“E bukura do të ndryshoj botën”, kështu ka shkruar Dostojevski. Françeska Rustemi është zgjedhur si shoqëruesja e parë e misit në kompeticionin e bukurisë “Miss Shqipëria 2020”. Por, bukuroshja është përzgjedhur edhe nga emisioni “Stop” i KLAN TV, për të qenë velinë përgjatë emisionit. Në një rrëfim për InfraRed të gazetës KOHA, Rustemi zbulon të thënat dhe të pathënat e natës finale të kompeticionit të bukurisë, marrëdhënies e ngushtë me Oriola Marshin, si dhe detaje të tjera që s’i ka bërë më parë publike. Bukuroshja që premton shumë për tregun e modelingut nuk e fsheh dhe interesin për pasarelat përtej kufijve
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Françeska, je shoqëruesja e parë e më të bukurës së shqiptarëve e shpallur në kompeticionin e bukurisë “Miss Albania 2020”. Ç’do të thotë kjo për ty?
Sigurisht është një çmim shumë prestigjioz dhe ndjehem shumë e lumtur që e mbaj këtë kurorë.
KOHA: Ti mban në kokë një kurorë, sa mbretëreshë ndihesh brenda vetes?
Çdo vajzë duhet të ndihet një mbretëreshë me apo pa kurorë, të përpiqet të realizoj ëndrrat me forcat e veta dhe të besoj tek vetja që mund t’ja dalë.
KOHA: Vazhdojnë të të shoqërojnë emocionet e mbrëmjes kur rrëmbeve çmimin e shoqërueses së parë?
Sigurisht që po. Magjia e skenës së “Miss Shqipërisë” vazhdon ende të ngroh shpirtin. Emocionet bëhen akoma dhe më të forta, kur bashkohen me dashurinë, që publiku ka treguar ndaj meje, një ndjenjë e re kjo që nuk e kisha përjetuar më parë.
KOHA: Ti je vetëm 15 vjeçe, por kaq e bukur, sa e përkëdhelur ndihesh nga fati?
Me thënë të drejtën më ka buzëqeshur fati deri më tani. E konsideroj veten me fat, për faktin që kam këtë fizik dhe kjo gjë më ka favorizuar që të futem herët në rrugën e modelingut, por mendoj se me punë dhe dëshirë arrihet gjithçka dhe nëse je vërtet e vendosur për të vënë në zbatim planet dhe për të realizuar ëndrrat e tua nuk ka gjë që të të ndaloj. Për mua mosha është veç se një numër rëndësi ka, që në çdo vit, që kalon e vogël apo jo të kesh fuqinë të bësh atë që ti do dhe atë që ty të plotëson.
KOHA: Një adoleshente miss, që ka realizuar sete fotografish me një nga emrat më të njohur të pasarelave, Oriola Marashi, ke lidhur, po ashtu një kontratë me “Stop” a nuk të duket sikur ke arritur gjëra që njerëz të tjerë i arrijnë pas 3 dekadash jetë?
Sinqerisht kam punuar shumë që të arrij deri këtu edhe pse kam një kohë të shkurtër në këtë rrugë kam qenë e fokusuar në çfarë dua të arrij edhe pse kjo më ka kufizuar të jem një vajzë adoleshente si gjithë moshataret e mia. Për pjesën e Stopit jam shumë e lumtur që do të bëhem pjesë e stafit dhe besoj do të japë më të mirën time.
KOHA: Si është të jesh mikeshë dhe të punosh me emrin me të njohur në modelingun shqiptar e jo vetëm, Oriola Marashin?
Oriola Marashi ka qenë idhulli im dhe jam shumë e lumtur për bashkëpunimin me të. Është shumë profesioniste në punën e saj. Më bëhet shumë qejfi që u përshtatem bashkë kjo edhe fal fotografit Juxhin Kurti, që ka bërë një punë të mrekullueshme.
KOHA: E kishe menduar veten fituese të ndonjë çmimi apo të erdhi e papritur?
Sinqerisht, rrugëtimi im në “Miss Shqipëria” ka qenë i bukur dhe në të njëjtën kohë sprovues. Mendova të bëja diçka ndryshe dhe ta sprovoja veten përtej modelingut dhe mendoj që ia dola mbanë me forcat e mia.
KOHA: Sa e vështirë ishte përballja me vajzat e misit?
Duke qenë se gjithmonë jam përballur me sfida, të cilat më kanë mësuar përgjegjësinë, respektin dhe profesionalitetin në punë dhe jo vetëm nuk është se ishte dhe aq e vështirë. Ja kam dalë mbanë të përshtatem më së miri edhe jashtë rrethit tim shoqëror.
KOHA: Sa të aftë e ndjen veten për t’u paraqitur në pasarela botërore?
Aftësia është e lindur, por gjithmonë perfeksionohet duke qenë se më pëlqejnë sfidat. Kjo do të ishte një nga ato të pamundurat, të cilat duan shumë punë për tu arritur, por rrugëtimi im sapo ka nisur dhe mendoj që kam ende punë për të bërë përpara, që të mund të arrij pasarelat botërore kjo është dhe ëndrra ime.
KOHA: Besoj se pas pasarelave, ku të gjithëve u duket gjithçka e bukur, ka edhe stres, egoizëm dhe zili. Sa e vështirë është t`i përballosh të gjitha këto, duke marrë parasysh që pjesa më e madhe e vajzave e fillojnë këtë eksperiencë shumë herët? Po në sport ka të njëjtat bërryla profesionalë?
Patjetër që po, por unë jam tip që mundohem ti anashkaloj dhe mos t’ju japë shumë rëndësi.
KOHA: Cili është ndryshimi i një modeleje nga një miss?
Në të vërtet nuk është se ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra, të dyja kanë skenën dhe të bukurën në plan të parë. I vetmi ndryshim është se të jesh një mis ke përgjegjësi kurorën, kurse një modele ka përgjegjësi vetëm skenën dhe momentin, që duhet për të shpalosur aftësitë në sfilat.
KOHA: Cilat mendon se janë hapat që duhen ndjekur për të qenë ikonë e modës?
Për të qenë ikonë e modës fillimisht duhet shumë punë, një menaxhim i mirë dhe dëshira për të vazhduar rrugëtimin sa të lodhshëm aq edhe të bukur.
KOHA: Cila është mbështetja jote më e madhe?
Mbështetja ime më e madhe, që prej ditës së parë ka qenë dhe vazhdon të jetë familja ime, e cila më mbështet në çdo hap që unë hedh.
KOHA: Një mesazh apo një urim?
Në radhë të parë të falënderoj ty për intervistën dhe uroj që të dalim sa më shpejtë nga kjo situatë e vështirë e pandemisë, që po kalojmë dhe besoj gjëra të bukura na presin.