Tetovë, 26 mars – Ambasadori i Francës në Maqedoni, Christian Timonier, i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, kanë qëndruar për vizitë në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë, ku edhe janë takuar me kryeshefin Amir Dalipi. Pas takimit, zëvendësministri Nuhiu theksoi mbështetjen për SPB-në e Tetovës për të mbisunduar Ligji dhe për të përforcuar kapacitetet e këtij sektori. “Dua të falënderoj ambasadorin për mbështetjen që ka dhënë në donacionet për këtë sektor dhe mbështetjen e kuadrit për stërvitje, sepse vetëm me stërvitje profesionale të kuadrit, do të rrisin shërbimet e policisë”, tha Nuhiu. Ambasadori i Francës në Maqedoni, Christian Timonier, ka shprehur falënderimin për policinë e Tetovës që shpëtuan dy alpinistët francez në Kodrën e Diellit. “Jam këtu për të parë se si shkon procesi i reformave në Polici. Franca jep përkrahjen dhe mbështetjen e saj gjithkund ku duhet që të përforcohet shteti i së drejtës. Bëhet fjalë për një proces, i cili duhet të përforcojë besimin e qytetarëve ndaj policisë, ndaj institucioneve dhe MPB-së, që është një nga punët kryesore për hyrje me të shpejtë të shtetit në Bashkimin Evropian. Po ashtu, falënderova pjesëtarët e Policisë së Tetovës që dhanë maksimumin e tyre për të shpëtuar dy alpinistët francez në Kodrën e Diellit. Folëm për bashkëpunimin e mëtejshëm dhe Franca do të përkrah Maqedoninë dhe Policinë në të gjitha aspektet dhe kemi një besim të ndërsjellë të mirë”, tha Timonier. Pas takimit në Sektorin e Punëve të Brendshme, zëvendësministri dhe ambasadori francez kanë realizuar edhe takime me qytetarët e Tetovës. (koha.mk)