Banorët i bëjnë thirrje mandatarëve shqiptarë të pushtetit lokal dhe atij qendror që sa më shpejtë të ndërhyjë që të ndërpritet kjo metodë jocivilizuese e EVN-së ndaj fshatit Sllupçan
Anëmsha SHABANI
Kumanovë, 6 korrik- Me ndërprerjen e energjisë elektrike nga kompania energjetike EVN, në mesin e javës banorët e fshatit Sllupçan të komunës së Likovës bllokuan rrugët me goma të djegura dhe bllokada të vendosura në rrugën kryesore që e lidh qytetin e Kumanovës me kufirin e Kosovës.
Sipas informacioneve të KOHA,” EVN Home” ka fikur rrymën dhe fshati ka mbetur në errësirë totale. Sot në mëngjes thonë se ky është një problem i vjetër.
Pas bllokadave nga banorët, EVN reagon se problemi qëndron te banorët, ku kompania informon se nga përpjekja e disa banorëve për të rikthyer vet furnizimin me energji elektrike është shkaktuar një defekt i madh që ka lënë pa rrymë edhe fshatra të tjerë. “Në orët e vona e së mërkurës, banorët nga Sllupçani në mënyrë të dhunshme dhe të paligjshme hapën një objekt të madh energjetik të Elektrodistribucionit në përpjekje për të rikthyer vetë furnizimin me energji elektrike në fshat. Pas një tentative të tillë për lidhje të paligjshme arbitrare, është shkaktuar një defekt i madh, i cili ka lënë pa energji elektrike edhe fshatrat fqinje. Manipulime të tilla nga joprofesionistë janë jashtëzakonisht të pasigurta dhe mund të kenë një fund shumë tragjik me pasoja fatale”, thuhet në njoftimin e EVN-së.
Nga EVN thonë se janë në komunikim të vazhdueshëm me MPB-në dhe nga aty marrin udhëzime dhe mbështetje, por derisa të mundësohen kushtet për punë të pandërprerë, nuk do të mund të riparohet defekti dhe të rindërtohet rrjeti.
Ndërkaq banorët nga ana tjetër reagojnë se ky veprim nga ana e kompanisë energjetike të EVN-së po rrezikon jetët e njerëzve të sëmurë, ku sipas tyre kjo metodë është jocivilizuese. “Me ndërprerjen e energjisë elektrike EVN po e zbaton metodën e dënimit kolektiv te popullata e Sllupçanit, me këtë po rrezikon jetët e njerëzve të sëmurë, po rrezikon shkatërrimin e pasurive dhe më e keqa është se me këtë po e nxitë ekzodusin e rinisë duke ua humbur shpresat për jetë normale në vend. I bëjmë thirrje mandatarëve shqiptarë të pushtetit lokal dhe atij qendror që sa më shpejtë të ndërhyjë që të ndërpritet kjo metodë jocivilizuese e EVN-së. Nëse vazhdon kështu edhe ditët në vazhdim, atëherë nënkuptohet se ne vërtetë po trajtohemi si popull i xhunglave e jo i Evropës. Ky veprim është në kundërshtim me të gjitha ligjet vendore dhe ato ndërkombëtare, thjeshtë është sulm në të drejtat themelore të njeriut të garantuara me Konventën e OKB- së”, deklaroi për KOHA, Fejzulla Arifi.
Gazeta KOHA lidhur me këtë rast kërkoi përgjigje edhe nga kryetari i komunës së Likovës Erkan Arifi, mirëpo deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kishte përgjigje.
Ndërkaq gjendja është po e njëjtë, fshati Sllupçan edhe sot vazhdon pa rrymë. Situata të ngjashme kanë ndodhur para disa muajve edhe në komunën e Haraçinës, ku banorët mbetën katër net pa rrymë totale, ku si pasoj u shkaktuan edhe dëme të mëdha, si prishja e ushqimeve në frigoriferë, e shumë dëme të tjera. (koha.mk)