Të mos harrojmë edhe përdorimin racional dhe të mençur të resurseve të ndryshme të një shteti të vogël si Maqedonia e Veriut që nuk ka dalje në det, dhe akoma nuk ka ndërtuar deri në fund rrjetin rrugor dhe hekurudhor në korridorin tetë apo nga Shqipëria përmes Maqedonisë deri në Bullgari, ndërsa kishte vonesa të mëdha edhe në ndërtimin e autostradave në korridorin dhjetë si dhe ka probleme në rentabilitetin e përdorimit të hekurudhës si mjet transportues
Nga Fisnik PASHOLLI
Vite me radhë dëgjojmë se nuk ka interesim të madh për të mësuar zanatet, apo për të vijuar shkollat e mesme profesionale. Bile qytetarëve në vend shpesh Më shumë ju shpaguhet që të ikin për pesë apo gjashtë muaj për punë sezonale në perëndim dhe të fitojnë 5000 deri 6000 euro në vend se të angazhohen për 12 muaj në vendlindje për një pagë që nuk kënaq nevojat e tyre.
Ekspertët thonë se mungesa e punëtorëve të profileve të ndryshme që dikur, para viteve 90-të në më shumë fabrika të tekstilit fitonin bile edhe me mijëra marka të atëhershme gjermane në kompanitë e suksesshme të orientuara në eksport, paraqet një problem shumëdimensional. Humbja e tregjeve të dikurshme, falimentimi i gjiganteve të dikurshme industriale dhe mos zëvendësimi tyre edhe pas 30 vitesh apo mungesa e reindustrializimit të shtetit me vende mirë të paguara të punës, bën që punëtorët shpesh të orientohen për punë të përhershme apo të përkohshme jashtë shtetit. Zgjidhja nuk është e lehtë dhe kërkon kohë. Megjithatë hendeku i madh midis nevojës dhe kërkesave të tregut të punës, nuk mund të plotësohet vetëm nga radhët e shkollave të mesme profesionale, por edhe me rikualifikimin e të papunëve.
Nevojitet edhe fuqizimi i shërbimeve të ndryshme që mundësojnë një punë jo vetëm sezonale edhe të nxënësve të shkollave të mesme, por edhe studentëve me një punë të paguar me një dinjitet dhe jo nën dinjitet. Kështu do të krijohet jo vetëm shprehi pune , por edhe ndërlidhje më e madhe midis punëdhënësve dhe punëkërkuesve në të ardhmen.
Problem më vete mbetet edhe çështja e regjistrimit së pari të gjysmë maturantëve nëpër shkolla të mesme ku shtetet e suksesshme perëndimore që nga mosha 10-14 vjeç i orientojnë nxënësit se ku mund të regjistrohen, dhe në cilat shkolla, duke iu nënshtruar edhe provimeve të nevojshme pranuese. Apo edhe dukuria më se brengosësh, ku mbi 90 për qind e maturantëve regjistrohen nëpër fakultete pa provim pranues. Imperativ mbetet edhe rritja e pagës jo vetëm minimale, por edhe asaj të punëtorëve në fabrikat vendore. Me fjalë të tjera na nevojitet një sektor privat më konkurrues ku në shoqëri nuk do të jetë puna e shtetit një dëshirë e madhe dhe shpesh e vetme e të rinjve për tu punësuar, për shkak të pagës të sigurt dhe shpesh obligimeve jo edhe aq të mëdha. Na nevojitet edhe një administratë efikase ku për shembull një i punësuar në sportel që “çan dërrasat” me palë, apo një administrator që nuk çon kokën nga puna i mbuluar me qindra lëndë që në start duhet të paguhet sipas obligimeve të kryera apo të ketë pagë më madhe se dikush që ka obligime shumë më të vogla. Mbetet edhe çështja e analizës se sa administrata është efikase në punë e saj Natyrisht duke marrë parasysh edhe natyrën dhe specifikën e vendeve të ndryshme të punës , duke filluar nga organet komunale, gjyqësore, ekonomike.
Të mos harrojmë se edhe bizneset që pritet të rrisin pagat në për shembull 500 euro në mesatare ju nevojitet një ndihmë më e madhe në më shumë fusha .Profiti i bizneseve nuk mund të shkojë vetëm në rritjen e pagave, për shkak se kompanitë kanë edhe harxhime të ndryshme që nuk shihen në shikim të parë siç janë amortizimi i mjeteve të punës, borxhet ndaj shtetit, investimet në pajisje. Për modernizimin e prodhimit ato duhet më fuqishëm të mbështeten nga shteti me kredi afatgjate 15 vjeçare, me grejs periudhë apo pritje për fillimin e kthimit të kredisë prej disa vite. Të mos harrojmë edhe përdorimin racional dhe të mençur të resurseve të ndryshme të një shteti të vogël si Maqedonia e Veriut që nuk ka dalje në det, dhe akoma nuk ka ndërtuar deri në fund rrjetin rrugor dhe hekurudhor në korridorin tetë apo nga Shqipëria përmes Maqedonisë deri në Bullgari, ndërsa kishte vonesa të mëdha edhe në ndërtimin e autostradave në korridorin dhjetë si dhe ka probleme në rentabilitetin e përdorimit të hekurudhës si mjet transportues.
Vizioni i radhës, apo ku e shohim shtetin dhe shoqërinë pas 20-30 vitesh. për zhvillimin e ekonomisë duhet të tregojë, se çka ia vlen të prodhojmë dhe mbështesim për dhjetë degë të rëndësishme ekonomike, duke marrë parasysh edhe planet investuese të shteteve dhe korporatave të mëdha për këtë rajon, për shkak se ne nuk jemi një ishull i izoluar nga bota. Çka kemi mundësi të eksportojmë me vlerë të shtuar , si dhe të realizojmë një specializim në fusha prioritare etj. Në këtë drejtim do të ndihmojë edhe strategjia për specializim të mençur apo agjendën për transformim ekonomik që do të orientojë investimet ndaj prioriteteve kryesore kombëtare rajonal dhe nevojës së zhvillimit të rajoneve të bazuar në dituri, mbështetjen e zhvillimit në përparësitë krahasimtare dhe potencialin e shtetit, përkrahjen më të madhe për inovacionet me qëllim të investimeve të sektorit privat.
Kjo ndër të tjerash do të ndihmojë edhe të tejkalohet miti i një fuqie të lirë punëtore në mitin për një fuqi punëtore mirë të trajnuar dhe mirë të paguar. (koha.mk)