Nga Shoqata e Mjekëve në mjekësinë e përgjithshme dhe familjare, thonë se reagimet e prindërve janë shqetësuese, sidomos ato që kanë të bëjnë me pneumoni, diare, kequshqyeshmëria e rëndë, gjendjet e ndërlidhura, por edhe frika nga sëmundja malaria, meningjiti, fruthi
Delvina KËRLUKU
Shkup, 20 shkurt – Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që pacientët të cilët kanë planifikuar termin në Klinikën e Fëmijëve në Kozle dhe në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, do të duhet të presin të paktën një muaj për të trokitur në dyert e pediatrive. Autoritetet shëndetësore e morën këtë vendim si pasojë e epidemisë së fruthit që mori një hov, ku edhe u shënuan tri viktimat e para. “Ekspert të shumë fushave e dhanë këtë rekomandim, dhe marrë parasysh vendet më kritike ku kontrollohen fëmijët, vendosëm që kjo të zbatohet në këto dy institucione sepse në çdo moment kemi informacione për pranimin dhe kontrollimin e rasteve të reja me fruth, kështu që do të vendosim edhe si masa plotësuese me qëllim që të kufizohet kjo epidemi”, thotë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Dr.Katerina Kovaçeviç nga Shoqata e mjekëve, thotë për gazetën KOHA, se kur rastet janë emergjente, aplikimet për termin nuk vlejnë, pasi duhet të jepet menjëherë shërbimi shëndetësor. “Një fëmijë që ka termin në spital është mirë t’i jepet shërbimi shëndetësor, por në rast se ai fëmijë nuk ka infeksione atëherë merren rastet urgjente. Vendimi për përparsi të rasteve urgjentë është i drejtë. Fëmijët të cilët parashikohen të kontrollohen në Klinikën e Fëmijëve, njëherë janë konsultuar me mjekun amë, pra specialist të mjekësisë familjare që ata edhe janë udhëzuar për nevojë të kontrollit në Klinikë”, tha doktoresha Kovaçeviç.
Nga Shoqata e Mjekëve në mjekësinë e përgjithshme dhe familjare, thonë se reagimet e prindërve janë shqetësuese, sidomos ato që kanë të bëjnë me pneumoni, diare, kequshqyeshmëria e rëndë, gjendjet e ndërlidhura, por edhe frika nga sëmundja malaria, meningjiti, fruthi. Vdekja e tre foshnjave si pasojë e fruthit nuk ka shtuar interesimin e prindërve për të vaksinuar fëmijët e tyre me vaksinën MRP. Sipas mjekëve në punktet vaksinale, ende nuk ka interesim të mjaftueshëm të prindërve të cilët i dërgojnë fëmijët nën moshën 13 muajshe t’i vaksinojnë. Ndërkohë që në ditët në vazhdim pritet të fillojë edhe vaksinimi në terren, respektivisht në shkolla.
Përfaqësuesit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se zhvendosja e pragut nga 13 në gjashtë muaj për pranimin e vaksinës kundër fruthit, është zgjidhja e duhur.
“Parandalimi më efikas është kur sektoret bashkëpunojnë njëri me tjetrin, sigurisht që duhet të forcohet mbrojtja primare shëndetësore por patjetër të bashkëpunohet edhe me sektorët tjerë, patjetër të bashkëpunohet me shkollat, dhe me pjesëmarrësit tjerë relevant. Ne punojmë me udhëheqësinë e shtetit, mund të themi se ajo çfarë ndodh këtu tek ju është zgjidhja e vërtetë apo e duhur, dmth jeni në rrugën e duhur”, thotë Hans Kluger, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. (koha.mk)