Punë e kryer, tashmë është fakt dhe zyrtar! Andre Silva është një sulmues i ri i Milan. Marrëveshje e mbyllur me sukses për portugezin, që mbërrin për të përforcuar repartin ofensivë të skuadrës së drejtuar nga trajneri Vinçenzo Montella. Për kuqezinjtë ky është një tjetër afrim i rëndësishëm, pas blerjeve të zyrtarizuara më parë, Mateo Musaçio, Frank Kessi dhe Rikardo Rodriguez. Ndërkohë, mbeten ende në pritje të zhvillimeve për bisedimet me Lukas Biglia, Keita dhe Andrea Konti. Portugezi Andre Silva ka firmosur të hënën një kontratë 5-vjeçare me kuqezinjtë.
Dita e hënë ishte dita e parë e Andre Silvas si kuqezi, mbërritur në Itali për të vizituar qendrën sportive në Milanello, dhe për t’i thënë përfundimisht “PO” transferimit të tij nga Porto. E mbyllur kështu me tym të bardhë një tratativë e lindur në Kardif më 3 qershorin e kaluar, falë bisedimeve të zhvilluara mes Fassone, administratori i Milan dhe Jorge Mendes, menaxheri i futbollistit. Ishte pikërisht agjenti i futbollistit ai që është kujdesur për vendosjen e urave të kontaktit mes Milanit dhe Portos, duke udhëhequr dy klubet drejt akordit definitive në shifrat e 38 milionë euro, plus bonuse. Mendes ka shoqëruar dje futbollistin në Milanello dhe Shtëpinë Milan, për të formalizuar marrëveshjen me kuqezinjtë. Ndërkohë, sulmuesi portugez ka zhvilluar mëngjesin e djeshëm vizitat mjekësore.
Derisa, pas përfundimit të vizitave mjekësore, sulmuesi portugez, Andre Silva ka thënë fjalët e tij të para në Itali. “Ndjesi e shkëlqyer, Milani është një ëndërr. Nuk kam pasur mundësi që të flas me Kristiano Ronaldon. Idhulli im është ai. Krahasimi me KR7? Është akoma shpejt, por shpresoj që të ndjek shembullin e tij dhe të bëhem i rëndësishëm për Milanin. Kam mbetur shumë i goditur pozitivisht nga ky shans, e njoh madhështinë e historisë së këtij klubi. Të jesh kuqezi është një pikë arritje, do të jap maksimumin për të realizuar objektivat”, deklaroi Silva.
Ende pa mbërritur zyrtarizimi i transferimit të tij nga Porto te Milan, ishte publikuar numri i fanellës që do të mbajë veshur Andre Silva te kuqezinjtë. Është numri 9, ai që gjatë sezonit të kaluar mbahej veshur nga Lapadula. Pikërisht për këtë arsye, në kampin kuqezi tashmë ka lindur kurioziteti, nëse numri 9 është një vendim i klubit, apo i përgjegjësit të Milan Store. Ndërkohë, vetë Andre Silva, ka kërkuar te dyqani Milan që të marrë me vete 8 fanella me emrin dhe numrin të stampuar, për t’i marrë me vete në Portugali.