Qytetarët e Maqedonisë posedojnë vetëm një të tretën e mirëqenies evuropiane. Standardi jetësor i banorëve të Maqedonisë është sa 39 për qind e një qytetari mesatar europian
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 5 tetor – Qytetarët në Maqedoni konsumojnë bukë dy herë më të lirë se mesatarja evropiane dhe tre herë më të lirë se mesatarja në Zvicër, si shtet me çmimet më të larta në kontinentin e vjetër, shkruan gazeta KOHA.
Të dhënat e Entit të Statistikës së Maqedonisë tregojnë se niveli i çmimeve të frutave e perimeve në Zvicër është 3.6 herë më i lartë se në Maqedoni, ndërkohë që në vendin tonë çmimet e veshmbathjeve janë në nivelin 49 për qind të çmimeve të Islandës, që shquhet me çmimet më të larta në Evropë për vesh-mbathje. Edhe cigaret në tregun tonë janë në nivelin prej 26 për qind të mesatares evropiane, apo janë tetë herë më të lira se në Norvegji.
Ekonomistët thonë se përkundër çmimeve kaq të ulëta të më shumë artikujve në Maqedoni, megjithatë duke marrë parasysh harxhimet reale të jetesës në vend si dhe pagat e ulëta prej 250 deri 300 euro, renditemi ndër shtetet me fuqi shumë të ulët blerëse.
Me fjalë të tjera, qytetarët e Maqedonisë nga njëra anë së paku sipas statistikës, kanë harxhimet më të vogla, ndërsa nga ana tjetër gëzojnë një nga standardet më të ulëta të jetesës në Evropë që e dëshmon edhe ikja jashtë e qindra mijë qytetarëve jashtë shtetit.
Të dhënat statistikore tregojnë se qytetarët e Maqedonisë posedojnë vetëm një të tretën e mirëqenies evropiane, apo kanë standard që është për dy të tretat më i ulët në raport me një banor mesatar të BE-së. Ekonomistët thonë se në parim, kur flasim për standardin e qytetarëve në tërë botën, çdo herë merret parasysh një metodë e thjeshtë që tregon se sa për një pagë mesatare mund të blihen prodhime të ndryshme në një shtet, raporton KOHA.
“Gjatë krahasimit të standardit jetësor midis shteteve të ndryshme si tregues shfrytëzohet Prodhimi i Brendshëm Bruto për kokë banori i përshtatur me paritetin e fuqisë blerëse. Kjo nënkupton se të gjitha të ardhurat e një qytetari mesatar i përshtaten nivelit të çmimeve në një shtet, me qëllim që të krahasohet se sa të mira materiale apo edhe shërbime të ndryshme mund të blejnë në të vërtetë qytetarët me pagën e tyre. Një matës i tillë për Prodhimin e Brendshëm Bruto tregon se standardi jetësor i banorëve të Maqedonisë është sa 39 për qind e një qytetari mesatar evropian”, thotë ekspertja Nikica Blazhevski.
Në ndërkohë, ngecja e madhe ekonomike të rajonit në raport me Bashkimin Evropian e tregojnë edhe analizat e tjera siç janë ato të institutit hulumtues gjerman GFK që mat konsumin dhe kursimin për kokë banori në shtete të ndryshme .
Indeksi i GFK-së, për vitin 2018, që merret me matjen e fuqisë blerëse të shteteve, e ka renditur Shqipërinë me 2793 euro dhe Maqedoninë me 3100 euro, ndër më të varfrat në Evropë. Përjashtim bën vetëm Mali i Zi me 5131 euro. Banorët e Serbisë kanë në disponim 3383 euro, ndërsa ata të Bosnje e Hercegovinës kanë në disponim 3289 euro.
Nga shtetet e tjera të rajonit, banorët e Kroacisë kanë në disponim 6969 euro, ndërsa ata të Sllovenisë kanë në disponim 10.750 euro. Sipas studimit të institutit gjerman për fuqinë blerëse në vitin 2017, evropianët kanë pasur në dispozicion mesatarisht 13.937 euro për person për shpenzime dhe kursim. Kështu Islanda, Zvicra dhe Lihtenshtajni kanë fuqi më të lartë blerëse, ndërsa bashkë me Maqedoninë, në grupin e shteteve me fuqinë më të ulët blerëse janë edhe Shqipëria, Bullgaria Bosnje Hercegovina , Serbia por edhe Bjellorusia Moldavia dhe Ukraina. (koha.mk)