Në tentim për tu ofruar me partitë shqiptare dhe për të zbutur mendimin negativ të shqiptarëve ndaj saj, VMRO-DPMNE-ja së fundmi ka shfuqizuar postin e ‘Kryetarit të nderit’ të partisë, të cilin e mbante ish-lideri Nikolla Gruveski. Partitë opozitare shqiptare edhe pse në hamendje, kërkojnë që kjo parti të distancohet nga politikat e Gruevskit dhe ti kërkojë falje shqiptarëve, që të mund të shqyrtohet një bashkëpunim i mundshëm në të ardhmen
Destan JONUZI
Shkup, 11 tetor – Nikolla Gruevski nuk do të jetë më kryetar nderi i VMRO-DPMNE-së, pasi që Statuti partiak që ja mundëson një gjë të tillë është shfuqizuar. Përveç pozitës së kryetari të nderit janë shfuqizuar edhe disa pozita tjera partiake. Në paraqitjen e tij të fundit, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski nuk ka dashur të flas nëse ky ndryshim partiak i paraprin procesit të reformimit dhe pendimit nga politikat e gabuara të së kaluarës, sidomos gjatë kohës së udhëheqjes së Nikolla Gruevskit. Një tjetër element që vihet re tek partia opozitare maqedonase është tendenca për tu afruar me partitë politike shqiptare. “Edhe pse është një gjë e vështirë dhe rëndë, megjithatë nuk është e pamundur”, vlerësojnë nga VMRO-DPMNE-ja. Të kujtojmë se përveç për të bëmat negative ndaj shqiptarëve në qeverisjen e Nikolla Gruevskit, në mbamendjen e shqiptarëve dhe opozitës shqiptare ende mbetet fytyra e përgjakur e deputetit Ziadin Sela, tanimë opozitarit kryesor shqiptarë.
BASHKËPUNIMI NDËRETNIK I MUNDSHËM, POR JO I LEHTË
Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së ish të burgosurve politik shqiptarë, thotë se VMRO-DPMNE matricën e ka antishqiptare duke i marrë parasysh të gjitha ato protesta dhe veprime kundër të drejtave të shqiptarëve duke i marrë parasysh edhe aleatët tanë perëndimore. “Antishqptarizmi është në kodin gjenetik të udhëheqësve dhe shumicës së anëtarëve të saj. VMRO-DPMNE duhet të manifestojë shenja pendimi dhe tu kërkojë falje shqiptarëve për të gjitha të këqijat që ua ka bërë. Duke e mohuar çdo bashkëpunim të partive politike të shqiptarëve me VMRO-në, nuk do të thotë se këta të LSDM-së janë më të mirë. Asnjëra parti e maqedonasve nuk ka treguar as edhe sinjalin më të vogël se janë në gjendje të jetojnë me shqiptarët si bashkëqytetarë të barabartë”, vlerëson Pollozhani.
Nga Aleanca për shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës, thonë se në politikë çdo bashkëpunim është i mundshëm, aq më tepër, siç shprehen nga kjo parti, mes forcave politike opozitare, qe synojnë marrjen e pushtetit, ose rrëzimin e kësaj Qeverie. “Bashkëpunimi me VMRO-DPMNE-në mund të ketë vetëm atëherë nëse ajo parti i fiton zgjedhjet, dhe mandati për krijimin e Qeverisë i jepet Liderit te VMRO-së, dhe më pas ne sy dy subjekte do të gjenim gjuhën e përbashkët për shumë çështje në interes të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, shtetit të së drejtës, zhvillimit ekonomik, euro-integrimeve, dhe mirëqenies ekonomike. Por këtë se kush do të fitoj e vendosin votuesit, ndërsa për bashkëpunimin, organet partiake, programet politike. Shpresojmë VMRO-ja të ketë evoluar në mendësinë e saj partiake, karshi çështjeve të ndjeshme, por edhe ndaj shqiptarëve. Sa më shumë të distancohen nga e kaluara, e hidhur aq më mirë për vetë ato. Në duhet të shikojmë nga e ardhmja, por e kaluara të shërbeje si mësim dhe garanci se nuk do përsëritet më”, deklaroi për KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së.
VULLNETET POLITIKE DUHET RESPEKTUAR
Lëvizja BESA e Bilall Kasamit vlerëson se jo vetëm VMRO-DPMNE, por çdo parti maqedonase nga pavarësia e shteti e deri më sot duhet tu kërkojë falje shqiptarëve për shumë montime, persekutime dhe maltretime. “Filozofia politike e Lëvizjes BESA bazohet në atë se forca politike e shqiptarëve buron nga votuesi dhe jo nga preferencat e partive politike maqedonase. Ashtu si ne si shqiptare që nuk mund të zgjedhim se ke do votojnë partitë politike maqedonase ashtu edhe ata janë të detyruar të respektojnë vullnetin politik të shqiptarëve. Kushti politik i Lëvizjes BESA për cilëndo parti maqedonase është koncepti i ndërtimit të shtetit mbi parimin e partneritetit të plotë, dhe gjithçka që bëhet në këtë drejtim është në të mirë të shtetit dhe gjithë qytetarëve”, deklaroi për KOHA, Arjanit Hoxha, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes BESA. Përndryshe, në komunën e Gostivarit koalicioni mes VMRO-DPMNE-së dhe Aleancës për shqiptarët është funksional dhe si rezultat i kësaj, javë më parë këto dy parti morën kontrollin ndaj Këshillit komunal i cili ishte në duart e koalicionit LSDM-BDI. (koha.mk)