Fitorja spektakolare ndaj Borussia Dortmund riktheu Bayernin në vend të parë në renditjen e Bundesligës dhe duhet të kishte qetësuar ujërat, në një farë mënyre, por nuk ka ndodhur kjo gjë. Motivi lidhet me tensionet brenda skuadrës. Sipas mediave gjermane dhe jo vetëm atyre, pozita e trajnerit kroat Kovac nuk është aspak e sigurt dhe e blinduar, duke qenë se edhe drejtuesit nuk kanë thënë ende asnjë fjalë në favor të tij për të mbyllur kapitullin.
Por, si është e mundur? Sherri dhe grushtet e stërvitjes së të enjtes, mes Lewandowskit dhe Comanit janë vetëm maja e ajsbergut, duke qenë se poshtë fshihen gjëra të tjera: pikësëpari, një yll i skuadrës do “kokën” e trajnerit kroat.
Motivi? I njëjtë me kohën e Ancelottit, që u largua pikërisht për këtë arsye, pasi disa lojtarë i ishin kthyer kundër.
Tashmë, sipas ESPN, ylli në fjalë, ka pushtet edhe në klub dhe po bën përçarje. Stërvitjet e Kovacit nuk i pëlqejnë aspak dhe janë si të Ancelottit. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë në fund, por fakti është se Kovac po shkon drejt divorcit, ashtu si me italianin vite më parë.