Është vështirë ta udhëheqësh politikën dhe linjën e Partisë në një vend ku ka shumë intriga dhe ndërkëmbëza. Këtë unë nuk e pohoj për ta arsyetuar ndonjë gabim apo të ndonjë gabimi eventual, por mendoj se si është më së miri për çështjen e Partisë në Shqipëri. Pikërisht për këtë, sepse mungon literatura dhe materiali që shokët do ta përkthenin, shokët ende nuk janë në gjendje të botojnë një organ të KQ-së. Nuk dinë çfarë dhe si të shkruajnë në të
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Marrëveshja e Mukjes e nënshkruar më 2 gusht 1943 midis Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacioonalçlirimtar, me të cilën parashihej themelimi i Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, i cili do ta drejtonte luftën e shqiptarëve kundër pushtuesit fashist dhe kundër çdo pushtuesi tjetër eventual, u kundërshtua ashpër asaj kohe nga Dushan Mugosha dhe Milladin Popoviqi, dy instruktorët e përhershëm të Partisë Komuniste të Jugosllavisë pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë. Pikërisht me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të tyre, por edhe të Svetozar Vukmanoviq Tempos, Enver Hoxha në Konferencën e II të KNÇSh-së, e cila u mbajt në shtator të atij viti në Labinot, Marrëveshjen e Mukjes, jo vetëm që e shpalli si të pavlefshme, por edhe si të dëmshme për ideologjinë komuniste. Se udhëheqja e PKSh-së ishte vegël e zgjatur e udhëheqjes së PKJ-së, atë më së miri e shohim në letrën e Milladin Popoviqit, dërguar më 19 tetor 1943 Josip Broz Titos. Siç do të shohim në vazhdim, Popoviqi, në letër i sulmonte ashpër delegatët e PKSh-së në Mukje, për shkak se ata janë pajtuar të nënshkruajnë një marrëveshje, e cila parashikonte themelimin e “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë”, me kompetencë të plotfuqishme për ta udhëhequr luftën kundër pushtuesit fashist dhe kundër çdo pushtuesi tjetër eventual.
“Detyra kryesore e delegatëve, shprehet në letër Popoviqi, nuk ka qenë formimi i komitetit dhe hartimi i programit, por vetëm të bisedohet me Ballin në lidhje me luftën dhe hyrjen në luftë të Ballit, por jo demonstrative, por luftë të pandërprerë kundër pushtuesit fashist…”. Sipas tij, Balli Kombëtar përbënte bërthamën kryesore të “reakcionit” shqiptarë, ndikimi i të cilit më së shumti shprehej në “Shqipërinë e Re”, përkatësisht në Kosovë dhe në Trevat Lindore, që kjo organizatë kombëtare shqiptare, i konsideronte si toka shqiptare dhe si të tilla duhej t’i bashkangjiteshin Shqipërisë. Më tej ai shkruan edhe për rolin dhe ndikimin e Lëvizjes së Legalitetit, të Partisë Socialdemokrate, të figurave nacionaliste shqiptare siç ishin, Mit’had Frashëri, Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Fiqiri Dine etj., për klerin katolik shqiptar ndikimi i të cilit ishte shumë i madh në Shqipërinë Veriore, për misionin ushtarak britanik, për dashurinë e pafund të kreut të PKSh-së ndaj PKJ-së dhe J. B. Titos, etj. Meqenëse kjo letër, që ruhet në Arkivin e Jugosllavisë, fondi KQ i PKJ-së (507), nuk është botuar deri më tash, e pash të arsyeshme atë ta botoj të plotë në gazetën shqiptare KOHA – Shkup.
* * *
“Mund të konstatohet një çështje. Gjermanët janë shumë të dobët dhe të paktë. Ushtarët janë kryesisht të nacionaliteteve tjera dhe shumë të ri. Më së shumti janë nga Austria. Dobësia e tyre shihet në atë se ende nuk kanë arritur ta organizojnë pushtetin, edhe pse për këtë u ndihmon Komiteti. Pastaj, nuk ka as reprezalje aq të forta si më parë. Përpiqen të bëjnë diçka përmes reakcionit të brendshëm, ose përmes italianëve, milicëve dhe karabinierëve, të cilët kanë kaluar në anën e tyre. Frika në popull është e madhe, por jo edhe ndikimi. Propaganda është shumë e shkathtë. Ata e kanë shpallur ‘pavarësinë e Shqipërisë’ dhe i kanë liruar të gjithë nga kampet e përqendrimit. Kështu sikur po vjen një sistem më i mirë se ai i italianëve.
Këtu kanë ardhur rreth 25 anglezë. Misioni ushtarak, 5 majorë dhe 3 kapitenë, të tjerët personel ndihmës, radiotelegrafistë, posedojnë 8 radiostacioine. Gjenden nëpër zona të ndryshme, dhe punojnë të pavarur nga njëri-tjetri. Në shtab gjendet vazhdimisht një kapiten dhe herë pas here një major, por jo edhe në shtab. Në fillim erdhi një major dhe një kapiten me radiotelegrafistin dhe stacionin /majori Meklen dhe kapiteni Devis/ – Në mbledhje të KNÇ-së u vendos të thirret majori Meklen dhe t’i bëhet me dije se çfarë ai mund të punoj në Shqipëri, e njëkohësisht nga ai të kërkohet se përse ka ardhur.
