Zejnulla VESELI
Shkup, 8 gusht – Fondi për Sigurim Shëndetësor i Maqedonisë (FSSHM) sërish ka aktivizuar vendimet ndaj qytetarëve, të cilët para tre-katër vitesh, kishin dhënë deklaratë të rrejshme për të hyrat e tyre financiare ndërsa kishin shfrytëzuar sigurim falas shëndetësor, shkruan gazeta KOHA. Bëhet fjalë për mijëra qytetarë, të cilët në fletëparaqitjen për sigurimin shëndetësor, nuk i kishin lajmëruar saktë të hyrat vjetore, ndërsa një pjesë e madhe madje ishin paditur nga gjykatat e Maqedonisë, gjithnjë me iniciativë të FSSHM. Megjithatë, ishte një vendim i Qeverisë së kaluar që amnistoi këta qytetarëve, ndërsa siguroi sigurimin shëndetësor nga fillimi.
Dhjetëra qytetarë të Shkupit, Kumanovës, Tetovës dhe qyteteve tjera janë ankuar në gazetën KOHA se këtyre ditëve, në adresë të tyre u ka arritur ftesë nga FSSHM, ku kërkohet paraqitja në Njësitë rajonale të FSSHM për të “sqaruar” situatën e para amnistisë së dhënë nga Qeveria. “U habita kur shkova në FSSHM. Më thanë të shkojë në Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe të marrë vërtetimin e të hyrave që kam pasur në 2014. Jam bujk dhe, meqenëse kam pranuar edhe subvencione, u pata shënuar në grafën e sigurimit falas shëndetësor. Megjithatë, edhe pse kishte një vendim-amnistie nga Qeveria, këta të FSSHM-së kanë aktivizuar vendimet kundër nesh”, tha Agimi nga një fshat i Shkupit, ndërsa thotë se edhe administratorët e Njësive rajonale të FSSHM-së, habiten me “urdhrin” nga lart për këtë çështje. Drejtori i FSSHM-së, Orhan Ramadani, mohon që institucioni në fjalë të ketë dërguar thirrje në adresë të qytetarëve që në 2012 dhe më pas, kanë gënjyer rreth të hyrave të tyre dhe me këtë, kanë dëmtuar FSSHM-në.
“Sigurish bëhet fjalë për keqkuptime. Këta qytetarë mund të kenë marrë thirrje nga gjykatat me të vetmin qëllim që të paguajnë harxhimet gjyqësore, për të cilët janë shqiptuar masa e burgimit. Asnjë vendim nuk është miratuar që qytetarët të kthejnë paratë në fond, por se vendimet janë me burg prej 3 muajve, si dhe burgim me kusht prej 1 viti. Prandaj nuk mund të jenë thirrjet nga Fondi, por nga gjykatat”, thotë për KOHA, Ramadani. Ai përsërit se në fuqi është vendimi për amnisti totale i sjellë nga Qeveria e kaluar. “Që nga viti 2012 ende është në fuqi Ligji për amnisti totale për të gjithë qytetarët, për të cilët fondi kishte ngritur kallëzime penale. Të gjitha këto ankesa të qytetarëve se sërish Fondi ka aktivizuar vendimet janë të pavërteta dhe një gjë e tillë s’ka për të ndodhur deri sa ekziston Ligj për amnisti”, thotë Ramadani. Mirëpo, ai nuk përjashton mundësinë që në vitin 2012 – disa gjykata vetëm se kishin shqiptuar dënimet për një numër të konsiderueshëm të qytetarëve.
Por, ndryshe nga drejtori Ramadani, punonjës të Njësive rajonale të FSSHM-së thonë se nga Drejtoria kryesore e Shkupit tashmë janë përpunuar të dhënat me emrat e secilit që dikur u ishte dërguar vendimi për ndërprerje të sigurimit shëndetësor pas konstatimit se kanë dhënë të dhëna jo të sakta lidhur me të hyrat financiare të tyre. Njëjtë sikurse të punësuarit, edhe qytetarët që kanë pranuar ftesat thonë se thirrja u është bërë nga Fondi dhe jo nga gjykatat. “Ne kemi mbi 5000 lëndë për të siguruarit që mbulojmë dhe u kemi dërguar ftesë për në FSSHM. Ftesat madje firmosen nga katër zyrtarë të FSSHM-së, ndërsa të njëjtave u kërkohet vërtetimi nga Drejtoria e të Ardhurave Publike për të hyrat në vitin për kur është akuzuar se ka gënjyer pala. Pas të rikonstatojmë edhe njëherë të hyrat, pastaj është proces që vazhdon mëtutje në gjykatë”, thonë të punësuarit e FSSHM-së. Edhe Fadili nga Tetova thotë se në adresë të tij i ka ardhur ftesë për në FSSHM. “Mendoja se kjo punë kishte mbaruar. Pasi më patën ndërprerë sigurimin shëndetësor dhe pas amnistisë, u pata riregjistru nga fillimi, por tani më habiti kjo thirrje”, ankohet ai. Ndryshe, pesë vite më parë, FSSHM përmes gjykatave themelore në Maqedoni kërkonte që personat që kishin shënuar të dhëna jo të sakta të dënohen për shkak se gjatë vitit kalendarik 2011-2012, kishin bërë keqpërdorime duke përdorur dokumente më përmbajtje jo të vërteta për të hyrat e tyre vjetore dhe më këtë – kanë siguruar sigurim shëndetësor falas në kurriz të Fondit. Atë kohë, gjykatat kishin sjellë rreth 15 mijë dënime – disa me burg e disa me kusht, por që pa amnistisë qeveritare, të gjithë u lanë të lirë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.