Franca u kërkon vendeve arabe të ndalin bojkotin e produkteve franceze

133

Franca u ka kërkuar vendeve të Lindjes së Mesme t’i japin fund thirrjeve për bojkot të mallrave të saj. Produktet franceze janë hequr nga disa dyqane në Kuvajt, Jordani dhe Katar, si protestë ndaj qëndrimeve të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ka mbrojtur të drejtën për të publikuar karikaturat e Profetit Muhamed.

Ministria e Jashtme franceze tha se thirrjet “e pabazuara” për bojkotin e mallrave po “shtyheshin nga një pakicë radikale”.

Ndërkohë, protesta janë zhvilluar në Libi, Siri dhe Rripin e Gazës, transmeton BBC.

Protestat u nxitën nga komentet e presidentit Macron, pas vrasjes së tmerrshme të një mësuesi në Francë, i cili tregoi karikaturat e Profetit Muhamed gjatë një ore mësimi.

Presidenti Macron tha që mësuesi, Samuel Paty, “u vra sepse islamistët duan të ardhmen tonë”, por Franca “nuk do të heqë dorë nga karikaturat”.

Publikimi i imazheve të Profetit Muhamed mund të shkaktojë ofendime serioze për myslimanët, sepse tradita islamike ndalon qartë imazhet e Muhamedit.

Por, sekularizmi është thelbësor për identitetin kombëtar të Francës.

Frenimi i lirisë së shprehjes për të mbrojtur ndjenjat e një komuniteti të veçantë, sipas shtetit francez, minon unitetin.

Të dielën, Macron fuqizoi qëndrimin e tij në mbrojtje të vlerave franceze, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke shkruar: “Ne nuk do të dorëzohemi kurrë”.

Udhëheqësit politikë në Turqi dhe Pakistan kanë sulmuar presidentin Macron, duke e akuzuar atë se nuk po respekton “lirinë e besimit” duke margjinalizuar miliona myslimanë në Francë.

Të dielën, presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan tha se Macron duhet të kërkojë “kontroll të mendjes” për pikëpamjet e tij mbi Islamin.

Erdogan: Macron dëshiron “të lajë hesape” me myslimanët
Komentet e Erdoganit, e shtynë Francën të tërheqë ambasadorin e saj në Turqi për konsultime.

Sa i përhapur është bojkoti ndaj produkteve franceze?
Disa rafte të supermarketeve ishin zbrazur nga produktet franceze në Jordani, Katar dhe Kuvajt.

Në Kuvajt, një union i madh i bizneseve me pakicë ka urdhëruar një bojkot të mallrave franceze.

Unioni tha se kishte lëshuar direktivën në përgjigje të “fyerjeve të përsëritura” kundër Profetit Muhamed.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Francës tha se “këto thirrje për bojkot janë të pabazuara dhe duhet të ndalen menjëherë, si dhe të gjitha sulmet kundër vendit tonë, të cilat po shtyhen nga një pakicë radikale.”

Njerëzit janë mbledhur pranë shkollës ku ndodhi sulmi. 17 tetor, 2020.

Edhe në vende tjera, si përshembull, Arabia Saudite kanë qarkulluar thirrje në internet për të bojkotuar produktet franceze.

Një etiketim në internet që bën thirrje për bojkot të zinxhirit të supermarketeve franceze – Carrefour – ishte etiketimi i dytë më i popullarizuar në Arabinë Saudite, ekonomia më e madhe e botës arabe.

Ndërkohë, protesta të vogla anti-franceze u mbajtën në Libi, Gazë dhe Sirinë veriore, ku milicitë e mbështetura nga Turqia ushtrojnë kontroll.

Si erdhi deri te kjo situatë?
Mbrojtja e fuqishme që Macron po bën ndaj sekularizmit francez dhe kritikat ndaj islamizmit radikal pas vrasjes së mësuesit Paty kanë zemëruar disa në botën myslimane.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyp Erdogan pyeti në një fjalim: “Cili është problemi i individit të quajtur Macron me Islamin dhe me myslimanët?”

Ndërkohë lideri pakistanez, Imran Khan, akuzoi udhëheqësin francez për “sulm ndaj Islamit “.

“Presidenti Macron ka sulmuar dhe lënduar ndjenjat e miliona myslimanëve në Evropë dhe në të gjithë botën”, shkroi ai në Twitter.

Myslimanët francezë kanë frikë se shteti synon të kontrollojë besimin e tyre.

Në fillim të këtij muaji, para vrasjes së mësuesit, Macron kishte njoftuar tashmë plane për ligje më të ashpra për të trajtuar atë që ai e quajti “separatizëm islamik” në Francë.

Ai ka thënë se një pakicë e gjashtë milionë myslimanëve të Francës ishin në rrezik të formonin një “kundër-shoqëri”, duke e përshkruar Islamin si një fe “në krizë”.

Macron ka thënë se qeveria e tij është duke punuar me përfaqësuesit kryesorë të myslimanëve në vend, për të ndërtuar një “Islam të iluminizmit”, që mund të jetë “në paqe me Republikën”.

Karikaturat e profetit të myslimanëve kanë një trashëgimi të errët dhe tepër politike në Francë.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjatë adresimit para mediave, pasi vizitoi vendin ku u vra një mësues.

Më 2015, 12 persona u vranë në një sulm ndaj zyrave të revistës satirike franceze Charlie Hebdo, e cila kishte botuar karikaturat.

Disa në komunitetin më të madh mysliman të Evropës Perëndimore e kanë akuzuar Macronin për përpjekjen për të shtypur fenë e tyre dhe thonë se fushata e tij rrezikon të legjitimojë islamofobinë.

Në mesin e muajit tetor, një islamist i dyshuar i ka prerë kokën një mësuesi të historisë, i cili, në një orë mësimi, ka treguar karikaturat e Profetit Muhamed.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e ka quajtur “sulm terrorist islamik” vrasjen e mësuesit.

“Ata nuk do të fitojnë… Ne do të veprojmë”, ka thënë Macron kur vizitoi vendin ku ndodhi vrasja.

Sulmuesi, çeçen i lindur në Rusi, ka jetuar në qytetin Evrë, në veriperëndim të Parisit.

Ai nuk ka qenë i njohur më herët për shërbimet e inteligjencës.