Presidenti i SHBA, Trump shan Bankën Qendrore të SHBA “Federal Reserve”. Për mendimin e tij, ajo është përgjegjësja e vetme, që bursat në SHBA ndoshta ndodhen përballë dhjetorit më të zi prej 87 vjetësh
Indeksi “Dow Jones” të martë ra me gati 3 për qind, ndërsa “Nasdaq” me rreth dy për qind. Bursën amerikane e kërcënon në këtë mënyrë sërish dhjetori më i zi që prej vitit 1931, në kohët e krizës së atëhershme ekonomike të përbotshme. Prej fillimit të tetorit, “Dow Jones” humbi rreth 18 për qind, “S&P 500” ka humbur prej mesit të shtatorit rreth 20 për qind dhe “Nasdaq” prej fundit të gushtit më pak se 25 për qind. Shkaku për këtë gjendje është bllokimi i pjesshëm i punës të autoriteteve qeveritare të SHBA përballë grindjes për murin kufitar me Meksikën, siç e dëshiron atë presidenti Trump. Investitorët druhen se kjo situatë mund ta dobësojë ekonominë e SHBA.
Veç kësaj, Trumpi e ka sulmuar sërish ashpër Bankën Qendrore të pavarur “Fed”, sepse druhet se rritjet e interesave bankare prej saj do të rëndojnë konjukturën. “I vetmi problem, që ka ekonomia jonë, është Fed”, shkroi Trump të hënën në twitter. Banka Qendrore, sipas Presidentit të SHBA, është si një “lojtar i fuqishëm golfi, i cili nuk është në gjendje të shënojë pikë, sepse nuk ka ndjesi – ai nuk e fut dot topin në vrimë!”. Presidenti pati shfaqur më parë zemërimin që “Fed” i ngriti të mërkurën për të katërtën herë radhazi këtë vit lehtë interesat bankare.
Në kuadër të sjelljes së pazakonshme për një President të SHBA ndaj Bankës Qendrore të pavarur, ai e ka sharë Federal Reserve ndër të tjera si të çmendur, qesharake dhe kaqole. Përballë ekonomisë amerikane që po përjeton një bum dhe të një tregu pune aktiv, Banka Qendrore amerikane këtë vit i ka ngritur katër herë interesat bankare, për të mbajtur nën kontroll inflacionin. Herën e fundit interesat bankare u ngritën të mërkurën, nga 2.25 në 2.5 për qind. Me këtë, “Fed” synon të plotësojë mandatin e saj, për të nxitur punësimin e plotë dhe çmimet e qëndrueshme. Përballë ftohjes së konjukturës ekonomike që pritet, ajo ka sinjalizuar edhe dy ngritje të reja interesash bankare për 2019-ën. “Fed” në thelb duhet të veprojë e pavarur nga Shtëpia e Bardhë, por Trumpi në të kaluarën i ka thyer disa herë këto barriera. Sipas mediave, ai i ka pyetur anëtarët e kabinetit të tij qeveritar, nëse mund ta shkarkojë shefin e “Fed”, Jerome Powell, të cilin ai e emëroi vetë si pasardhës të Janet Yellen.