Çelet në Qendrën për Hapje dhe Dialog ekspozita me imazhet nga 34 vajza ballkanase përçojnë mesazhe për barazinë, dhunën dhe lirinë e gruas. Lala Meredith-Vula: Është arti dhe subkoshienca që përdoret për të përcjellë përmes fotografisë gruan ballkanase
“Për të gjithë dhunën e ushtruar mbi të, për të gjitha poshtërimet që ka kaluar, për trupin e saj që keni shfrytëzuar, për inteligjencën që ia keni nëpërkëmbur, për injorancën në të cilën e keni lënë, për lirinë që i keni mohuar, për gojën që ja keni mbyllur, për krahët që ja keni prerë. Për të gjitha këto: Në këmbë, zotërinj, përpara një Gruaje!”. Kanë kaluar afro 5 shekuj kur pena e Shekspirit do të gdhendte këto vargje që buçasin sot, ndoshta njësoj, nevojën për t’u dëgjuar, për t’u shprehur në çdo gjuhë. Edhe përmes asaj vizuales, siç ndodh në Qendrën për Hapje dhe dialog, ku përmes një ekspozite fotografike rrëfehet “Fuqia e vajzave të Ballkanit”. Ato janë 34 dhe vijnë nga vende të trazuara, me probleme sociale dhe ekonomike, si Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Serbia si dhe Shqipëria e Kosova.
Mirëpo, edhe pse në moshë të re (nga 16 në 26 vjeçe), të nxitura edhe nga ngjarjet aktuale janë të vendosura që përmes imazheve të përçojnë një mesazh, si një mision i gruas për gruan. Një ekspozitë që siç rrëfen kuratorja, njëherazi edhe fotografja britanike Lala Meredith-Vula vjen, si një mundësi për të komunikuar, për të krijuar dialog. “Kësaj here flitet për një dialog joverbal, por për një dialog, ku njerëzit duhet të vënë në punë sytë dhe zemrën për ta interpretuar, për të perceptuar thelbin”, sepse kësaj here siç artistja shprehet është arti dhe subkoshienca që përdoret për të përcjellë përmes fotografisë gruan ballkanase. Sipas saj, çdo foto e kësaj ekspozite mbart në vetvete një mesazh.
Si ajo e vajzës me të kuqe (e realizuar nga Ana Ritsevska nga Maqedonia e Veriut), ku ngjyrat e fustanit të saj bëhen njësh me vijat e kuqe të trenit, si për të evidentuar dëshirën e madhe për të udhëtuar, që pasohet nga një tjetër foto, ku gruaja që paraqitet është me këmbë të lidhura, një lidhje verbale që duket se i imponon qëndrimin në një vend (gruaja shtëpiake)… Mirëpo femra, vajza ballkanase mbart një forcë që ekspozita e reflekton edhe në foton më të thjeshtë, si ajo e një biçiklete së lënë në një natyrë të qetë. “Ju shikoni një biçikletë të thjeshtë në pamje të parë, por ka më shumë, pas saj qëndrojnë malet dhe kjo ju flet për vendin. Pra nuk mund të jetë një pamje si kjo në qytete si Londra. Është një foto që shpreh optimizëm”, shprehet kuratorja.
Ekspozita “Fuqia e vajzave të Ballkanit” rrëfen që në hyrje të saj dëshirën e grave, ose më saktë vullnetin e tyre për t’u konfirmuar si të barabarta (Një femër e buzëqeshur që gjuan topin me kokë) si dhe anën e brishtë, që njëkohësisht bëhet dhe forca e tyre. Ëndrrat vajzërore të fotografuara, duke menduar një të ardhme që do t’i përmbushte, që i ngjan një buzëqeshje. Kështu ndërsa kuratorja Lala Meredith-Vula nxiton për të mirëpritur të ftuarit për ëorkshop-in që do të mbajë me temën “Të qenit një vajzë në Ballkanin Perëndimor”, ne bisedojmë me një prej vajzave pjesëmarrëse në ekspozitë. Arbnora Memeti është prej shqiptarëve të Maqedonisë. Në një krahë mban të hedhur aparatin e saj, e në tjetrën një çantë me nuanca të zeza. Është e lirshme në komunikim dhe të përçon mes fjalëve “fuqinë e një vajze nga Ballkani”.
