Barcelona punon gjithmonë për të ardhmen, duke pasur një vizion shumë të qartë. Ajo mendon “t’i kultivojë” lojtarët e së ardhmes, për të cilët ka pritshmëri se mund të jenë protagonistët e ekipit të parë. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit katalanas, kur janë të bindur se kanë një talent, e “blindojnë” atë dhe nuk e lënë të ikë për çfarëdo arsye.
Klubi blaugrana, në fakt, ka “blinduar” një nga talentet më të mira të sektorit të të rinjve ditën e sotme. Po flasim për Ilaix Moriba, mesfushor qendror i datëlindjes 2003.
Barcelona e rinovoi kontratën e tij deri në vitin 2022, duke i vendosur një klauzolë lirimi prej 100 milionë eurosh. Një shifër e çmendur për një djalosh vetëm 16 vjeç. Ai ka qenë në radarët e Manchester City, prandaj katalanasit nuk kanë humbur kohë për ta “gozhduar” atë në Katalonjë.