Fuqia e pushtetit të jetë në shërbim të qytetarit

Tani që nuk jam kryetar i Komunës së Gostivarit, më ngelët më tepër kohë për të qenë sa më afër qytetarëve. Ajo që më gëzon më së shumti është respekti që tregojnë qytetarët e Gostivarit ndaj meje. Me respektin që shfaqin ndaj meje, ato tregojnë respekt për punët e mira që i realizuam bashkë për qytetin dhe qytetarët e Gostivarit. Kam më tepër kohë t’i përkushtohem familjes dhe miqve. Kjo është ndjesia më e mirë për mua...

Delvina KËRLUKU

Nevzat Bejta lindi më 19 tetor 1961, në fshatin Duf të Rekës – Gostivar. Shkollën fillore e kreu në shkollën qendrore “Ismail Qemali” dhe atë të mesmen në gjimnazin e Gostivarit. Diplomoi në Universitetin e Prishtinës – Fakultetin Filozofik, Dega Histori. Pas diplomimit, Bejta punoi si profesor në shkollën fillore “Përparimi” në fshatin Çegran, kurse nga viti 1987 e deri në vitin 2002, ishte profesor i Historisë në gjimnazin e Gostivarit. Në vitin 1993 u zgjodh kryetar i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë. Në ngjarjet e 9 korrikut të viti 1997, në Gostivar, Bejta ishte i burgosur politik. Në vitin 1999 u zgjodh këshilltar në Këshillin e Komunës së Gostivarit. Në vitin 2001, Bejta iu bashkëngjit radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Është themelues i Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar. Nga themelimi i partisë në vitin 2002 e deri më sot, vazhdon të mbajë të njëjtin post. Në periudhën 2002-2005, ushtroi mandatin e deputetit në Parlamentin e Maqedonisë. Në këtë periudhë drejtonte me Komisionin Parlamentar për Çështje Ekonomike. Në maj të vitit 2003, në Budapest të Hungarisë, Bejta mori pjesë në trajnim dhe u pajis me certifikatë lidership për punë efektive të legjislacionit në dhomën ligjdhënëse. Në periudhën 2005-2009, Bejta ishte kryetar i Komunës së Gostivarit nga radhët e BDI-së. Njëkohësisht, ai udhëhiqte dhe ushtronte postin e nënkryetarit të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale. Në 2006 u zgjodh sekretar i Sekretariatit për Risocializim, Revitalizimin e Vetëqeverisje Lokale në kuadër të Bashkimit Demokratik për Integrim. Në organizim të Departamentit të Shtetit Amerikan, Nevzat Bejta në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gostivarit, në vitin 2007, mori pjesë në trajnimin për Udhëheqje qendrore dhe lokale. Në vitin 2007, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gostivarit, u zgjodh Qytetar Nderi i shtetit Nebraska të SHBA-ve. Më 2008 ishte pjesëmarrës në pjesën praktike dhe teorike të trajnimit për Vetëqeverisje Lokale të organizuar në Stamboll, nga “TIKA” dhe Qeveria e Republikës së Turqisë. Në Bon dhe Bruksel, mori pjesë në trajnimin me temë: “Sfidat e vetëqeverisjes lokale gjatë kohës së evrointegrimit”. Në Kongresin e dytë të Bashkimit Demokratik për Integrim – BDI, në vitin 2009 u zgjodh nënkryetar i partisë. Në periudhën gusht 2011 – shkurt 2013, ishte ministër i Vetëqeverisjes Lokale i Republikës së Maqedonisë. Më 7 prill 2013 zgjidhet në një mandat të dytë si kryetar i Komunës së Gostivarit. Po këtë vit, Komuna e Gostivarit nën drejtimin e tij fitoi çmimin e artë për praktika të mira nga Shoqata Evropiane për Kërkime Cilësore (ESQR), më 8 dhjetor në Vjenë të Austrisë. Si nënkryetar i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, ishte pjesëmarrës në mbledhjen e përgjithshme të Rrjetit të Asociacioneve të Pushteteve Lokale të Evropës juglindore – NALAS, në mandatin 2005-2009 dhe 2013-2017 si kryetar komune.

KOHA: Pas humbjes së zgjedhjeve në Komunën e Gostivarit, deklaruat se një kohë do qëndron larg nga politika. Dhe, e natyrshme është t’Ju pyesim se me çfarë po merret aktualisht Nevzat Bejta?

