Ndikimi i Ballit – ndikimi i agallarëve dhe i bejlerëve, është bukur i madh. Por nuk është as për së afërmi i barabartë me ndikimin tonë, veçanërisht jo në ato vende ku ne kemi formuar këshilla dhe deri-diku, e kemi vendosur pushtetin. Ndikimi i tyre mbështetet, parasëgjithash përmes lidhjeve dhe personaliteteve, e më pas nga frika. Ata përpiqen të formojnë ushtri dhe një lloj fronti të nacionalistëve – për të mos thënë të nacistëve. Po na kopjojnë neve si në politikë ashtu edhe në organizim
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Marrëveshja e Mukjes e nënshkruar më 2 gusht 1943 midis Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacioonalçlirimtar, me të cilën parashihej themelimi i Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, i cili do ta drejtonte luftën e shqiptarëve kundër pushtuesit fashist dhe kundër çdo pushtuesi tjetër eventual, u kundërshtua ashpër asaj kohe nga Dushan Mugosha dhe Milladin Popoviqi, dy instruktorët e përhershëm të Partisë Komuniste të Jugosllavisë pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë. Pikërisht me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të tyre, por edhe të Svetozar Vukmanoviq Tempos, Enver Hoxha në Konferencën e II të KNÇSh-së, e cila u mbajt në shtator të atij viti në Labinot, Marrëveshjen e Mukjes, jo vetëm që e shpalli si të pavlefshme, por edhe si të dëmshme për ideologjinë komuniste. Se udhëheqja e PKSh-së ishte vegël e zgjatur e udhëheqjes së PKJ-së, atë më së miri e shohim në letrën e Milladin Popoviqit, dërguar më 19 tetor 1943 Josip Broz Titos. Siç do të shohim në vazhdim, Popoviqi, në letër i sulmonte ashpër delegatët e PKSh-së në Mukje, për shkak se ata janë pajtuar të nënshkruajnë një marrëveshje, e cila parashikonte themelimin e “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë”, me kompetencë të plotfuqishme për ta udhëhequr luftën kundër pushtuesit fashist dhe kundër çdo pushtuesi tjetër eventual.
“Detyra kryesore e delegatëve, shprehet në letër Popoviqi, nuk ka qenë formimi i komitetit dhe hartimi i programit, por vetëm të bisedohet me Ballin në lidhje me luftën dhe hyrjen në luftë të Ballit, por jo demonstrative, por luftë të pandërprerë kundër pushtuesit fashist…”. Sipas tij, Balli Kombëtar përbënte bërthamën kryesore të “reakcionit” shqiptarë, ndikimi i të cilit më së shumti shprehej në “Shqipërinë e Re”, përkatësisht në Kosovë dhe në Trevat Lindore, që kjo organizatë kombëtare shqiptare, i konsideronte si toka shqiptare dhe si të tilla duhej t’i bashkangjiteshin Shqipërisë. Më tej ai shkruan edhe për rolin dhe ndikimin e Lëvizjes së Legalitetit, të Partisë Socialdemokrate, të figurave nacionaliste shqiptare siç ishin, Mit’had Frashëri, Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Fiqiri Dine etj., për klerin katolik shqiptar ndikimi i të cilit ishte shumë i madh në Shqipërinë Veriore, për misionin ushtarak britanik, për dashurinë e pafund të kreut të PKSh-së ndaj PKJ-së dhe J. B. Titos, etj. Meqenëse kjo letër, që ruhet në Arkivin e Jugosllavisë, fondi KQ i PKJ-së (507), nuk është botuar deri më tash, e pash të arsyeshme atë ta botoj të plotë në gazetën shqiptare KOHA – Shkup.