Në mbledhjen e Kryesisë së KNÇ-së me Maklenin, u bë një procesverbal që u firmos si nga anglezi ashtu edhe nga Presidiumi. Në të, veç tjerash u fol për njohjen e misionit ushtarak si mision aleat, si dhe për ndihmën e ofruar nga Anglia, por edhe të mos i lejohet misionit ushtarak të ndërhyjë në punët e brendshme. Në të kundërtën do të jenë përgjegjës para aleatëve, para historisë dhe mbi të gjitha para popullit të Shqipërisë. – Ai deklaroi se ka ardhur vetëm për t’i ndihmuar me armë Luftës Nacionalçlirimtare të Shqipërisë.- Në fillim edhe kanë ndihmuar diçka, më vonë na dërguan nga ndonjë ‘hardhi schwartz’ me aeroplanët që vinin anglezët. Më vonë më pak, ndërsa tash krahas veshmbathjeve hedhin edhe ndonjë pushkë antitank /kryesisht ndihmë të dobët/.
KNÇ kërkoi ndihmë financiare në formën e kredisë shtetërore /kjo nuk hyri në procesverbal/ në shumë prej 10.000 paund stërlina për Ushtrinë Nacionalçlirimtare. Nga kjo deri më tash është dhënë 8.400 paund stërlina. Në qershor janë dhënë 4.000 dhe kjo mund të konsiderohet si përfitim i vetëm, e jo të tjerat, sepse ato u janë shpërnda zonave dhe personaliteteve të caktuara /diçka më herët, para mbledhjes, e pak më vonë përkundër insistimit tonë që tërë ajo t’i jepej shtabit/. Millutini i ka thënë delegatit të shtabit dhe të KQ-së se kjo është gabim, por si do të ishte nëse do të ngeleshim vetëm me ndihmën e popullit. Kjo nuk nënkupton se nuk do të mund ta përballonim.
Kanë deklaruar se do të na ndihmojnë me propagandë, por deri më tash nuk kanë bërë asgjë, edhe pse majori thekson se ata njoftojnë, por se të njëjtat ‘shkëputen nga censura e Londrës’. Por kjo mund edhe të kuptohet kësisoj. Ashtu sikurse flasin për reaksionarë të ndryshëm dhe ‘daljen e tyre në mal’. Kanë menduar se mund të hyjnë nëpër shtabe sikurse në Greqi /siç më ka folur Tempo/, besoj se të ka shkruar, ndërsa tash janë të bindur se kjo nuk është e mundur. Tani ata po e ndryshojnë kursin. Thonë se brenda disa ditëve do të vij ndonjë gjeneral /siç janë ‘gjenerala’ dhe ‘majora’ të gjithë ata/. Me siguri edhe ai do të provoj diçka në këtë drejtim. Thonë se do të vij edhe një amerikan.
E gjithë kjo përbën një çështje të lehtë, nëse ata nuk do të fillonin të ndërhynin në punët e brendshme. Ata vrapojnë te të gjithë dhe bisedojnë me të gjithë. Madje ata janë të mendimit që të krijohet një bllok i përbashkët midis Vërlacit, Mustafa Krujës, Vrijonit dhe Bazit të Canës. Ja pra shkojnë aq larg. Koketojnë me Ballin dhe aty-këtu e kanë ndihmuar me armatim.
I ka befasuar së tepërmi lajmi për ardhjen tek ne të parashutistëve sovjetik. Në fakt, i ka shqetësuar. Nëse do të ishte e mundur disa prej tyre të vinin në Shqipëri, do të ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse do të varrosej ndikimi i anglezëve, ndërsa do të rritej edhe më shumë simpatia e BRSS-së. Më së shumti për shkak se do të na nevojitej ndihma e tyre. Prandaj nëse do të kishte mundësi, mirë do të ishte të zbresin edhe te ne në Shqipëri. Nga këtu ne shumë lehtë do të mund t’i depërtonim në Greqi, ku për mendimin tim atje janë më se të nevojshëm se kudo tjetër.
Udhëheqja ushtarake është e dobët. Sidomos për një strateg me përvojë në Shtabin e Përgjithshëm. Në të shumtën e rasteve, neve na mungon lidhshmëria në luftë, por secili udhëheq ashtu siç vetë ai e sheh si të nevojshme. I pavarur dhe pa asnjë plan. Duhet të vij një shokë me përvojë – oficer, i cili do të ishte pranë Shtabit të Përgjithshëm që do të ndihmonte me udhëheqjen operative.