Advertisements

BEJTA: Është e vërtetë që kam deklaruar se përkohësisht do të tërhiqem nga jeta politike. Por, ky deklarim hasi në reagime të shumicës së qytetarëve dhe veçmas rinisë shqiptare. Ata nuk ishin dakord që unë të tërhiqesha nga jeta politike. Paralajmërimi se do të largohem nga politike, shqetësoi shumicën e tyre, por njëkohësisht gëzoi kundërshtarët politik. Duke u nisur nga mendimi dhe bindja e shumicës së qytetarëve, e pash të udhës që të bindem dhe të rikthehem në politikë. Aktualisht, si nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim – BDI, me kërkesë të liderit Ali Ahmeti, jam angazhuar në sektorin për Pushtetin Lokal që funksionon në suaza të partisë.

KOHA: Pas zgjedhjeve të dhjetorit të 2016-ës, u quajtët si “krahu pro-LSDM” brenda BDI-së, ndërkohë që mbështesnit koalicionin me kryeministrin aktual, Zoran Zaev dhe jo me VMRO-në e Nikolla Gruevskit. Qeveria LSDM-BDI tashmë ka mbushur më shumë se një vit… Sa jeni i kënaqur me qeverisjen aktuale të shtetit?

BEJTA: Si nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, shpreha publikisht mendimin dhe bindjen time që koalicioni duhej të lidhej me Lidhjen Socialdemokrate. Ky vlerësim i imi ishte vlerësim i shumicës së anëtarësisë dhe votuesve shqiptarë. Ishte vlerësimi im që ky koalicion do të shërbente për të mirën e shoqërisë dhe shtetit tonë. Tash jemi dëshmitarë që me formimin Qeverisë së re reformatore BDI-LSDM, në vendin tonë erdhi liria, demokracia, drejtësia dhe barabarësia. Nga qeverisja e re me në krye liderin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryeministrin Zoran Zaev, vendi dhe shoqëria jonë janë duke shkuar në udhë të mbarë. Ahmeti tregoi zgjuarsi dhe dëgjoi zërin e qytetarëve kur vendosi të lidh koalicion dhe të formohet Qeveria e re reformatore. Në perspektivën e deritanishme, rezultoi e saktë bindja që ndanim shumica e anëtarëve të Kryesisë së partisë se, gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, nuk u bënë punë të mira në interes të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, por në interes të një grupi të vogël të këtij subjekti politik. Tash dalin në sipërfaqe keqpërdorimet që janë bërë gjatë qeverisjes së kaluar dhe çfarë shkeljesh ligjore janë bërë në dëm të shoqërisë së vendit tonë. Më vjen mirë që ky realitet u reflektua edhe në radhët e VMRO-së dhe pas një viti, shohim strukturim të ri brenda këtij subjekti politik. Nëse struktura e re e kësaj partie do të vihet në shërbim të interesit qytetar dhe do të trajtojë shqiptarët në mënyrë të barabartë, kam bindje që ky subjekti politik do të ketë ardhmëri të mirë politike.

KOHA: Por për hapat e Qeverisë aktuale që ju mendoni se janë të gabuar, mund të flisnit?

BEJTA: Është ende herët të konstatojmë nëse kjo Qeveri ka bërë hapa të gabuara ose jo. Kjo përbërje qeveritare është duke punuar në koordinim me faktorin ndërkombëtar me qëllim që shteti ynë të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe strukturave euroatlantike. Qeverive reformatore u duhet kohë dhe nuk mundet që për një afat të shkurtër të jenë të dukshme rezultatet e pritshme. Besoj që rezultatet e kësaj Qeverie do të jenë evidente dhe në suaza të pritshmërisë së qytetarëve. Agjenda e Qeverisë reformatore janë eurointegrimet.

KOHA: Z. Bejta, si ish-nënkryetar i Bashkësisë së Vetëqeverisjes Lokale në Maqedoni, njëherësh ish-kryetar i Gostivarit, mund të na thoni se deri ku ka arritur implementimi i Ligjit për decentralizimin e pushtetit lokal?