* * *
“Në Shqipërinë Veriore katolikët kanë ndikim bukur të madh. Ne atje qëndrojmë më së keqi, sepse organizata jonë në Shkodër, është një ndër më të dobëta. Nga të gjitha partitë tjera më të fortë janë grupimi nacionalist i Ballit Kombëtar. Balli është organizatori kryesor i reakcionit. Udhëheqës janë emigrantë të ndryshëm nga koha e Zogut dhe armiq të çdo gjëje përparimtare, veçanërisht të komunizmit. Deri dje kanë qenë ministra dhe nëpër ministri, si dhe nëpër qeveri më të ndryshme fashiste italiane /madje edhe në qeverinë e Mustafa Krujës si Hasan Dosti/, ndërsa sot anëtarët e kësaj organizate marrin pjesë në Komitetin Ekzekutiv të ‘Shqipërisë së Pavarur’ (mendon për Komitetin Ekzekutiv të Përkohshëm, i themeluar më 14 shtator 1943 në Tiranë, në krye me Ibrahim Biçakun, i cili komitet, siç dihet, rishpalli Pavarësinë e Shqipërisë – Q. L.). Anëtarët e Ballit deri dje taktizonin me pushtuesit italianë, ndërsa sot me gjermanët. Anëtarët e tyre janë në komitet me dijeninë dhe miratimin e vetë qendrës /që ata e quajnë ‘Qendra Respektuese e Ballit Kombëtar’/. Nga ata që kanë marrë pjesë në KE (Komitetin Ekzekutiv të Përkohshëm – Q. L.) një pjesë i përjashtojnë, me fjalë, ndërsa një pjesë nuk i pranojnë për anëtarë. Por, Balli për shkak kësaj politike të vet nga dita në ditë është duke humbur nga ndikimi i tij i dikurshëm, veçanërisht në vendet ku veprojnë brigadat tona.
Më herët, Balli, në propagandën e vetë, ishte për luftë kundër italianëve /fazhizmit/, ndërsa në politikën e brendshme për një unitet nën udhëheqjen e Ballit. Tani është më konkret. Nuk ka marrë qëndrim kundër gjemanëve. Tash përpiqet atë qëndrim ta përmirësoj, por në luftën edhe kundër KNÇ-së dhe PK-së shfrytëzohet me parullën e Gestapos: ‘Rreziku nga komunizmi’ – ‘Partia e kuqe – rreziku i kuq’, ‘komunistët nuk kanë fe, familje etj.’ dhe të gjitha parullat e përmbledhjes së Goebels-it. Tashti e vënë në pah luftën e tyre kundër pushtuesit italian, duke i përvetësuar akcionet tona, që realisht ishin shumë larg luftimeve ose ngandonjëherë si coftina futeshin me çetat tona. Tash pjesa e madhe e përkrahësve po largohen prej tyre dhe shumica po na bashkangjiten neve. Ne kemi filluar me pastrimin e terrenit në zona të caktuara. Kjo formë e veprimit tonë është pranuar /bukur/ mirë në popull, sepse në fakt njerëzit e urrejnë Ballin, për shkak politikës së mirënjohur në popull, që karakterizohej dhe karakterizohet edhe sot (në kohën e LNÇ-së) në marrjen e të dhjetave dhe të taksave tjera të ndryshme.
Nuk mund të thuhet se atyre u mungon përvoja politike dhe se nuk dinë ta ruajnë linjën e tyre reaksionare. Ata neve na akuzojnë për shpërbërjen e Komiteit për Shpëtimin e Shqipërisë, e njëkohësisht për luftën vëllavrasëse /të cilën në fakt ata që moti e filluan të cilën ne në atë kohë e paraqitëm por edhe sot po e paraqesim para popullit të Shqipërisë/. Ata duan të paraqiten si nacionalistë dhe demokratë të vërtetë. Madje e kanë monopolizuar edhe njërën edhe tjetrën. Kështu pjesëmarrësit e KNÇ-së i quajnë për komunistë. Ata demagogjinë e shfrytëzojnë me mjaft mjeshtëri, vajtojnë për Shqipërinë, për Kosovën, për ‘demokracinë angleze’ etj. Nuk përjashtohet që politikisht t’u ndihmojnë miqtë /anglezët/ të cilët janë këtu /kuptohet se përveç Gestapos/. Me ta kanë takime të shpeshta anglezët, natyrisht nën pretekstin që ‘Balli të futet në luftë kundër pushtuesit’, ndërsa atyre ‘u interson vetëm linja ushtarake dhe nuk përzihen në politikë’. Te vetë Balli ekzistojnë trazira. Një pjesë është për bashkëpunim me gjermanët /në Komitetin Ekzekutiv prej 22 anëtarëve 5 janë nga Shqipëria e vjetër dhe më shumë nga Kosova dhe Metohia/. Një pjesë tjetër është për heshtjen e qëndrimit të gjermanëve këtu, ndërsa për luftë kundër nesh. Të tretët janë për gjoja shkëputjen nga Balli, dhe për formimin e një ‘Partie Demokratike’, e cila në fakt do të zhvillonte luftë, në radhë të parë, kundër nesh. Në krye të saj do të gjendej reaksioneri i njohur dhe organizatori i të gjitha gupimeve reaksionare /Lumo Skendo, pseudonimi/ Mit’hat Frashëri, shkrimtar.