Në letrat e mëhershme ua kam përkujtuar vazhdimisht, por edhe tash dua ta theksoj, se është absolutisht e nevojshme ardhja e një shoku politikan dhe udhëheqës me përvojë, i cili do të mund vërtetë të udhëhiqte dhe Partisë do ia jepte linjën e duhur. Ai është i nevojshëm më shumë se kurdoherë tjetër, sepse KQ të PKSh-së në mënyrë absolute i nevojitet ndihmë dhe atë e pretë nga PKJ-ja, për të cilën ka simpati të pakufizuar dhe për të, ajo paraqet një autoritet. Juve ju njohin të gjithë. Më duket se fjalë të mira dijnë më shumë për PKJ-në se sa për PKSH-në. Çështjet në Shqipëri nuk duhet nënçmuar. /Kur ta dërgoni shokun dërgojeni me radiostacion dhe profesionistë, sepse radiostacionet e këtushëm janë me rreze të vogla/. Është vështirë ta udhëheqësh politikën dhe linjën e Partisë në një vend ku ka shumë intriga dhe ndërkëmbëza. Këtë unë nuk e pohoj për ta arsyetuar ndonjë gabim apo të ndonjë gabimi eventual, por mendoj se si është më së miri për çështjen e Partisë në Shqipëri. Pikërisht për këtë, sepse mungon literatura dhe materiali që shokët do ta përkthenin, shokët ende nuk janë në gjendje të botojnë një organ të KQ-së. Nuk dinë çfarë dhe si të shkruajnë në të.
Atëherë kur do ta dërgonit shokun, unë do të mund të shkoja në Kosovë. Kjo çështje qe shtruar edhe më herët gjatë bisedës me Tempon, por edhe delegati i KQ-së bisedoi me Millutinin, i cili vendosi të shkoj në Kosovë, ndërsa në letrën e fundit thotë të ngeli pranë KQ të PKSH-së. /Nëse eventualisht do të ngeli këtu, atëherë do të duhet të më shkruani edhe për atë se çfarë të drejta dhe obligimi kam, sepse çështja e kompetencës është prekur nga Millutini në një letër drejtuar Tempos. Edhe atë sikur unë përzihem edhe në çështjet teknike, financiare, politike dhe organizative. Vërtetë jam përzier, dhe përzihem në këto dy të fundit, sepse në të kundërtën nuk e di se përse do të isha këtu. Përzihem gjithashtu, madje shumë, në çështjen ushtarake për shkak mangësive dhe gabimeve që u theksuan më lartë.
Reakcioni neve na sulmon në mënyrë të hapur – Dushanin dhe mua, dhe për këtë arsye mirë do të ishte që të shkonim në Kosovë.
Për çdo rast, ata duhet të mbajnë lidhje të drejtpërdrejtë me ju, sepse në të kundërtën mund të gabohet. Ka 20 ditë që kam temperaturë të lartë, pothuajse vazhdimisht 38.2, e ndonjëherë arrin edhe 40. Për këtë shkak ky raport ndoshta nuk është i plotë. Të shpresojmë për një lidhje të shpejtë, atëherë do të jetë më lehtë.
Shoku Millutin na e ka dërguar shifrën të cilën ne nuk kemi mundur ta shfrytëzojmë, sepse stacionet na janë të vogla dhe kryesisht të prishura. Vazhdimisht u mungon diçka. Me rastin e ofensivës në Pezë, shokët e kanë shkatërruar pa e ditur se çfarë është. Ajo ka qenë në materialin e përbashkët. Për çdo rast, ju bënë ndryshimin e sistemit. Jam i sigurt se shokët e kanë shkatërruar, por megjithatë ajo nuk ka qenë e plotë, sepse nuk pati valë, por kjo nuk e ndryshon çështjen.
Me përshëndetje shoqërore – Vdekje Fashizmit – Liri Popullit!
Milladini T.P, 19.03. 1943
P.S. Edhe dy gjera. Nëse mundeni në Londër të pyetni për Mustafa Gjinishin, përmes lidhjeve tuaja, se si qëndron me ta, sepse është në Sh. e Përgjithshëm të KNÇ-së dhe anëtar partie, ndërsa nuk i ka duart e pastra. Kësisoj na erdhi një mesazh nga Londra, përkatësisht në pseudonimin e tij, në shtator rreth 14-15 IX /tre ditë/.
Pastaj duhet të shkruani në M. (Moskë – Q.L.) se si qëndron situata me Sejfullah Malishovën. Këtë e kam parashtruar edhe më herët, por tashti është e nevojshme, sepse po bëhet një fantazmë me lidhjet e tij me L dhe L në Moskë, me partinë franceze dhe italiane, me të cilat ka qenë në lidhje të mira në Francë, ku është vendosur që në vitin 1939, i dërguar për punë të veçantë nga KI, që natyrisht neve nuk na ka treguar. Gjatë kohës së luftës, lidhjen nuk e ka vendosur kështu që ka ngelur në Francë, deri në shtator të vitit 1943. Në R. ka qenë si në një nga “komitet e kontrollit” i cili ka kryer kontrolle në fabrika dhe qytetet përreth. Tash nuk dakordohet plotësisht me linjën. Ai lëvizë. Herë për luftë kundër Ballit deri në shfarosje, herë më butë me Ballin. Ka edhe gjëra tjera që e dallojnë nga linja”.
(fund)