BEJTA: Ligji për Decentralizim ashtu siç është miratuar, është zbatuar në masën më të madhe. Por, bindja ime është që Ligji për Decentralizim duhet të pësojë ndryshime dhe të bëhet i mundur decentralizimi i pushtetit edhe në shumë sfera të tjera shoqërore, siç është sfera e kulturës, sportit, shëndetësia, policia, politika sociale, decentralizimi fiskal dhe ekonomia, si dhe gjyqësori. Sa më tepër të kemi decentralizim të pushtetit qendror, aq më mirë do të bëhet për shoqërinë tonë. Pushteti Lokal është më i afërt dhe njohës më i mirë i interesave, kërkesave dhe shërbimeve që u nevojiten qytetarëve. Parimi i autonomisë vendore duhet të shërbejë si një nga parimet themelore te qeverisjes vendore. Autonomia lokale është sfidë që i bëhet monopolit vendimmarrës të qeverisë qendrore, dhe ajo konsiderohet si karakteristikë e shteteve demokratike. Decentralizimi i funksioneve, nëpërmjet kalimit nga pushteti qendror në pushtetin vendor, kërkon kohë dhe burimet e duhura financiare dhe njerëzore. Ky është një proces, i cili nuk mund të realizohet pa miratimin dhe zbatimin e një kuadri ligjor të qartë, prandaj mendoj që ligji aktual duhet t’u nënshtrohet ndryshimeve. Kompetencat që u besohen Komunave normalisht duhet të jenë të plota.

KOHA: Në disa raste, edhe kur ishit kryetar komune si dhe ministër i Pushtetit Lokal, patët theksuar problemin me decentralizimin fiskal të pushtetit qendror dhe atij lokal. Gjegjësisht, me ndarjen aktuale të buxhetit që marrin komunat nga qendra, po dëshmohet se nuk mund të mbijetojnë. Çfarë mendoni se duhet të ndodhë që të arrijmë atë që komunat sadopak të dalin nga borxhet?

BEJTA: Kur flasim për decentralizimin fiskal, duhet të theksoj edhe rolin që duhet ta luaj kryetari i Komunës. Varet shumë se sa është një menaxher i mirë dhe sa mund të siguron fonde nga burime alternative. Nëse kryetari i komunës punon në interes të qytetarëve dhe nuk merret me politikë ditore, ka mundësi që të thithen fonde nga nivel të ndryshme. Pra, edhe në këtë situatë mundet që Pushteti Lokal të funksionojë shumë mirë, por me një qeverisje të ndershme, transparente dhe azhure. Duhet të pajtohemi që decentralizimi aktual vlen për të gjitha komunat e vendit, dhe nuk ka mundësi që në disa Komuna të shihet progres dhe në disa komuna jo. Menaxhimi efikas është vendimtar për funksionimin e pushtetit lokal. Përveç avantazheve decentralizimi paraqet edhe disa disavantazhe, më pak të konsiderueshme në krahasim me avantazhet e tij. Njohja e disavantazheve është e rëndësishme për të kuptuar faktorët që vështirësojnë procesin dhe njëkohësisht për të marrë masat e duhura për eliminimin në kohë të tyre, kur është e mundur.

KOHA: Ankesat e kryetarëve të komunave shqiptare vazhdojnë të theksohen sidomos gjatë shpërndarjes të buxhetit (bllok-dotacionet) sa i përket kulturës, përkujdesjes për fëmijët si dhe moshën e tretë! Ndërkohë që, partitë shqiptare në pushtet – gjithmonë deklarohen “fitues” të Buxhetit për komunat shqiptare! Mund të thoni se kush e thotë të vërtetën: komunat apo pushteti?

BEJTA: Të jem i sinqertë, unë në kohën kur kam qeverisur me Komunën e Gostivarit, asnjëherë nuk jam ankuar. Është bindja e qytetarëve të Gostivarit që në dy mandatet që kam qeverisur – kam ndryshuar qytetin e Gostivarit. Për katër vite mandat, në Gostivar u realizuan mbi 600 projekte me vlerë mbi 40 milionë euro. Do të thotë, me një menaxhim dhe ekip të mirë, mund të sigurohen fonde dhe të bëhen edhe investime kapitale. Megjithatë, vazhdimisht jam angazhuar për rritjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar – TVSH-së. Kjo punë është në shqyrtim e sipër dhe besoj të kemi progres. Po ashtu, kam insistuar që tatimi personal të ndahet edhe në komuna sipas shembullit të komunave të vendeve të BE-së. Është fakt që sa më tepër të kemi decentralizim fiskal, aq më tepër fuqizohet Pushteti Lokal. Po ashtu, kemi bërë sugjerime sa i përket transportit të nxënësve nëpër shkolla. Patjetër të bëhen ndryshime në metodologjinë e shpërndarjes së bllok – dotacioneve. Marrëdhëniet ndërmjet organeve të njësive të qeverisjes vendore dhe marrëdhëniet e tyre me organet e pushtetit qendror bazohen në parimin e subsidiaritetit dhe të bashkëpunimit për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.