Ndikimi i Ballit – ndikimi i agallarëve dhe i bejlerëve, është bukur i madh. Por nuk është as për së afërmi i barabartë me ndikimin tonë, veçanërisht jo në ato vende ku ne kemi formuar këshilla dhe deri-diku, e kemi vendosur pushtetin. Ndikimi i tyre mbështetet, parasëgjithash përmes lidhjeve dhe personaliteteve, e më pas nga frika. Ata përpiqen të formojnë ushtri dhe një lloj fronti të nacionalistëve – për të mos thënë të nacistëve. Po na kopjojnë neve si në politikë ashtu edhe në organizim. Në ushtrinë dhe në këshillat e tyre nëpër fshatra i kanë përfaqësuesit e tyre /jo vetëm të zgjedhur apo të emëruar nëpër konferenca, por të emëruar edhe nga ‘pleqësia’ zakonisht nga ‘sundimtarët’ e fundit/. Kështu qëndron çështja në lidhje me Ballin. Por nëse shikohet zhvillimi i tij nga shtatori i vitit 1942 e deri më sot, shihet qartë se e përbën bërthamën e reaksionit në Shqipëri.
Balli ka ndikim bukur të madh në ‘Shqipërinë e Re’ /Kosovë, Metohi, Dibër – Tetovë, Kërçovë etj./. Balli është organizatë e cila për çështjen e Kosovës që tani ka marr qëndrimin ‘Kosova është e jona’. Këtë e pëlqejnë kosovarët dhe ata shpresojnë që Balli ‘do i shpëtoj nga hakmarrja eventuale’. Reaksioni atje është i fortë. Mobilizimin e ushtrisë e kanë bërë përmes 18 batalioneve. Nga këtu kanë dërguar numër të duhur të oficerëve për ta udhëhequr komandën. Edhe këtë po e favorizon Balli, përkatësisht veprohet me dijen, miratimin dhe ndihmën e tij, për shkak rrezikut të ‘madh’ nga serbët, ne ‘duhet detyrimisht ta kemi ushtrinë’.
KQ (i PKSH-së – Q.L.) përmes një trakti u është drejtuar popujve në Kosovë e Metohi. Në të më së shumti u drejtohet shqiptarëve. Ftohen në luftë kundër pushtuesit, për vëllazërim bashkimin e popullit të Kosovës në luftën kundër pushtuesit të tyre, për unitetin në luftën heroike të Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë, e cila është garancë se në Jugosllavi nuk do të vij deri te gjendja e vjetër – reakcioni serbomadh – për vetvendosjen e popujve etj. /Traktin nuk e kam përkthyer, sepse ka material bukur të madh për përkthim. Ai është kryesisht në këtë drejtim/. Ai është shumëzuar /shtypur/ në 8.000 ekzemplarë dhe dërguar në Kosovë. Çështjen e Kosovës e kanë shumë të qartë shokët (e KQ të PKSH-së – Q.L.). Ua kam përkthyer disa pjesë nga artikulli i juaj nga ‘Proleter’ /jo edhe tërë artikullin, sepse për atë nevojitet njeri i cili e njeh mirë gjuhën shqipe. Gjithsesi se do ta përkthejmë/. Natyrisht, artikullin do ta botojmë në një nga numrat e ‘Zërit të Popullit’ /organ i Partisë Komuniste/. Për Kosovën kemi pasur pikëpamje të ndryshme. Tempo dhe unë kemi biseduar se si të punohet më së miri në K. dhe M (Kosovë dhe Metohi – Q. L.). Nuk kemi ndërmarrë asgjë edhe pse pati kombinime të ndryshme. Mua më shkroi shoku Millutin (Ivan Millutinoviq, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm i LNÇJ-së – Q. L.) dhe në letër e ka sqaruar çështjen e Kosovës – sipas së vjetrës ‘parimisht të mos hyni në detaje’. Për çështjen e Kosovës është e domosdoshme ndihma e juaj /Tempo u ka shkruar për gjërat dhe zhvillimin e ngjarjeve në K. e M. prandaj nuk ka nevojë ta përshkruaj atë situatë. Vetëm se kam për të shtuar se në rrethin e Gjakovës situata është