Më e ndrojtur është shoqja e saj maqedonase Ana Ristevska, ndaj Arbnora kujdeset që ne t’i dedikojmë vëmendje edhe fotografive të saj. Mandej ajo na tregon se fotografinë nuk e ka profesion, por një pasion që e ka shoqëruar në punën e saj si gazetare. Punon për të përditshmen “Sloboden Pecat”. Ajo që e nxiti të bëhej pjesë e një iniciative të tillë ishte fakti se në Ballkan vajzat fotografe janë të pakta. “Ndaj një program i tillë që mbahet në 5 vende të Ballkanit, na lejon që ne përmes fotove që kemi realizuar të shprehim statusin e gruas në vendet ku jetojmë. Jo të gjitha fotot përçojnë mesazhe sociale, disa prej tyre pasqyrojnë natyrën e vërtetë të jetës së femrës në Ballkan”. Fotot e Arbnorës janë të gjitha të realizuara në Shkup. Tregon se do t’i kishte pëlqyer që imazhet të shoqëroheshin edhe me përshkim për të komunikuar më lehtë mesazhin tek vizitorët.
Si përshembull për foton ku shfaqet duke ecur me veshje provokuese një vajzë e imët, të realizuar gjatë marshimit të punëtorëve të seksit në Shkup për të kërkuar të drejtat e tyre. “Pas saj gjendet një automjet (motor) ku shkruhet ‘Dërgesa falas’”, tregon ajo. Ndërkohë që detaji më parë i pakonceptueshëm për ne (është në gjuhën maqedonase), fton në një reflektim të thelluar rreth asaj shkrepje spontane, që flet për seksizmin, në krah të një tjetër imazhi, që përpiqet të flasë… Portreti i një gruaje me sytë e mbyllur tenton të na thotë, se vajzat ballkanase nuk duan fjalë të bukura, por të drejtat e tyre. Arbnora që, siç shprehet është e tërhequr nga fotografia që dokumentohet, në këtë ekspozitë ka sjellë ndër të tjera një tjetër foto para së cilës, vizitorët ndalen më gjatë.
Ndërsa një lodër (kalë me ngjyra ndjellëse) transportohet nga dy burra të fuqishëm në një makinë të hapur, një vajzë e vogël (ndoshta e komunitetit rom) qëndron para saj duke e vëzhguar. Një foto që rrëfen pamundësinë, që “shtyp” ëndrrat e një fëmije, ndërkohë që nga ana tjetër qëndrimi i kësaj vajze në moshë të brishtë, pavarësisht kësaj mungese reflekton forcë dhe vendosmëri. Jo rastësisht, pranë saj kuratorja ka zgjedhur të ekspozojë imazhin e një tjetër fëmije që mban në duar një lodër minimaliste, por që megjithatë e ka bërë të lumtur. Një avion prej letre, ku shkruhet “I love you”.
Gruaja shqiptare në Maqedoni
Arbnora, si një femër e fortë, të cilës nuk i pëlqen viktimizimi e ankesat, tregon se si në të gjitha vendet demokratike edhe në Maqedoni gruaja është e lirë. “Nuk i shkel askush, dhe ne si gra e përdorim gjithmonë forcën që na karakterizon. Sigurisht që, si në të gjithë shtetet e tjera të Ballkanit, nuk ka një barazi gjinore të mirëfilltë. Por ekziston pjesërisht”, pohon ajo. Për Arbnorën kjo ekspozitë vjen edhe për të nxitur ndërgjegjësimin për këtë çështje. “Si dhe kundër dhunës, ngacmimeve seksuale, që në njëfarë mënyre shkelin nivelin e femrës në Shqipëri dhe Ballkan”. Kjo ngjarje, sipas gazetares është një mënyrë e mirë edhe për të treguar fuqinë e femrave të Ballkanit edhe nëpërmjet artit.
Arbnora nuk e mohon praninë e notave pesimiste që marrin jetë në imazhin e një gruaje shtatzënë para kutisë së kursimit apo në fytyrën plot shenja të një vajze të hijshme, ndërkohë që elementi mashkullor na vjen gati si hije. As kulturën e grave të mbuluara me shami, krahas së cilave qëndrojnë manekine veshur me rroba shumëngjyrëshe që mbajnë imazhin e revolucionarit Che Guevara. Janë pjesë e realitetit, e mesazheve që vijnë edhe për të protestuar ndaj ngjarjeve të fundit që kanë tronditur opinionin në Shqipëri dhe Kosovë. “Si dhe për të parandaluar sadopak raste të tjera që ende nuk janë zbuluar”, shprehet Arbonora, duke theksuar se fotot krahas forcës së brendshme të femrave nuk mund të fshehin trysninë që ato hasin.