KOHA: Z.Bejta, meqenëse jeni banor i Gostivarit, mund ta jepni një vlerësim real për punët e mira dhe ato që nuk pajtoheni me pasardhësin e juaj, z.Arben Taravari?

BEJTA: Si qytetar i Gostivarit, e them atë që e dëgjoj nga qytetarët e Gostivarit. Ai në vend që të bëjë punë për atë që e ka marrë mandatin si kryetar komune, merret me punët që kam bërë unë në katër vitet e kaluara. Ky njeri, në 100 ditët e para të qeverisjes, vetëm vajton dhe nuk punon. Tenton të mashtrojë qytetarët e Gostivarit dhe paaftësinë e tij për të qeverisur, mundohet ta mbulojë me shpifje dhe veprime hakmarrëse. Administratorë profesionistë që me dekada të tëra u shërbyen qytetarëve të Gostivarit, i ka internuar në një zyrë në Ndërmarrjen Publike “Komunalec”, ku nuk ka as kushte elementare për punë. Në vend që të punojë, ai merret me politikë ditore dhe ka stërngarkuar administratën e Komunës dhe institucionet e tjera në varësi të Pushtetit Lokal me militantë partiak, dhe në kundërshtim me të gjitha normat ligjore. Ka shkarkuar drejtorët e shkollave në kundërshtim me Ligjin. Për këtë veprim joligjor, ka një vendim të Inspektoratit të Arsimit dhe nuk e zbaton. Largoi nga puna në arsim mësimdhënës me 4 vite përvojë pune dhe punësoi kuadro ende të padiplomuar dhe jo kompetent. Imagjinoni, në shkollën e mjekësisë ka angazhuar biolog për të ligjëruar lëndën e gjinekologjisë. Në shkollën ekonomike ka pranuar mësimdhënës të Informatikës që ende nuk ka diplomuar. Ky njeri nuk është gati të pranojë demokracinë. Edhe pse shumica e këshilltarëve e zgjodhi Dr.Nasir Musliun për kryesues të Këshillit Komunal, u bënë tre muaj dhe ende nuk i ka caktuar zyrë për të kryer aktivitetet e tij. Me keqardhje them që me sjelljet e tij, Gostivari shkon në humnerë, dhe për pasojë – qyteti dhe qytetarët e Gostivarit përballen me një të ardhme jo të mirë.

KOHA: Tani që po “pushoni” nga politika ditore, mund të thoni se cila është ajo gjë të cilën e bëni me qejf?

BEJTA: Tani që nuk jam kryetar i Komunës së Gostivarit, më ngelët më tepër kohë për të qenë sa më afër qytetarëve. Ajo që më gëzon më së shumti është respekti që tregojnë qytetarët e Gostivarit ndaj meje. Me respektin që shfaqin ndaj meje, ato tregojnë respekt për punët e mira që i realizuam bashkë për qytetin dhe qytetarët e Gostivarit. Kam më tepër kohë t’i përkushtohem familjes dhe miqve. Kjo është ndjesia më e mirë për mua.

 

KOHA: Sa është perceptim, aq është edhe e vërtetë se “pushteti, përveç fuqisë vendosëse, të jep dhe pasuri”! Sa dhe çfarë keni përfituar, ose çfarë humbët nga qeverisja si ministër dhe si kryetar komune?

BEJTA: Është e vërtetë që pushteti ka privilegje, por mbi të gjitha duhet të shërbejë për të qenë në krye të detyrës dhe t’u shërbesh atyre që të kanë falur besimin. Pushteti për mua ka qenë më tepër një përgjegjësi se sa një privilegj. Nëse e quajmë pushtetin një privilegj, tani jam më i gëzuar që nuk i kam ato përparësi. Ata privilegje, nëse mund të quhen ashtu, tani ia bëj vetvetes. Nuk e quaj humbje nëse tani nuk kam një shofer zyrtar apo një veturë zyrtare. Fuqia e pushtetit nuk duhet të perceptohet si fuqi për të kënaqur vetveten, por të vihet në shërbim për t’u ndihmuar njerëzve. Për mua, pasuria më e madhe është respekti dhe nderi që më vjen nga ana e qytetarëve. Nëse punët e mia shpërblehen me respekt dhe nder nga ana e tyre, kjo është pasuria më e madhe për mua. Jam i lumtur që këtë ndjesi e ndjej për çdo ditë nga ana e qytetarëve të Gostivarit dhe Maqedonisë. (koha.mk)