përmirësuar dukshëm. Na kanë raportuar se partizanët dhe populli i armatosur e kanë marrë Gjakovën dhe e kanë mbajtur 6 ditë, që më pas janë tërhequr në drejtim të Deçanit. Nuk kemi njohuri se çfarë ata kanë punuar në Gjakovën e çliruar. Për të gjitha vendbanimet kufitare të ish Jugosllavisë ku shqiptarët jetojnë /kryesisht ose në shumicë dërmuese/ si për shembull, Dibra, të na sqaroni se si të puojmë. Si ta vendosim pushtetin popullor. Në lidhje me çështjen e Dibrës pati përplasje midis Tempos dhe komandantit të Zonës, Haxhi Lleshit. Tempo ka kërkuar që Dibra t’u dorëzohet partizanëve maqedonas, ndërsa Haxhiu vetëm të ndihmoj dhe më pas ta lëshoj qytetin dhe të vij herë pas herë. Haxhiu me fuqitë partizane lufton në rrethin e Dibrës më shumë se një vit dhe ka ndikim, por në realitet, atje forcë kryesore është reaksioni dibran – bajraktarët. Nëse pushteti do t’u jepej maqedonasve të cilët nuk kanë forcë t’u kundërvihen bajraktarëve, në atë rast ata do të shkatërroheshin. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që Haxhiu do të qëndronte në Dibër. Mua më duket se shoku Tempo çështjen e kufirit po e shtronë në mënyrë të vrazhdë. Është e paqartë se çfarë qëndrimi të marrim në raste të tilla.
Formimi i Ushtrisë Nacionalçlirimtare ka shkuar, si dhe është duke shkuar me shumë vështirësi. Shkaku kryesor është mungesa e udhëheqësve dhe organizatorëve me përvojë. Po përballemi me vështirësi rreth organizimit, sepse në Shqipëri nuk kanë mësuar për organizim. Është vështirë t’i adaptosh. Por të rinjtë përshtaten më mirë, nëpër brigada thuajse të gjithë janë njerëz të rinj.
U fillua me çeta të shpërndara dhe të palidhura midis vete, në formimin e çetave dhe batalioneve sulmuese, e tash edhe të brigadave. Deri më tash janë organizuar dy brigada, brigada e parë dhe e treta, ndërsa organizimi i brigadës së dytë është në përfundim e sipër. Ajo për disa ditë do të jetë e pajisur. Përveç brigadës I, II dhe III parashohim formimin edhe të brigadës IV në rrethin e Korçës, të V në rrethin e Vlorës dhe të VI në Gjirokastër. Kjo ushtri /batalione dhe brigada sulmuese/ është organizuar kryesisht në jug, ndërsa në veri qëndrojmë dobët. Një batalion sulmues në rrethin e Shkodrës dhe një çetë e vogël njerëzish në Lumë.
Brigada e parë është organizuar që më 15 korrik 1943 /me manifestim/, dhe gjatë asaj kohe marshoi thuajse në tërë Shqipërinë Jugore nga Shkumbini e poshtë, brigada e II dhe e III u organizuan rreth Elbasanit dhe Tiranës. Ata për detyrë do ta kenë të depërtojnë në zonat reaksionare në Shqipërinë Veriore. Përpiqem që mos të thyhen batalionet sulmuese, veçanërsht jo ato që janë të lidhur me zonat e tyre e që nuk duan nëpër brigada, por që do të luftojnë mirë në zonat e tyre. Brigadat nuk janë të lidhura me territore dhe nuk janë të mëdha. Brigada e parë në fillim pati 590 ushtarë, ndërsa tash është rritur në 800. – E II dhe e III më së shumti 550. Çdo brigadë ka nga katër batalione dhe një çetë shoqëruese. Të gjitha batalionet, e kjo vërehet deridiku edhe te brigadat, nuk kanë aftësi sulmuese luftarake. Ata më shumë janë në pozitë mbrojtëse. Prandaj një ndër detyrat primare do të jetë shërimi i kësaj sëmundjeje, përkatësisht të fitohet një frymë sulmuese.
