Vjollca SADIKU
Dibër, 10 maj – Vendbanimet rurale në Komunën e Dibrës, por edhe të rajonit ma të gjerë, pas Luftës së Dytë Botërore kanë pësuar një migrim të paparë. Sidomos, braktisja e fshatrave kufitare ka qenë masive dhe vetëm për disa vite ato u zbrazën tërësisht. Fshatrat në bregun kufitar me Shqipërinë nga viti në vit po braktiseshin, sidomos për shkaqe të torturës që e ushtronte sistemi komunist jugosllav, që kishte ndaj popullatës shqiptare në fshatrat Spas, Konjarë, Bomovë, Sollokiq, Shullan, Miresh e tjerë, shkruan gazeta KOHA. Sot, pas shumë viteve, pjesa dërmuese e fshatrave kufitare nuk kanë banorë, kurse shtëpitë në numrin më të madh janë rrënuar apo janë në fazë të rrënimit. Popullata e kësaj ane ka migruan në Dibër, por edhe në vendet europiane dhe SHBA. Nga ana tjetër, edhe disa fshatra në të cilët ka jetuar popullata maqedonase, ka pasur migrim, sidomos në kryeqytetin e vendit, Shkup dhe qytete të tjera. Ashtu ka ndodhur me fshatrat e Dibrës, por edhe të rajonit më të gjerë, siç janë Elevcë, Rosok, Gajre, Tresonçe etj.
Sot, pas shumë viteve, vërehet një dukuri e disbalancës kur bëhet fjalë për rindërtimin e fshatrave. Qëndron fakti se deri sa fshatrat e maqedonasve ndërtohen, ato të shqiptarëve rrënohen. Fshatrat kufitare të Dibrës, ku kanë jetuar shqiptarët, kanë shtëpi të rrënuara dhe vetëm një numër modest bën tentativa për të sanuar shtëpitë e tyre fshatare. Ish familjet e këtyre fshatrave, të cilët sot jetojnë në qytetin e Dibrës, edhe pse kanë tokat e tyre pjellore, nuk janë në gjendje të sanojnë shtëpitë e tyre apo të prindërve të tyre, për shkak të problemeve materiale. Fshatrat kufitare sot kanë shtëpi të rrënuara, përveç disa sanimeve që janë bërë në fshatin Spas. Ato vizitohen vetëm gjatë sezoneve kur zhvillohen aktivitetet bujqësore. Edhe pse janë ndërtuar edhe disa rrugë, përsëri fuqia e dobët materiale, le në një situatë inferiore pronarët e shtëpive, të cilën nuk kanë mjete të fuqishme për të ndërtuar, edhe pse bëhet fjalë për fshatra teje të bukura, me plot burime dhe vegjetacion.
Por, kjo situatë nuk është e tillë në fshatrat maqedonase. Sipas të dhënave në terren, në fshatra investohet shumë. Pronarët e shtëpive jo vetëm që kanë sanuar shtëpitë e vjetra, por në shumë raste ato kanë bërë edhe ndërtime të reja. Sot në fshatrat e rajonit më të gjerë, siç janë Rosoku, Tresonçe, Gajre, Lazaropole e tjerë, jo vetëm që ka rrugë të asfaltuara, por në këto vendbanime rurale ka edhe një infrastrukturë të mirë. Gjatë vizitës që ia bëmë fshatit Rosok, aty nga ku janë edhe burimet të ujësjellësit Rosok – Dibër, nga ku qyteti i Dibrës furnizohet me ujë, shtëpitë janë sanuar, ndërtuar, por janë edhe të rregulluar oborret. Pothuajse të rralla janë shtëpitë të cilët nuk kanë video kamera dhe pajisje të tjera për ruajtjen e pasurisë. Këto fshatra gjatë dimrit rrallë pasurohen nga pronarët e shtëpive, por pranvera dhe vera ringjall këto vendbanime rurale, në të cilat prona kanë edhe shumë persona, të cilët ushtrojnë pozita të larta në institucionet shtetërore. Pikërisht fuqia e tyre materiale ka ringjallur këto fshatra, të cilët në krahasim me ato të shqiptarëve, kanë dallime të mëdha. Gjatë verës, fshatrat janë përplot me ish banorë të cilët kanë kushte shumë të mira për jetesë dhe këtu pronarët masovikisht kalojnë pushimet. Nëpër fshatrat e Rekës të Vogël kalon edhe një rrugë e bukur që është në ndërtim, e cila duhet të lidhë Dibrën me Kërçovën. Disbalanci ekonomik i popullatës, sipas ish banorëve të fshatrave në fjalë, është shkaku kryesor . Ata që kanë ndërtojnë, kurse ata që nuk kanë, shohin para syve të tyre si po rrënohen shtëpitë që kanë ndërtuar prindërit e tyre. Problemi në fjalë shqetëson banorët e kësaj komune. Si problem është debatuar edhe në institucionet lokale.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara