Fisnik PASHOLLI
Shkup, 1 dhjetor – Frika nga ndërmarrja e rrezikut paraqet shkakun kryesor që të rinjtë në Maqedoni vështirë vendosin të hapin biznesin e tyre, shkruan gazeta KOHA. Sipas raportit të Institutit për Sipërmarrjen dhe Zhvillimin e saj (GEDI), dobësia kryesore e sipërmarrjes në Maqedoni, është numri më i vogël i individëve të gatshëm të marrin rrezikun e fillimit të një biznesi të ri. Krahas këtij treguesi, pika tjera të dobëta të sipërmarrjes në Maqedoni, janë shitja e shërbimeve dhe prodhimeve jashtë shtetit dhe përkrahja kulturore ndaj sipërmarrjes. Fusha ku Maqedonia mund të krenohet janë pranimi i teknologjive të reja, shkathtësitë fillestare dhe kapitali njerëzor. Raporti global i Institutit për Sipërmarrjen dhe Zhvillimin (GEDI), ku vlerësohen 137 shtete në botë, tregon se fusha më e dobët e Maqedonisë, me vetëm 11 për qind të pikëve, ndërlidhet me pranimin e riskut të sipërmarrjes. Raporti gjithashtu thekson se nga tiparet personale të sipërmarrësit, frika e dështimit paraqet një nga pengesat më të rëndësishme për fillimin e biznesit. Rekomandohen edhe më shumë gjëra për të tejkaluar problemin e frikës nga dështimi i një biznesi të ri.
“Ngritni një provë apo test të vogël për të konfirmuar idenë e juaj. Definoni suksesin dhe rezultatet e juaja. Merrni këshilla nga konsulentët kritikë të gatshëm për të anuluar konceptet që nuk përshtaten ndaj tregut. Kuptoni se jo të gjitha idetë mund të zbatohet sot ose sa posedoni aftësitë për sipërmarrësi. Identifikoni kushtet e jashtme prej të cilat varet suksesi i idesë së juaj”. Janë disa nga sugjerimet e raportit kushtuar sipërmarrësve lidhur me rreziqet e biznesit. Për pushtetin apo politik-bërësit për këtë pikë kritikë sugjerohet që të përmirësohet stabiliteti institucional dhe ai i organeve rregullatore si dhe të sigurohet mungesa e konfliktit. Pikë tjetër e dobët e sipërmarrjes në Maqedoni, është shitja e shërbimeve dhe prodhimeve jashtë shtetit ku janë fituar 20 për qind të pikëve. Në vend të tretë si dobësi është përkrahja kulturore si promovimi i sipërmarrjes në sistemin shkollor, si dhe ulja dhe parandalimi i korrupsionit ku janë fituar 22 për qind të pikëve.
Nga ana tjetër, fusha ku Maqedonia mund të krenohet me 47 për qind të pikëve është pranimi i teknologjive të reja. Shkathtësitë fillestare me 42 për qind të pikëve dhe kapitali njerëzor me 41 për qind të pikëve, gjithashtu janë fushat ku dallohet Maqedonia në fushën e sipërmarrjes. Sipas raportit, Maqedonia merr një pikësim prej 29 për qind në studimin total të komponentëve të marrë në shqyrtim. Në këtë mënyrë, ajo renditet në vendin e 66-të në botë dhe ndër të parat në rajon. Para Maqedonisë, renditet Mali i Zi në vendin e 60. Pas nesh renditet, Serbia në vendin e 74-ët, Shqipëria në vendin e 84-ët dhe Bosnje dhe Hercegovina e renditur e 95-ta.
Sllovenia është e para në rajon në vendin e 26-të, e pasuar nga Kroacia në vendin e 54-ët. Nga shtetet e tjera të rajonit, Rumania renditet në vendin e 47-të, Greqia në vendin e 49-të, Bullgaria në vendin e 70-të. Raporti, më tej thekson se shtetet evropiane kanë në mesatare rezultate më të larta lidhur me aftësitë fillestare për biznes si rrjedhojë e trashëgimisë të arsimit terciar të disponueshëm si dhe popullsisë që në një masë të madhe posedon aftësitë e nevojshme për të filluar një biznes. Dobësia më e madhe e Evropës akoma është rrjetëzimi, përkundër asaj se ky tregues është më i lartë se mesatarja globale në këtë fushë. Në përgjithësi, rezultatet e Evropës janë relativisht të balancuara në të gjithë komponentët e sipërmarrjes, duke sugjeruar se një përzierje më e gjerë e politikës pritet të ketë ndikim më të madh në perfomancat e përgjithshme sesa fokusimi në një fushë të vetme, thekson raporti. (koha.mk)