viti 2012, ndërsa në Maqedoni filloi të realizohet këtë vit.
Gjithashtu, për shkak të problemeve me plasmanin e kumbullave, në seancën e fundit qeveritare është vendosur që grumbulluesit dhe tregtarët e kumbullave që deri më 15 tetor do të blejnë kumbulla industriale me çmim prej 5 denarë apo të freskëta prej 8 denarë, të fitojnë subvencione shtesë prej 2 denarë.
Njëherësh, para dy muajve, me vendim qeveritar u ndanë 2 milionë denarë për 7 denarë domate të dorëzuara në kapacitetet prodhuese. Subvencionet shtesë për domatet u rritën nga 3 në 7 denarë. Masa vlente për 500 tonë domate. Edhe Ministria e Bujqësisë me një shumë prej katër milionë euro, me rritjen e subvencioneve për grurin e prodhuar dhe të dorëzuar, premtoi se do të ndihmojë prodhuesit vendor të grurit ashtu edhe mullisët në Maqedoni. Çdo grumbullues i grurit i regjistruar në Regjistrin e grumbulluesve që do të blejë grurë vendor të korrjes së vitit 2018 dhe atë më së voni deri më 15 shtator, ndërsa me shumën e lartpërmendur ndihmohen në mënyrë shtesë prodhuesit e grurit me hapësira më të mëdha prodhimi. (koha.mk)