Autoritetet në Francë janë vënë në kërkim të gjërë pas një të burgosuri i cili u arratis me helikopter që të dielën u ul në oborrin e burgut me tre persona të armatosur, transmeton Anadolu Agency (AA).
France Info ka publikuar se Redoine Faid (46), i dënuar me 25 vite burg, është arratisur nga burgu Reau në jug të Parasit të dielën.
Personat e armatosur fillimisht kanë hedhur një bombë tymuese dhe më pas mundësuan arratisjen e Faid.
Vetëm pas disa minutash helikopteri u largua nga hapësira mbi burgun dhe u nis në drejtim të pjesës veriore të qytetit. Helikopteri pas një kërkimi rreth një orësh, u gjet i djegur pranë aeroportit Charles-de-Gaulle.
Personat e armatosur kanë liruar pilotin e rrëmbyer dhe me një automobil të zi janë drejtuar në autostradën A1. Faid dhe ndihmuesit e tij në paralagjen Aulnay-sous-Bois kanë ndërruar automjetin e tyre, pas së cilës kanë humbur çdo gjurmë.
Redoine Faid, i njohur publikisht si armiku numër një i Francës, është arratisur nga burgu në Reau për më pak se dhjetë minuta.
Kryeministri francez, Edward Philippe, ka thënë se 2.900 oficerë policie janë lëshuar në kërkim të Faid.
“Këtë herë policia është plotësisht e mobilizuar për të arrestuar këtë person”, ka thënë Philipe për radion franceze RTL të hënën.
Ai shtoi se është i vetëdijshëm se situata është e rrezikshme dhe se mobilizimi për kapjen e të arratisurit është urgjent. Ai gjithashtu pranoi se një arratisje e tillë vë në dyshim sigurinë e burgut.
Ministrja e Drejtësisë, Nicole Belloubet, e cila mbërriti në burgun Reau të dielën në mbrëmje, tha se ndihmësit e Faid me shumë gjasë kanë përdorur dronë për të hetuar vendin, kurse hetimet që janë në vazhdim do të ofrojnë më shumë informacione.
Belloubet gjithashtu tha se autoritetet po kërkojnë boshllëqet në sistemin e sigurisë që lejuan personat me armatim të rëndë të zbarkojnë me helikopter në oborrin e burgut dhe të ngriten së bashku me Redoine Faid.
Faid, i cili është përfshirë në një seri veprash penale, u dënua me 25 vjet burg për një plaçkitje të vitit 2010 dhe vrasjen e një polici. Jeta dhe grabitja e tij janë përshkruar gjithashtu në një libër. Kjo nuk është arratisja e tij e parë nga burgu. Më 13 prill 2013, ai u arratis nga burgu në Lille-Sequedin dhe u kap në një dhomë hoteli më 29 maj.