Në muajin e ardhshëm, përfaqësuesja e Kosovës dhe ajo e Çekisë do të përballen në një takim vendimtar, i cili me shumë mundësi do të përcaktojë se kush nga dy ekipet do të kualifikohet në Euro 2020. Çekia është më e avantazhuar duke qenë se për momentin është një pikë para Dardanëve dhe mund të pranojë edhe barazimin në ndeshjen shtëpiake.
Megjithatë, Kosova ka treguar se mund të paraqitet mirë në transfertë teksa ia ka dalë të mposhtë Bullgarinë, të barazojë me Malin e Zi dhe të shënojë tre herë ne Angli, pavarësisht se në fund doli e mposhtur. Kështu, duke qenë një ndeshje përcaktuese, edhe nervat e tifozëve pritet të jenë më të acaruara. Federata çeke po merr masa që tifozeria vendase të mos jetë shkaktare e ndonjë rrëmuje apo edhe thirrjeve politike në stadium.
Kujtojmë se në ndeshjen e Kosovës në shtëpi përballë Çekisë, një tifoz serbë së bashku shtatë çekë kishin planifikuar të lëshonin një dron me mesazhe politike, por që u ndaluan në kohë nga policia. Ndërkohë, një nga masat e marra nga Çekia është ndryshimi i shitjes së biletave. Ato nuk do të bëhen online por do të blihen vetëm nga persona fizikë. Pritej që biletat të dilnin sot në shitje por janë shtyrë për në datën 23 tetor.