Kapitulli pesë që është një nga kryesorët për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, për prokurimet publike, pritet që më së shumti do të hap debat në vend. Edhe pse është miratuar ligj i ri për furnizime publike, ai përveç në letër, në praktikë nuk zgjidh asgjë
Destan JONUZI
Shkup, 17 janar – Keqpërdorimi i parasë publike nëpërmjet procedurave të prokurimit, parandalimi dhe sanksionimi i dëmit është pjesë e debatit publik në Maqedoni, por rezultatet janë të pakta. Ligji i ri për furnizim publike i zgjidhi problemet, por vetëm në letër, ndërkohë që në realitet prokurimet po realizohen sikur se asgjë të mos ishte ndryshuar. Të dhënat zyrtare me të cilat disponon gazeta KOHA flasin se vetëm vitin e kaluar për procedura tenderimi janë harxhuar 900 milion euro, ndërsa kapaku i keqpërdorimit të procedurave dhe parasë publike ka qenë projekti “Shkupi 2014” në të cilin ish-pushteti akuzohet se ka manipuluar me miliona euro. Kapitulli pestë i Komisionit Evropian për bisedimet e Maqedonisë për anëtarësim ka të bëjë pikërisht me prokurimet publike. KE pret nga Maqedonia të harmonizojë dhe zbatoj kriteret evropiane në këtë fushë.
Gordana Duvnjak, gazetare hulumtuese thotë se fokusi i opinionit në vend në periudhën e kaluar ishte kryesisht i fokusuar në Kapitullin 23, që e përfshinë gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Sipas saj, me të drejt, për shkak se ai do të jetë kapitulli i parë i cili hapet gjatë fillimit të bisedimeve me Bashkimin evropian, së bashku me kapitullin 24.
“Jo më pak i rëndësishëm është edhe kapitulli pesë, që ka të bëjë me prokurime publike, për arsye se ka të bëjë me mënyrën që organet shtetërore dhe institucionet i harxhojnë parat e qytetarëve, të cilët janë obligues tatimor. Ideali i çdo shteti në një shoqëri demokratike është që të ketë procedura transparente, efikase dhe funksionale të prokurimeve publike. Për fat të keq, edhe përkundër asaj se për do ditë po inkorporohen direktivat evropiane në ligjet vendore, përsëri, edhe pas miratimit të ligjit të ri për furnizime publike nuk janë mënjanuar dobësitë e shumta ligjore. Organizatat qytetare që merren me këtë problematik e kanë vlerësuar vitin e kaluar si shumë regresive krahasuar me dy vitet paraprake. Çmimi më i ulët ende është kriter kryesor, ndërsa konkurrenca është në nivel të ulët, ndërkohë që anulimi i prokurimeve ende llogaritet si çështje normale”, deklaroi për KOHA, Duvnjak.
Sipas të dhënave që disponon gazeta KOHA, çdo i katërti tender është rishpallur, ndërsa vetëm në gjysmën e parë të vitit 2019, nëpërmjet procedurave jotransparante, me ndërmjetësim, pa shpallje publike janë nënshkruar marrëveshje në vlerë prej 9.60 milionë euro.
“Shumë e rëndësishme është që edhe më tej të punohet në transparencë më të madhe gjatë shpalljeve për furnizime publike, si dhe të rritet kontrolli dhe mbikëqyrja, si nga institucione të pavarura shtetërore, ashtu edhe nga sektori joqeveritar”, nënvizon Duvnjak.
Në anën tjetër, profesoresha universitare e së drejtës ligjore, Arta Bilalli-Zendeli thotë se të gjithë kapitujt kanë peshën dhe rëndësinë e vet. “Për përgjegjësinë institucionale janë kompetente gjykatat dhe organet e drejtësisë. Sa i përket kapitullit që i dedikohet furnizimeve publike, procedurave tenderuese etj., mendoj se janë çështje ku do të ketë mjaft punë të detajuar, por prapëseprapë, jam e mendimit se pa e vendosur në “këmbë të shëndosha” gjyqësorin, kurrë nuk do të kemi garanci se ndryshimet dhe reformat në sfera të ndryshme të jetës shoqërore do të jenë të qëndrueshme dhe të zbatueshme. Kjo për shkak se për keqpërdorimet, keqmenaxhimit etj”, deklaroi për KOHA, profesoresha Bilalli-Zendeli. Ajo shton se duhet mbajtur përgjegjësi para organeve të drejtësisë, të cilat duhet të jenë parimore dhe funksionale e të mos kursejnë askënd që keqmenaxhon me të mirën e përgjithshme.
Ndryshe, sipas Kapitullit 5, Maqedonia duhet të vendos kapacitete përkatëse institucionale dhe administrative në të gjitha nivelet dhe të aplikojë masa të barabarta që të sigurojë implementimin e ligjeve në Prokurimet publiken edhe atë para hapjes së bisedimeve, e jo të pritet momenti i hapjes së këtij kapitulli. (koha.mk)