Paris, 28 maj – Franca prej 2 qershorit do të dalë nga izolimi i rreptë, i cili filloi më 17 mars.
Të gjitha shkollat dhe gjimnazet në zonat e gjelbra do të hapen për nxënësit, por provimi i maturës i gjuhës franceze është anuluar, si dhe provimi me gojë, ai do të jetë valid përmes kontrollit të vazhdueshëm gjatë vitit shkollor.
“Në zonat e gjelbra, sallat për spektakle dhe teatrot do të munden sërish të hapen prej 2 qershorit. Por bartja e maskës do të jetë e obligueshme.
Aktivitetet fizike do të mund të vazhdojnë me hapjen e sërishme të sallave të sportit dhe pishinave. Parqet argëtuese do të jenë të hapura për aktivitete të cilat mundësojnë distancë fizike dhe hapësirë maksimale për 5.000 persona, sqaroi kryeministri francez.
Parqet publike dhe kopshtet gjithashtu do të jenë të hapura, sportet kolektive gjithashtu do të lejohen me pjesëmarrje maksimale të 10 personave. Plazhet, liqenet, gjithashtu, do të mund të hapen prej 2 qershorit.
Për hapjen e kinemave do të duhet të pritet deri më 22 qershor, kur do të munden përsëri të pranojnë publikë.
Bartja e maskës do të jetë e nevojshme në shumë vende. Me kërkesë të kryetarëve të komunave, do të duhet të bartet maskë në hapësirë publike.
“Jeta jonë sociale, kulturore dhe sportive do të mund të vazhdohet më gjerë”, theksoi Eduard Filip, sipas të cilit masat e izolimit dhanë rezultate.
Aeroporti Orli do të hapet përsëri për komunikacion më 26 qershor.
I pyetur nga një gazetar për mundësinë që Qeveria t’i kthejë masat e izolimit nëse infeksioni përsëri fillon të rritet në Francë, kryeministri la hapësirë për një hipotezë të tillë.
“Nëse kalohen pragjet për paralajmërime, prefekturat dhe autoritetet shëndetësore do të duhet të ndërmarrin masa për mbrojtje të më të ndjeshmve, dhe kur ka nevojë, të vendosin kufizime për udhëtime”, tha ai.