“Në gjithsej 13 sektorët, tetë i kushtohen historisë së organizatës VMRO duke e vënë muzeun në shërbim të një ideologjie dhe mitizimin e saj. Ne kemi sugjeruar që të hiqet skenografia, të reduktohet figurat në dyllë që janë 150 të tilla, pasi nuk është teatër, por muze, i cili duhet të tregojë historinë e suksesit të një populli të vogël që lufton për pavarësinë e vet”, ka thënë historiani Aleksandar Litovski, anëtar i Grupit të punës
Evis HALILI
Shkup, 10 korrik – Epokës së figurave prej dylli dhe silikoni në muzetë nacionale po i afrohet fundi. Me Strategjinë katërvjeçare për zhvillimin e kulturës parashikohet ngritja e grupeve të punës që do të merren me këtë çështje dhe spastrimin e koleksioneve të muzeve nga pjesët e panevojshme, si butaforitë, figurat në dyll, silikon, pikturat ilustrative, e të tjera, shkruan gazeta KOHA.
Pas Muzeut të VMRO-së, radhën e kanë të gjitha institucionet e tjera nacionale ku improvizimet e bëra gjatë viteve të fundit të fragmenteve historike do të zëvendësohen me materiale origjinale. Muzeu i Luftës Maqedonase për Shtetësi dhe Pavarësi (Muzeu i VMRO-së) dhe Muzeu i viktimave të regjimit komunist janë ndër objektet e para në të cilat grupi i punës i ngritur nga ish-ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski është duke shqyrtuar jo vetëm parregullsitë në themelimin e tyre dhe abuzimet financiare, por edhe pjesën e koleksioneve të tyre.
Donka Barçeva Trajkovska, anëtare e këtij grupi pohon se figurat prej dylli dhe silikoni që viteve të fundit janë bërë pjesë e shumë muzeve përbëjnë një paradoks për institucionet serioze. Për shkak se figurat e tilla që vendosen me qëllim ilustrativ janë tipike të muzeve private, komerciale, por assesi atyre nacional.
“Muzeologjia është shkencë dhe si e tillë – koleksioni i një muzeu duhet të përbëhet nga dokumente origjinale, ose edhe në rastet kur kemi material të tillë ilustrues, ai nuk duhet të jetë dominant, apo në rastin më të keq – me efekte audiovizuale. Në një pjesë të muzeve tek ne historianët janë futur në pjesën ku mbaron shkenca dhe fillon improvizimi. Për shembull, kanë përcaktuar se një figurë duhet të jetë 1.80 metra i gjatë, të peshojë 90 kilogramë, të ketë sy kafe apo bojëqielli, të jetë i veshur me kostum, apo rroba fshati… Kjo është absurde”, ka thënë Barçeva Trajkovska gjatë prezantimit të Raportit për muzeun e luftës maqedonase VMRO dhe të viktimave të komunizmit.
Grupi i punës, përcjell KOHA, ka propozuar jo vetëm që të shkurtohet emri i muzeut, duke u thjeshtëzuar në “Muzeu i Luftës Maqedonase”, por edhe të vetë përmbajtjes, materialit dhe mënyrës së prezantimit të historisë. Për këtë projekt të Qeverisë që ka nisur në vitin 2006, Grupi i punës ka konstatuar një sërë abuzimesh, shkelje flagrante të Ligjit për veprimtarinë muzeale, për mbrojtjen e trashëgimisë, si dhe shkelje te principet dhe standardet bazë të muzeologjisë bashkëkohore.
“Në gjithsej 13 sektorët, tetë i kushtohen historisë së organizatës VMRO duke e vënë muzeun në shërbim të një ideologjie dhe mitizimin e saj. Ne kemi sugjeruar që të hiqet skenografia, të reduktohet figurat në dyllë që janë 150 të tilla, pasi nuk është teatër, por muze, i cili duhet të tregojë historinë e suksesit të një populli të vogël që lufton për pavarësinë e vet”, ka thënë historiani Aleksandar Litovski, anëtar i Grupit të punës.
Për realizimin e këtij projekti, pas 16 milionë denarë të ndara në vitin 2006 për fillimin e punimeve, deri në përfundim janë harxhuar gjithsej rreth 17 milionë euro. (koha.mk)