Sipas Zyrës së Statistikave Zyrtare të Britanisë (ONS), niveli neto i migrimit në Mbretërinë e Bashkuar ka rënë në 246.000 në vitin që përfundon në mars 2017, nivel i cili shënon shifrën më të ulët gjatë tre viteve të fundit. Rënia e migrimit u shkaktua nga emigrimi i rreth 33 mijë shtetasve të BE-së që nga marsi i vitit 2016. Migrimi nga shtetet e BE-së ra gjithashtu me 51 mijë, nivel më i ulët që nga viti 2013. Ndër qytetarët e BE-së që u larguan nga vendi vitin e kaluar, 17 mijë janë nga Republika Çeke, Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia. Pasiguria për shkak të Brexit-it dhe statusi i ardhshëm i shtetasve të BE-së në Mbretërinë e Bashkuar supozohet të jenë shkaqet e largimit. Britania vendosi të largohet nga BE-ja në qershor të vitit 2016, pas 44 viteve anëtarësim në familjen evropiane. Të drejtat e shtetasve të BE-së që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar janë një nga pikat kyçe të bisedimeve të Brexit-it, të cilat do të rifillojnë javën e ardhshme në Bruksel. Qeveria e SHBA-ve më parë tha se shtetasit e kualifikuar të BE-së që qëndruan në vend për një kohë të caktuar do të mund të qëndronin në Mbretërinë e Bashkuar, por është kërkuar një qasje reciproke për qytetarët britanikë që jetojnë në vendet anëtare të BE-së.