Fisnik PASHOLLI
Shkup, 23 dhjetor – Politikanët dhe menaxherët në Maqedoni fitojnë dyfishin e pagave në raport me punëtorët e tjerë. Funksionarët shtetëror, anëtarët e trupave ligjvënëse dhe ekzekutive, nëpunësit shtetëror në poste udhëheqëse, diplomatët dhe drejtorët, mesatarisht fitojnë dyfish më shumë se mesatarja e shtetit, shkruan gazeta KOHA. Sipas analizave të Entit të Statistikës, një punëtor në vitin 2014 në mesatare ka fituar bruto, gjegjësisht paga në dorë së bashku me kontributet e paguara shumën prej 6.467 euro, ose rreth 540 euro në muaj. Nga ana tjetër, grupi i qytetarëve me paga më të mëdha ka pranuar në mesatare 13.000 euro në vjet gjithashtu bruto, gjegjësisht kanë 5.5 euro për një orë pune, që është dyfish më shumë se mesatarja në nivel të shtetit. Sipas hulumtimit të Entit të Statistikës për strukturën e të ardhurave e të punësuarve në vitin 2014, qytetarët e Maqedonisë në mesatare kanë fituar 174 denarë në orë. Meshkujt në mesatare fitojnë për një orë pune bruto nga 181 denarë, ndërsa gratë fitojnë 166 denarë. Në vitin 2014, një i punësuar në mesatare ka fituar bruto në nivel vjetor shumën prej 397.739 denarë apo 6.468 euro. Meshkujt kanë fituar 6830 euro, ndërsa gratë kanë fituar 6.012 euro. Hulumtimi mundëson që të shikohen lidhjet midis pagave të paguara për të punësuarit, dallimet e tyre individuale si gjinia, mosha, niveli i shkollimit, kohëzgjatja e punësimit etj, si dhe karakteristikat e subjektit afarist ku janë të punësuar punëtorët si madhësia e tij apo rajoni ku zhvillon aktivitetin ekonomik. Tek funksionarët, bruto fitimi me 342 denarë për orë pune është dyfish më i madhe se mesatarja e Maqedonisë. Në grupin e punëtorëve më të privilegjuar me paga të larta vjetore bruto në nivel të shtetit me 915.637 denarë, përcjellë KOHA, janë drejtorët e ndërmarrjeve prodhuese dhe institucioneve për shërbime të specializuara. Të dytët, me 814.808 denarë janë drejtorët administrativ dhe komercial, kurse të tretët me 703.451 denarë janë drejtorët e kompanive të tregtisë, hotelerisë dhe shërbimeve të tjera. Nga ana tjetër, nëpunësit për shërbime të përgjithshme të zyrave kanë paga mesatare prej 389 mijë denarë, ndërsa nëpunësit e veprimtarive shërbyese prej 314 mijë denarë. Më pak të paguar janë punëtorët e përgjithshëm të profesioneve elementare, ku bëjnë pjesë pastruesit dhe ndihmësit, punëtorët e përgjithshëm në bujqësi, si dhe punëtorët e përgjithshëm në xehetari, ndërtimtari, prodhim, transport, ndihmësit në përgatitjen e ushqimit, grumbulluesit e mbeturinave. Tek ky grup i punëtorëve bruto fitimi vjetor është 239.745 denarë, gjegjësisht bruto fitimi për orë është 108 denarë apo 1.75 euro. Paga më të ulëta kanë ndërtimtarët me 260 mijë denarë, shitësit me 230 mijë denarë në vjet bruto, punëtorët në bujqësi me 226 mijë denarë, përpunimin e ushqimit dhe të tekstilit me 216 mijë denarë, pastrueset me 212 mijë denarë dhe ndihmësit në përgatitjen e ushqimit me 195 mijë denarë. Të dhënat statistikore tregojnë se më të paguar janë punëtorët me arsim të lartë. Punëtorët me arsim të pambaruar fitojnë 255 mijë denarë bruto pagë në vit, me arsim fillor fitojnë 273 mijë denarë, me arsim të mesëm fitojnë 321 mijë denarë dhe me arsim të lartë fitojnë 573 mijë denarë në vit. Sipas veprimtarive ekonomike, me paga bruto vjetore prej 737 mijë denarëve kryesojnë ato financiare dhe të sigurimit, ndërsa më pak me 237 mijë denarë fitojnë të punësuarit në sektorin e hoteleve dhe restoranteve. Sipas analizës së Entit të statistikës, fitimi më i madh është tek të punësuarit që kanë mbi 250 të punësuar me 204 denarë për një orë pune, ose 457 617 denarë në nivel vjetor. Firmat me 50 deri 249 të punësuar paguajnë paga bruto vjetore prej 387 060 denarë, gjegjësisht një orë pune e paguajnë 162 denarë. Më pak paguhen firmat që kanë qarkullim dhe fitim më të vogël që kanë të punësuar prej 10 deri 49 punëtorë. Ato i paguajnë punëtorët nga 146 denarë për orë, ndërsa në nivel vjetor paguajnë pagë bruto prej 323 718 denarë. Sipas moshës, më së shumti fitojnë të punësuarit më të moshuar se 60 vjeç, me një mesatare prej 469.062 denarë, përderisa bruto fitimi i tyre është për një orë pune është 296 denarë. Më pak paguhen punëtorët e moshës 15-19 vjeç me 100 denarë për orë, apo pagë bruto vjetore prej 178 734 denarë. Është interesante të theksohet se punëtorët me përvojë pune prej 25-29 vjeç fitojnë 477.459 denarë bruto në vit, ndërsa më pak fitojnë me afër 284 mijë denarë të punësuarit me përvojë pune deri në një vit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.