Tregjet dominohen më shumë nga produktet e importit, ndërsa gama e frutave dhe perimeve që ofrohen vjen duke u reduktuar. Sipas ekspertëve në sektorin e bujqësisë ka disa arsye që ndikojnë në rritjen e vazhdueshme të çmimeve. Që përligjet me mungesën e prodhimit vendas, rritje e importeve dhe ndikimin e pandemisë në tregti. Të dhënat nga EShS tregojnë se në vitin 2019 u realizua eksporti më i lartë i ushqimit në dhjetë vitet e fundit, por në të njëjtën kohë u realizua importi më i lartë i produkteve ushqimore
Evis HALILI
Shkup, 14 tetor – Shporta e konsumatorit po preket çdo vit e më shumë nga rritja frenetike e çmimeve të produkteve bujqësore. Çmime këto të larta që rëndom nuk korrespondojnë as me cilësinë e tyre. Tregjet dominohen më shumë nga produktet e importit, ndërsa gama e frutave dhe perimeve që ofrohen vjen duke u reduktuar. Sipas ekspertëve në sektorin e bujqësisë ka disa arsye që ndikojnë në rritjen e vazhdueshme të çmimeve. Që përligjet me mungesën e prodhimit vendas, rritje e importeve dhe ndikimin e pandemisë në tregti. Po ashtu fermerët theksojnë edhe çmimin e ulët të blerjes së produkteve dhe çmimin e lartë të shitjes, gjë që ka një efekt negativ si tek fermerët po dhe tek konsumatorët.
Të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se në vitin 2019 u realizua eksporti më i lartë i ushqimit në dhjetë vitet e fundit, por në të njëjtën kohë u realizua importi më i lartë i produkteve ushqimore. Sipas kryetarit të shoqatës së fermerëve “Agrofalanga”, Ljupce Stankovski, çmimet e produkteve bujqësore në botë gjithmonë luhaten në varësi të prodhimit, nëse është rritur apo ulur, nëse kushtet janë përkeqësuar dhe nëse prodhimi pritet të ulet në zona të tjera. “Faji për këto çmime konfuze të larta të shitjes ka rënë prej kohësh mbi blerësit, të cilët janë kthyer në një monopol të organizuar, sepse ata blejnë me çmime të ulëta për fermerët, dhe shesin produkte me çmime të larta. Problemi është gjithashtu në burokracinë e madhe dhe administratën, që është rritur në numër disa herë dhe mirëmbajtja e të cilit kërkon fonde të mbledhura nga tarifat, licencat, lejet, certifikatat, akcizat … E gjithë kjo e ngarkon produktin gjatë udhëtimit drejt qëllimit përfundimtar, konsumator, por edhe zhgënjen fermerët, të cilët me çmime kaq të ulëta të blerjes dështojnë dhe i hedhin produktet e tyre”, sqaron Stankovski.
Federata Kombëtare e Fermerëve (FKF), konstaton se kriza e shkaktuar prej më shumë se një viti nga pandemia dhe masat e marra nga vendet për kufizimin e eksporteve dhe importeve kanë rezultuar me luhatjet dhe rritjen e çmimeve për shitjen e inputeve të nevojshme për prodhim, gjë që ndikoi negativisht në shumë sektorë ekonomikë, përfshirë sektorin e bujqësisë. Kjo ka çuar në një rritje të çmimit të prodhimit, kështu që vitet e fundit çmimi i prodhimit të produkteve bujqësore është rritur nga njëra anë, dhe nga ana tjetër çmimi me shumicë ka mbetur i njëjtë për vite me radhë dhe nga ana e tretë ne kanë rritje të vazhdueshme të çmimeve të ushqimeve. Kjo tregon se fermerët dhe qytetarët vuajnë më shumë. (koha.mk)