Forca e Sigurisë së Kosovës është në kërkim të plotësimit të vendeve të lëna bosh nga pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët dy-tre muajt e fundit kishin braktisur radhët e saj. Rreth 100 pjesëtarë të FSK-së nga komuniteti serb, e kishin braktisur këtë forcë pas, siç kishin deklaruar disa prej tyre, presioneve që ishin ushtruar ndaj tyre nga autoritetet serbe në Beograd.
Megjithatë, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, thotë se ka interesim te të rinjtë serbë për të qenë pjesë e ushtrisë së Kosovës. Sipas tij, për procesin e tanishëm të transformimit të FSK-së kjo çështje nuk është problem.
“Realisht, interesimi është shumë i madh për plotësimin e vendeve të punës, dhe ne si FSK, dhe unë si ministër dhe stafi im, jemi shumë të përkushtuar që sa më parë t’i plotësojmë këto vende dhe sa më parë të hapim konkursin për plotësimin e vendeve të punës nga komuniteti joshumicë, realisht nga komuniteti serb. Më vjen keq që ata kanë marrë një vendim të tillë pa dashjen dhe dëshirën e tyre, por me ndikime nga jashtë. Mendoj se me vendimin për tranzicion të FSK-së, serbët nuk do të kenë më presion për ta lëshuar Forcën e Sigurisë së Kosovës”, thotë Berisha.
Ai potencon, po ashtu, se aktualisht në Kuvendin e Kosovës pritet të shqyrtohen dhe miratohen tri projektligje që kanë të bëjnë me transformimin e FSK-së. Bëhet fjalë për Ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për transferimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë në Ministri të Mbrojtjes. Qëndrimi politik i Beogradit zyrtar është se nuk e mbështetë krijimin e ushtrisë së Kosovës. Në këtë vijë, është edhe pozicioni i Listës Serbe, e cila përfaqësohet me 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Disa nga ish-pjesëtarët e FSK-së nga radhët komuniteti serb, i patën thënë Radios Evropa e Lirë se bëhet fjalë për një vendim kolektiv të pjesëtarëve serbë të FSK-së nga kjo anë që ta braktisin këtë forcë, andaj, sipas tij, edhe ai nuk ka mundur të vendosë ndryshe. “Të gjithë e braktisën, m’u desh edhe mua që ta bëj këtë. Në kufi, nuk na lejojnë që të kalojmë në Serbi, kështu që u desh ta bëjmë këtë”, pati thënë në kushte anonimiteti, njëri nga pjesëtarët serb që kishte vendosur ta braktisë FSK-në.