Një incident që mund t’i kushtojë shtrenjtë Francës në marrëdhëniet e saj me qeverinë populiste të Italisë ka ndodhur në kufirin midis dy shteteve të BE-së.
Mediat italiane raportojnë se ministri i Brendshëm Matteo Salvini është xhindosur pasi ka mësuar se një furgon i xhandarmërisë franceze ka hyrë në territorin italian, ekzaktësisht në Claviere (Torino) dhe prej tij kanë zbritur dy emigrantë me ngjyrë.
Ngjarja ka ndodhur në një zonë të pyllëzuar të premten e kaluar, por policia italiane ka monitoruar episodin dhe ka dyshime se ky është një veprim i përsëritur i xhandarmërisë franceze që zbarkon emigrantë me furgonë në Itali, në shkelje të rregullave të BE.
Furgoni francez pastaj kthehet mbrapa kufirit pa e prishur terezinë. Ndërkohë TGcom shkruan se Ministria e Brendshme nuk është aspak e kënaqur me këtë veprim dhe Salvini është shprehur se “në qoftë se dikush mendon të na përdor si kampin e refugjatëve në Europë, duke shkelur ligjet, kufijtë dhe marrëveshjet, e kanë shumë gabim”.
“Unë jam duke pritur për zhvillime. Nuk besoj se Macron dhe Franca përdorin policinë e tyre për të shkarkuar fshehurazi emigrantë në Itali”, shtoi ministri italian, duke deklaruar se targa e furgonit është regjistruar dhe po hetohet. “Ne kërkojmë të qartësohet çështja, sidomos nga ata që na predikojnë çdo ditë’, theksoi ai duke kërkuar shpjegime edhe nga ambasadori Moavero.