Por përveç dobësive të ngjashme, ndodh që shokët nëpër çeta, batalione, të shndërrohen në burokrat apo detyrën e tyre ta kuptojnë në mënyrë tepër të ngushtë. U mungon veçanërisht stili, sistemi i punës. I ka kapluar së tepërmi ngadalësia. Kemi udhëheqës të dobët ushtarak, prandaj në ushtrinë tonë ende mungon perspektiva. Në këtë drejtim ka bërë një hap para brigada e parë. Mungesa e udhëheqësve ushtarak neve na detyroi të formojmë batalione të vogla dhe me lëvizje të lehta. Ne nuk kemi apo kemi fare pak oficerë me akademi të kryer dhe shokët tanë aftësohen për udhjëheqës ushtarak. Në këtë mënyrë gjatë betejave janë avancuar mjaft, veçanërisht në rrethin e Vlorës dhe të Gjirokastrës /atje ku pati më së shumti beteja/.
Pas kapitullimit të Italisë, shokët udhëheqon kursin e çlirimit të qyteteve. Në këtë mënyrë është çliruar Berati, me luftime në Gjirokastër /italianët e lëshuan pa luftë/ dhe i pari në atë qytet hyri Balli me 600 vetë. Kjo është zonë ku Balli është më i fortë. Më pas u futën partizanët tanë dhe njësitë vullnetare, rreth 1.500 partizanë, ata u pritën me lule nga populli. Balli filloi ta plaçkisë popullin dhe dyqanet, prandaj qytetarët janë kryesisht kundër Ballit, ndërsa tanët për shkak dobësisë ‘me ta e ndajnë pushtetin’. U sulmua Pogradeci dhe pas luftimeve dyditore nëpër rrugica /sepse pjesa më e madhe e qytetit ishte në duart tona, italianët mbanin vetëm atë pjesë të qytetit ku ishin kazermat/ u detyruan të tërhiqen. Italianët të ndihmuar nga gjermanët e rimorën dhe e dogjën thuajse tërë qytetin. Në atë betejë qe kyçur edhe brigada e parë. Tsh është në duart tona që u morrë nga detashmenti partizan i Mokrës. /detashmenti Reshid Çollaku, shoku i cili qe vra, komandant batalioni i Mokrës. Për vrasjen e tij njoftoi edhe Moska/.
Korça nuk qe sulmuar, sepse nuk pati forca, ndërsa atje gjermanët ishin shumë të fuqishëm, dhe i tërë garnizoni italian prej 5.000 ushtarëve kaloi në anën e gjermanëve. Vlora ishte në duart e gjermanëve shumë kohë më parë. Ata e fortifikuan mirë bregdetin, por shokët tanë i sulmonin nga të gjitha anët, kështu që Vlora qe shkëputur për një periudhë të gjatë kohore /kjo edhe për shkak sulmeve të vazhdueshme dhe ndërprerjes së komunikacionit/. Atje partizanët u treguan të fuqishëm në luftimet kundër gjermanëve. Saranda është në duart tona, pastaj Lushnja kalonte më shumë herë nga një dorë në dorë tjetër, Dibra, Peshkopia dhe Bureli /i cili me kohë qe djegur tërësisht nga italianët/ janë në duart tona /këtu kemi çliruar një kamp robërish lufte nga Mali i Zi dhe K. e M./. Kruja është marrë me luftë dhe partizanët e mbajtën së bashku me Bazin e Canës (pseudonimi i Abaz Kupit – Q. L.) /majorin zogistë, i cili është në Frontin Nacionalçlirimtar dhe në Partinë e Zogut, ndërsa manevron shumë mirë edhe me Ballin/. Ne me të, politikisht do t’i pastrojmë punët në rast se nuk deklarohet se është vetëm me ne. Ka ndikim bukur të madh /veçanërisht në Malësi/, ku qëndruam katër ditë, që më pas u detyruam ta lëshojmë. Aty në betejën kundër gjermanëve mori pjesë edhe divizioni italian ‘Firenca’, përkatësisht disa batalione të sajë. Divizioni ishte në Dibër dhe i tëri kaloi në anën e partizanëve. Kaloi edhe në vende tjera kështu që në anën tonë kemi rreth 14 deri 16 mijë italianë, duke mosi i llogaritur robërit e luftës. Shumë nga ata kanë deklaruar se më shumë dëshirojnë të shkojnë në brendi të vendit, e jo në luftë, dhe ne i kemi çarmatosur dhe i kemi dërguar në punë, të kryejnë meremetimin e fshatrave të djegura, ndërsa luftëtarët i kemi pranuar si bashkëluftëtarë kundër gjermanëve. Është formuar komanda e tyre ‘Komandno militare italjano dela trupe dela montanja’, – e cila mban lidhje me shtabin tonë përmes një ‘zyre’ për lidhje ndërmjet ‘shtabeve’, aty gjenden dy oficerë dhe një delegat i yni. Zyra të ngjashme janë hapur edhe nëpër Zona. Ndoshta kemi gabuar që nëpër brigada i kemi kyçur dy çeta partizane italiane, që këtë e kërkuan vetë ata.
