Fshesë që do fshijë ca të rastësishëm, siç ndodh rëndom që fshin ata titullarë që mbase janë hallka më e dobët, për shkak të mospasjes të lidhjeve të forta në parti, apo një pastrim total mbi bazën e rezultateve të (mos)arritura.“Fshesa” duhet të fillojë të fshijë dhe të bëjë pastrim fillimisht nga vetja, për një pastrim të thellë, të brendshëm e të jashtëm dhe fshesa duhet të jetë elektrike, e fuqishme që të thithë rëndë!
Nga Nazim RASHIDI
Nëpër Shkup, të paktën unë pashë një, por po shoh nëpër rrjete sociale që ka pasur edhe më shumë, fshesa të arta, që janë vënë para institucioneve apo edhe në hapësira publike. Ka hyrë më në diskursin publik ky term që nënkupton pastrim të qeverisë, por siç komentohet edhe nga disa opozitarë, edhe pastrimin e krejt qeverisë dhe ardhjen e tjetrës.
Por përtej retorikës kundërshtuese politike, derogative ose jo, simbolike ose jo, fshesa e artë ose jo, do të duhet të bëjë ca pastrime. Çështja është nëse do përdoret si furçë, për të vënë ca grim, apo realisht do ketë një ndryshim thelbësor që nuk do të nënkuptojë ndryshimin e veç të disa emrave. Mosbesimi është i madh.
“Fshesa” ishte gjetja për të motivuar votuesit për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe tani vjen heshtja. Duket se këto ditë bishti i fshesës po bën më shumë “punë” duke penguar kryeministrin për të filluar pastrimin. Por sërish, mbetet çështje thelbësore, nëse “pastrimi” do jetë real. A duhet gjithçka të mbesë të ndryshimi i disa ministrave?
Për shembull, qeveria ka një Zëvendës Kryeministër që nuk shkon në punë, dhe askush nuk e vë re mungesën e tij. Pra, këto ndryshime të tilla do jenë? Ku një emër do zëvendësojë një tjetër dhe gjithçka pastaj do ju lihet mjeshtërve të marrëdhënieve me publikun të shesin punën e pa bërë, apo do ketë, ja edhe një herë pyetja, ndryshim real? Çelësi përherë ka qenë tek llogaridhënia. Publikimi i planit, agjendës se çdo të bëjë çdo titullar dhe pastaj publiku të ndjekë dinamikën e realizimit. Asgjë nga këto nuk ndodh.
Aq më tepër, kur postet ndahen me degë e deguce, e jo me meritë dhe me plan paraprak ku ata që do ta dinë ku do shkojnë, do dinë edhe të bëjnë një projektim për prioritete. Në mos gjë tjetër, për veten e vet, që kur të ikin nga posti të thonë kam bërë, ose i kam lënë shoqërisë këto dy gjëra. Dhe sinqerisht, këta titullarët tanë, a ia bëjnë këtë pyetje vetes: Çfarë kam bërë dhe për çfarë do mbahem mend?
S’e besoj. Sepse, “fshesa” duhet të vijë fillimisht me mendësinë. E aty ndryshku i mbledhur i mendësisë të vjetër nuk pastrohet lehtë me fshesë dore. Ja po lexoj dhe po shoh se si shumë vetë në rrjetet sociale kanë përhapur lajmin për presidentin e ri të Ukrainës Vladimir Zelensky i cili ka kërkuar që në institucione mos të vihet fotografia e tij. “Unë vërtet nuk dua që fotografitë e mia të jenë në zyrat tuaja. Ju lutem, mos e vendosni portretin tim, sepse presidenti nuk është një ikonë, nuk është idhull. Presidenti nuk është portret”,ka thënë Zelensky dhe ka shtuar, “vendosni fotografitë e fëmijëve tuaj në zyrat tuaja dhe shikoni në sytë e tyre përpara se të merrni ndonjë vendim”.
Po të jem i sinqertë, duke e kuptuar plotësisht qëllimin e presidentit ukrainas, për të ngritur përgjegjshmërinë, sërish referimi tek fëmijët më tremb pak. Sepse, pyetja se “çka kanë bërë titullarët?” do përfundojë në përgjigjen “i kanë siguruar fëmijët dhe nipërit”, që dëgjohet shpesh. Gjatë javës pati gjithë ato reagime dhe shkrime për familjarë e fëmijë të pushtetarëve se si janë “siguruar” në poste e punësime të majme. E tani për çfarë “fshese” do flasim? Fshesë që do fshijë ca të rastësishëm, siç ndodh rëndom që fshin ata titullarë që mbase janë hallka më e dobët, për shkak të mospasjes të lidhjeve të forta në parti, apo një pastrim total mbi bazën e rezultateve të (mos)arritura.
Nuk besoj se nuk ka njeri që nuk e di se qeverisja është çështje numrash dhe si rrjedhojë kontekstet marrin vlerë sepse pa “gurët” në dorë nuk bëhet sot asnjë gjë. Por meqë “fshesa” hyri në vokabularin politik, atëherë fillimisht ajo që duhet të bëhet është vendosja e vlerësimit të realizimit të premtimeve apo dhe detyrimeve që ka marrë çdo titullar. Nëse ka një si sistem të tillë, kam përshtypjen se politika do të fillojë të vetëpastrohet, sepse edha ata që do duhan të ngelen në një post, kur do jetë e qartë se nuk realizojnë dot asnjë gjë, do ikin vetë. Por edhe kjo puna e dështimit, duhet parë mbase me një normalitet. Në ç’kuptim? Dështimet në poste publike duhet të merren si rrjedhë normale e jetës, që nëse dikush nuk arrin të bëjë atë që ka premtuar, atëherë të mbajë përgjegjësi. E di. Është shumë më e lehtë ta thuash. Por, a s’kemi dështuar të gjithë në jetë? Dhe, a s’jemi ngritur sërish prapë? Sa do që kjo të tingëllojë si leksion nga ato librat e lirë me motivime, qasja ndaj posteve duhet të merret me normalitet, pooooor, poooooor, me një dallim të madh: Ata që marrin poste duhet të jenë profesionistë, të përgjegjshëm dhe të kenë të implantuar sensin e përgjegjshmërisë. Të frymojnë me elementin e përgjegjshmërisë, jo thjesht për vete, por për shoqërinë, për një të mirë më të madhe dhe jo thjesht familjare, por dhe shoqërore.
Dhe kjo merr shumë rëndësi. Sepse titullarët janë për të gjithë në ato poste, jo vetëm për vete. Dhe shembulli i fundit në këtë kontekst vjen nga një fshat, në të cilin po ndërrohet emri shkollës, nga “Jeronim De Rada” në emrin e një mësuesit lokal (me gjithë respektin për mësuesin), por e cila gjë bëhet sepse disa pushtetarë munden dhe duan të nderojnë familjarin e tyre. Nuk e di nëse ky lajm është plotësisht i vërtetë, por është një shembull i mirë ku e mira e përgjithshme, ku vlerat e përbashkëta hidhen poshtë aq lehtë për interesa të vogla personale.
Ja për shembull këta titullarë, udhëheqës postesh lokale, partiake, ministra nëse e kanë ndërruar emrin e shkollës, çfarë do përgjigjen në pyetjen: Për çfarë do mbahemi mend?
Po ua le juve të imagjinoni fjalët. Prandaj ajo “fshesa” duhet të fillojë të fshijë dhe të bëjë pastrim fillimisht nga vetja, për një pastrim të thellë, të brendshëm e të jashtëm dhe fshesa duhet të jetë elektrike, e fuqishme që të thithë rëndë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)