Tradita e vjetër e tharjes së specave në fshatin Donja Lokoshnica në afërsi të qytetit Leskoc në jug të Serbisë, pothuajse ngjyros fshatin në të kuqe me ardhjen e stinës së vjeshtës. Specat e kuq, që fillojnë të vilen që nga muaji gusht, lidhen në vargje me pe dhe radhiten në muret e shtëpive dhe kopshteve, duke e ngjyrosur fshatin në ngjyrë të kuqe, traditë kjo e cila ka vazhduar të përçohet nga brezi në brez.
Tradita ofron pamje mahnitëse në “fshatin e specave”, ndërsa tharja e specave përbën burimin kryesor të jetesës për banorët e fshatit. Një nga banorët e fshatit, 75-vjeçari Radosllav Mihajlloviç, thotë se afër 300 familje të fshatit merren me këtë punë. “Tharja e specave është traditë e këtij fshati. Në fëmijëri, ne hedhim hapat e parë të rrethuar me speca”, shprehet Mihajlloviç.
Ai tregon se pas tharjes së specave që kultivohen në mënyrë organike, ato janë të gatshme të përdoren në mënyra të ndryshme, duke shtuar se specat e fshatit në të njëjtën kohë përdoren edhe për bërjen e ajvarit, një nga ushqimet më speciale të Ballkanit. Pas vjeljes së specave, Mihajlloviç thotë se ato lidhen me pe.
“Më pas, formohet vargje specash të kuq që zbukurojnë muret e secilës shtëpi në fshat. Ato lihen të thahen për 20 ose 30 ditë, varësisht nga temperatura e ajrit, ndërsa pastaj dërgohen në një vend më të freskët”, tregon ai. Siç shpjegon Mihajlloviç, specat po ashtu zhvendosen në një dhomë dhe thahen edhe me zjarr drunjësh, ndërsa më pas u hiqen bluhen dhe janë të gatshme për përdorim. Mihajlloviç tregon se në vjeljen e specave marrin pjesë të gjitha individët e familjes.
Nipi i tij, Marko Stojanoviç, thotë se është inxhinier i bujqësisë, duke shtuar se Donja Lokoshnica është e veçantë në Serbi për sa i përket pasurisë tokësore dhe minerale. Dushanka Stojiljkoviç, 83-vjeçarja e cila këtë vit ka vjelur afër 40 tonë speca, thotë se këtë vit janë duke vjelur speca katër breza të familjes së saj, pasi i janë bashkangjitur edhe stërnipat.
Ajo thotë se punën e lidhjes dhe radhitjes së specave ua ka shpjeguar edhe nipave dhe stërnipave. “Gjatë tërë jetës jam marrë me speca. Jam plakur, por nuk ankohem. Do ta vazhdojë këtë traditë aq sa mundem”, shprehet Stojiljkoviç. Nipi i Dushankas, Stefan Stojiljkoviç, thotë se shkuarja në shkollë është më e lehtë sesa lidhja e specave gjatë tërë ditës, megjithatë, ai thekson se do të vazhdojë t’i ndihmojë familjes së tij kur ka nevojë.