Në brigadën e parë çeta ‘Gariballdi’ ndërsa në të tretën ‘Mateoti’. Në kuadër të çetave janë të emëruar komisarët politik dhe komandantët. Jo vetëm për shkak se reakcioni mund këtë ta përdor në luftën kundër nesh, por edhe për shkak asaj se kemi bërë izolimin e njerëzve të mirë të cilët mund të punonin në ushtrinë italiane. Ne e kemi ndërprerë pranimin e mëtutjeshëm dhe u kemi thënë se vetë italianët të formojnë çeta partizane me komisarë politik dhe komandantë, të cilët gjithashtu do të jenë nën komandën e tyre.
Dy gjeneralë janë në anën tonë. Gjeneral Arnalldo Azi komandant i Divizionit Firence dhe Picini.
– Shoku Millutin në letrën e KQ-së thekson se në shtabet e tyre /italiane/ duhet deleguar nga një delegat të Shtabit Kryesor. Kjo vërtetë është më praktike. Ai thotë se italianët duhet armatosur dhe dërguar në luftë, t’i llogarisim si ushtri dhe nuk guxojmë t’i nënçmojmë. Ndërkohë, Tempo thotë se të gjithë ata duhet çarmatosur dhe armatimin t’ua shpërndajmë partizanëve. Por italianët do të shkojnë në luftë edhe atë së bashku me partizanët tanë të cilët tash janë më mirë të armatosur.
Kemi patur disa konflikte me ushtrinë gjermane, si në Qukës /midis Librazhdit dhe Qafë Thanës/ dy batalione të brigadëssë I dhe një batalion vendor kanë sulmuar autokolonën gjermane dhe italiane. Gjatë luftimeve gjermanët patën rreth 200 të vrarë dhe rreth 30 italianë. Partizanët patën dy të vrarë dhe më shumë /19/ të plagosur. Janë shkatërruar gjashtë kamionë dhe është konfiskuar material i madh ushtarak. Në rrethin e Vlorës /Drazhovicë/ në luftë kundër partizanëve, gjermanët i kanë përdorur tanket, por megjithatë patën 120 të vrarë dhe më shumë të plagosur. Në anën e partizanëve pati humbje të dukshme. Është plagosur në këmbë edhe zëvendës komisari politik i Zonës Vlorë-Gjirokastër, Hysni Kapo. Me ndikim të madh dhe shumë i popullarizuar në krahinën e Vlorës. Në rrethinën e Tiranës është zënë rob i tërë shtabi i një regjimenti gjerman. Njëmbëdhjetë oficerë, në mesin e tyre edhe nënkoloneli /komandant regjimenti/, 19 ushtarë. Të gjithë janë pushkatuar. Gjermanët organizuan një ofensivë kundër Zonës së Pezës. Në afërsi të drejtpërdrejtë të Tiranës në fshatin Arbon. Sulmi ishte i fuqishëm, u përdorën edhe tanket /6 tanke/ por ata u detyruan të tërhiqeshin pas një lufte e cila zgjati plotë 12 orë, duke lënë 45 të vrarë dhe shumë të plagosur. U tërhoqën në një rrëmujë dhe nuk patën mundësi t’i grumbullojnë të gjithë të plagosurit. Kështu flet një gjerman i plagosur”.
(vijon nesër)