Fisnik PASHOLLI
Shkup, 31 maj – Shkalla e papunësisë në Maqedoni në vitin 2016 ishte 23.7 për qind, gjysma e të punësuarve janë me shkollë të mesme, ndërsa në totalin e të papunëve me 65 për qind dominojnë gratë përkundër 35 për qind të meshkujve të papunë, shkruan gazeta KOHA.
Gjithashtu, 34.213 persona punojnë si anëtarë të trupave ekzekutiv dhe ligjvënës, funksionarë shtetërorë, nëpunës udhëheqës shtetëror dhe diplomatë. Prej gati 700 mijë të punësuarve në Maqedoni në sektorin publik dhe privat, pa arsim të përfunduar fillor janë 14 mijë punëtorë, afër 109 mijë janë me arsim fillor, me arsim të mesëm janë 379 mijë punëtorë dhe me arsim të lartë janë 168.730 të punësuar. Nga ana tjetër, rrogë nën 20.000 denarë apo nën mesataren prej 22 445 denarë në nivel shtetëror, marrin pjesa dërmuese prej afër 480 mijë punëtorë. Sipas publikimit të fundit të Entit të Statistikës së Maqedonisë, “Anketa për fuqinë punëtore 2016”, nga fuqia e përgjithshme punëtore prej 948 599 persona, 723 550 prej tyre apo 76.3 për qind janë të punësuar, ndërsa 225 049 persona apo afër 24 për qind janë të papunë. Sipas arsimimit, pak më shumë se gjysma apo 54.5 për qind e të punësuarve janë me arsim të mesëm, prej të cilëve meshkujt përfaqësohen me 35.1 për qind, ndërsa gratë me 19.4 për qind. Nga ana tjetër, pjesëmarrja e fuqisë punëtore me arsim të lartë, magjistraturë dhe doktoraturë në totalin e të punësuarve në Maqedoni, është afër 24 për qind, me pjesëmarrje gati të barabartë të meshkujve dhe grave. Në totalin e të papunëve me 65 për qind dominojnë gratë, përkundër 35 për qind të meshkujve të papunë. Sipas pronësisë së subjekteve afariste, 555.894 punëtorë janë të angazhuar në sektorin privat. Prej këtij totali, 381.316 janë punëtorë në firmat private, 32.003 janë punëdhënës, 95.364 janë të vetëpunësuar në bizneset e tyre vetanake, dhe 47.211 janë punëtorë pa pagesë familjar dhe atë më së shpeshti në bujqësi dhe blegtori.
Analiza më tej tregon se pjesa më madhe apo 137.615 persona punojnë në industrinë përpunuese. Pason sektori i bujqësisë, ku punojnë 120.303 persona. Në tregti punojnë 104.514 persona, ndërsa në ndërtimtari punojnë 52.140 persona. Në sektorin e transportit janë të punësuar 36 mijë persona, ndërsa në atë të hotelerisë janë të angazhuar afër 25 mijë persona. Nga ana tjetër, në administratën publike, mbrojtje dhe sigurim social punojnë 53.969 persona, në sektorët administrativ punojnë 14.335 persona, ndërsa në veprimtaritë profesionale, shkencore dhe teknike punojnë 13.500 persona. Në institucionet arsimore punojnë 42.569 persona, ndërsa në institucionet shëndetësore punojnë 39.089 persona. Sipas të dhënave statistikore, 34.213 persona punojnë si anëtarë të trupave ekzekutiv dhe ligjvënës, funksionarë shtetërorë, nëpunës udhëheqës shtetëror dhe diplomatë. Analiza e Entit të Statistikës tregon se më shumë se gjysma e të papunëve apo afër 139 mijë persona janë të papunë më shumë se katër vite, ndërsa afër 18 mijë persona janë të papunë më shumë se tre vite. Nga ana tjetër, në strukturën e të papunëve dominojnë 39 mijë persona pa arsim fillor, pasojnë 74 mijë persona me shkollë të mesme dhe afër 20 mijë me arsim të lartë. Raporti i Entit të statistikës më tej tregon se nga 723.550 të punësuar, prej të cilëve për 51 mijë persona nuk ka të dhëna për rrogën, ndërsa 47 mijë janë punëtorë të papaguar në aktivitetet ekonomike familjare, vetëm 137.872 të punësuar marrin rrogë mbi 20 mijë denarë. Nga ana tjetër, rrogë nën 20.000 denarë apo nën mesataren pre 22 445 denarë në nivel shtetëror, marrin pjesa dërmuese prej afër 480 mijë punëtorë. Nga ana tjetër, vetëm 10.875 të punësuar marrin paga mbi 40 mijë denarë. Paga prej 30-40 mijë denarë marrin 17.776 të punësuar, paga prej 25-30 mijë denarë marrin 32.634 persona, paga prej 20-25 mijë denarë marrin 76.587 punëtorë, dhe paga prej 16-20 mijë denarë marrin 121.963 punëtorë. Paga prej 12-16 mijë denarë marrin 144.383 punëtorë, paga prej 10-12 mijë denarë marrin 126 mijë punëtorë, paga prej 8-10 mijë denarë marrin 53 mijë punëtorë, ndërsa paga prej 5-8 mijë denarë marrin 21 mijë punëtorë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara