Me kë i krahasoni zyrtarët tanë? Kjo është esenca dhe presioni që ata duhet ta ndjejnë. Nëse nuk e kuptojnë se njerëzit duan zotësi, atëherë lehtësia e tyre me të cilën do të marrin postet, lehtësia e tyre me të cilën do të drejtojnë institucionet, do të jetë tmerrësisht edhe më e papërballueshme
Nga Nazim RASHIDI
Nisur nga perceptimet që kemi për figura dhe zyrtarë që janë të largët, e që ua dëgjojmë veç emrin me raste të rralla, mendoj se jetojmë në një kohë, në kontekst ndërkombëtar, ku si asnjë herë më parë dimë më shumë për këto figura “misterioze” si me rastin e ish drejtorit të FBI-së James Comey.
Për ata që ndjekin zhvillimet ndërkombëtare, e dinë se ish drejtori Byrosë Federale të Hetimeve, në SHBA, James Comey, sapo ka botuar një libër ku tregon eksperiencën që ka pasur me presidentin Trump. Në libër përshkruan gjithë marrëdhënien e tij, madje jep edhe detaje tejet pikante, për dyshimet për afera seksual të presidentit në Moskë, për të cilat mund të ketë dhe video regjistrime. Ka treguar Comey në libër se si është ndier kur ka marrë vesh nga televizioni se është shkarkuar nga posti. Si asnjë herë tjetër një drejtor i FBI-së u pushua si në një program realiteti televiziv, pa e ditur ai këtë më herët, dhe tani Comey komenton lirshëm dhe jep dhe emocione për këtë moment unik të politikës amerikane. Dhe këtu për mua ndodh thyerja e madhe. Asnjëherë më parë nuk kemi ditur si publik, qoftë ne që jemi larg, por me aq sa shoh edhe ata në Amerikë, për ndjenjat e një drejtori që në esencë duhet të jetë pa ndjenja, akull, për postin që ka.
Librin nuk e kam lexuar, se është i sapo dalë në SHBA, por kam parë disa intervista të Comey dhe pa dyshim kam një gati “zhgënjim” të imazhit të këtij njeriu të “frikshëm”, që kur ishte në detyrë, në teori mund të dinte gjithçka për këdo, kurse tani shfaqet me aq tipare të zakonshme. Por çfarë të bën përshtypje tek Comey, tani qytetar i rëndomtë (për aq që mund ta quajmë të tillë), kur e sheh në intervista është INTEGRITETI. Integriteti, elokuenca, humori dhe padyshim dinjiteti që rrjedh nga dituria e marrë më herët, për çka dhe ka marrë postin (pa çka se e ka marrë dhe e humbi për shkak të motiveve politike).
E dini, shpesh më thonë se jetoj në ëndrra dhe iluzione, madje më kanë quajtur dhe jo realist, duke ma bërë edhe atë pyetjen, “a e di ti ku jeton?”, kur bëj krahasime mes nesh dhe vendeve të zhvilluara. Në disa raste kam pasur pendesë që kam dhënë krahasime të tilla. Por sa më shumë kalon koha aq më shumë jamë i bindur dhe kam pendesë se pse si kam bërë, aq sa më lejohej, më shumë këto krahasime, sepse modelet janë të rëndësishme. Dhe po edhe pse duket pak e “tepruar” sërish do të bëj krahasimet mes një zyrtari të huaj si Comey, sjelljes së tij dhe këtyre zyrtarëve tanë, sado të pa bindshëm të jenë. Detyrat dhe përgjegjësitë i kanë të ngjashme në kontekst të vendeve respektive.
Pra…tani që ne kemi zyrtarë dhe ish zyrtarë plot, mezi gjen dy tre të flasin me aq dinjitet dhe rrjedhshmëri për të shpjeguar situata dhe vendimet që kanë marrë. Comey kritikon hapur, madje shumë shumë hapur Presidentin Trump, (dhe për ata që duan të dinë më shumë rreth kësaj marrëdhënie dhe situatave dhe politikës amerikane i inkurajoj që të lexojnë e shohin mediat ndërkombëtare) por dua të mbes tek elementet që shfaq ish drejtori i FBI-së sepse besoj se s’ka qenë asnjëherë kaq prioritare zgjedhja e njerëzve në poste të duhura që vendi jonë të shkojë përpara.
E thashë edhe më sipër, sa do që të duket e pakrahasueshme, qenka tejet e rëndësishme se kush është në krye të një posti, se si sillet dhe çfarë përgjegjësie mban mbi vete, që institucionin që drejton por edhe profesionalizmin e vetë, ta konsiderojë hyjnor. Kjo jo vetëm në politikë. Për shembull më habit lehtësia dhe gati nuk besoj, që ka profesorë në universitete me diploma të manipuluara, dhe këtë ata e kanë bërë pa frikën se do të zbulohen. Nuk e di nëse ka të vërteta, por dua të them se kjo logjikë shkon përtej politikës.
Por krahasimet mes nesh dhe vendeve të zhvilluara marrin rëndësi edhe pas raportit të BE-së për procesin integrues të rajonit dhe Maqedonisë. Për dallim nga kritikat e sugjerimet e herëve të tjera në raport këtë herë, më bëri përshtypje kjo fjali: “Mbetet thelbësore vendosmëria e fuqishme politike për të garantuar profesionalizmin e administratës publike, sidomos të emërimeve në nivelet e larat menaxheriale dhe respektin e principit të transparencës, meritës dhe përfaqësimit të drejtë në linjë me frymën e përmbajtjes së ligjeve”.
Tani a ka vendosmëri politike për përzgjedhjen e profesionistëve?
Comey si model është i largët dhe kundërthënës me gjithë situatat që çuan në shkarkimin e tij nga detyra. Por shfaqja aq e afërt e tij me publikun pas botimit të librit, zbulon qartë (për mua), atë që edhe e kam ditur, se s’ka asnjë dyshim se ka qenë plot meritë kur ka marrë postin e lartë drejtor të FBI-së. Dhe s’po e përmend më.
Pyetja që me lind, kur lexon dhe raportin e BE-së është, se sado që janë vendime politike kur bëhen emërime, si dhe në rastin e James Comey, a ka të paktën një sens minimal, për profesionalizmin e njerëzve që vihen në poste të rëndësishme?
Ka dyshime serioze për këtë fakt.
Partitë, sidomos ato shqiptare, janë gojë plot me premtime, që nënkuptohet se ato të kryhen. Normal, pritja është që ato të realizohen nga njerëzit që partia do to zgjedhë. Por kush janë këta njerëz? Administrata që është më plot se çdo herë tjetër me shqiptarë, dhe sidomos titullarë në poste jo gjithmonë ka njerëzit e duhur. Vijmë tek përgjegjësia. Skam dëgjuar deri më tani që kjo partia, që përzgjedh këta njerëz edhe të dënojë, ose minimalisht të shkarkojë ata që kanë dështuar.
Folklor janë më përshkrimet se si drejtorët e mendojnë postin, si moment “prodhimi”, dhe jo përgjegjësie për detyrat që duhet të bëjnë. Janë po aq bajate më dhe përshkrimet, se si ambasadat janë mbushur me njerëz që s’dinë gjuhë të huaja, me të punësuar që nuk shkojnë në punë e marrin rroga, për zyrtarë që nuk shkarkohen edhe pse s’bëjnë gjë dhe mbi të gjitha për figura të larta politike që s’kanë asnjë bagazh të fuqishëm dije, por ngaqë lideri ruan emocion për ta, vazhdojnë të kenë ndikim ndërkohë që janë bërë model për një brez të tërë se në fakt mund të kesh sukses edhe po të jesh një zero me xhufkë, mjafton që të kesh post partiak.
Prandaj modelet janë të rëndësishëm miq. Me kë do të krahasohemi?
Unë asnjëherë skam parë një drejtor të FBI-së që qeshë. Dhe në fakt Comey nuk qeshte kur fliste për hetimet në e-male-et e Hillary Clinton, as për hetimin e ndikimit rus në zgjedhjet amerikane. Por tani ai del dhe ka plot humor, se mbase edhe gjithë politika po ndryshon. Ekspertë e komunikimit po u thonë politikanëve të jenë më afërt, mes njerëzve të qeshin, të shfaqen të zakonshëm. Qartësisht për arsye komerciale, se libri duhet shitur, këtë tani e bën dhe James Comey, por ka një dallim të madh ama. Në gjithë atë komunikim të shlirë, në asnjë moment nuk ia ve në dyshim kapacitetin profesional.
(Thashë që s’do e përmend, por logjika e tekstit ma imponoi, por dhe frymëzimi nga intervista e fundit që pashë në “The late show” me Stephen Colbert)
Prandaj them, me kë i krahasoni zyrtarët tanë? Kjo është e esenca dhe presioni që ata duhet ta ndihen. Nëse nuk e kuptojnë se njerëzit duan zotësi, atëherë lehtësia e tyre me të cilën do të marrin postet, lehtësia e tyre me të cilën do të drejtojnë institucionet, do të jetë tmerrësisht edhe më e papërballueshme.
Mu këtu, sidomos dhe pas raportit të BE-së, por dhe përtej retorikës të momentit të politikanëve, që është në unison me burokratët e BE-së, vjen përgjegjësia e lidershipeve politike. Përgjegjësia edhe e vetë liderëve, që te momenti se kë mbajnë pranë vetes e deri tek përzgjedhja që bëjnë se kush drejton, nëndegët, degët, institucionet ato lokalet, qendroret, organet, të partisë apo të pushtetit. Të gjithë ata janë model për dikë. Ka ardhur momenti që subjektet të transformohen nga klane interesash, apo politikëbërje me rënie tavolinash, apo dhe grabitje postesh me dhunë deri në humbje jetësh, në subjekte me struktura bazuar në ide, dije dhe meritë.
BE kërkon menaxherë profesional në administratë, por ata do të vijnë vetëm atëherë kur partitë do ta kuptojnë se “është esenciale” dhe do ta kenë “vullnet të fuqishëm politik” (fjalë të marrë nga raporti) të ndryshojnë logjikën e funksionimit partiak, që kam frikë se nuk do të ndodhë shpejtë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)