Lionel Messi, golashënuesi i dytë më i mirë në edicionin e fundit të Çampionsit, me njëmbëdhjetë gola (mbas Kristiano Ronaldos), është lënë jashtë njëmbëdhjetëshes (formacionit) më të mirë të këtij kompeticioni nga revista “France Football”. Një fakt i rëndësishëm, duke pasur parasysh se kjo revistë prestigjioze sportive jep edhe “Topin e Artë” për lojtarin më të mirë të vitit. Gazetarët francezë kanë preferuar të zgjedhin Dybala, Nejmar dhe Kristiano Ronaldo, si të preferuar për të hequr çmimin e këtij viti, në sulm. Njëmbëdhjetëshja përbëhet nga katër lojtarë të Juventusit, katër të Real Madridit, dy nga Monako dhe një nga Barcelona.
Çuditërisht, asnjë lojtar i Atletico Madrid nuk figuron, edhe pse skuadra spanjolle ishte gjysmëfinaliste e Çampionsit. Kështu, ekipi ideal i “France Football” kanë një sistem 4-3-3 dhe përfshin këta futbollistë: Buffon (Juventus), Dani Alves (Juventus), Ramos (Real Madrid), Bonuçi (Juventus), Marselo (Real Madrid), Fabinjo (Monako), Modriç (Real Madrid), Lemar (Monako), Dybala (Juventus), Nejmar (Barcelona) dhe Ronaldo (Real Madrid). Trajneri ideal i këtij ekipi është Zinedin Zidane. Si zëvendësues në këtë njëmbëdhjetëshe janë Ter Stegen (Barcelona), Kiellini (Juventus), Mendy (Monako), Khedira (Juventus), Messi (Barcelona), Manxhukiç (Juventus), Benzema (Real Madrid) dhe Mbappe (Monako).