Franca ka bllokuar integrimin

210

Për momentin, nuk ka arsye të brendshme që Macron të ndryshojë qëndrimin e tij pasi francezët në sondazhe – edhe pse janë kundër anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE, janë gjithashtu tërësisht indiferentë për procesin e integrimit dhe fatin e ballkanasve në të

Bruksel, 28 shkurt – Këshilli Evropian për çështje të jashtme me qendër në Berlin, Londër e Paris parashikon se lidershipin evropian pas largimit nga skena të Angela Merkel do ta marrë Emmannuel Macron. Sipas një raporti konfidencial të këtij këshilli për Brukselin që dialogu Kosove-Serbi të ketë sukses, duhet një shtytje nga diku tjetër, veçanërisht nga figura të larta të politikës ndërkombëtare. Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë i dhanë fitoren Vetëvendosjes, duke ngritur pyetje të reja në lidhje me të ardhmen e dialogut. Macron ka bërë që prezenca e tij të jetë zhgënjyese, kur në vitin 2019 bllokoi perspektivat e pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE.

Kjo sjellje alarmoi liderët politikë në Ballkanin Perëndimor, por edhe Angela Merkel, e cila në fund të mandatit të saj si kancelare, po bën presion për zgjerimin e shpejtë të rajonit. Qëndrimi i Macron ka dobësuar edhe vetë BE-në. Vetoja e Francës dy vjet më parë e diskreditoi politikën e zgjerimit si një instrument të politikës së jashtme dhe minoi besimin tek ata që mbështetnin integrimin në Bruksel dhe vendet kryesore anëtare. Për momentin, nuk ka arsye të brendshme që Macron të ndryshojë qëndrimin e tij pasi francezët në sondazhe – edhe pse janë kundër anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE, janë gjithashtu tërësisht indiferentë për procesin e integrimit dhe fatin e ballkanasve në të.

Sipas Këshillit Evropian për çështje të jashtme Franca duhet të heqë veton mbi liberalizimin e vizave të BE për kosovarët e argumentuar me emigracionin e paligjshëm të shtetasve nga Shqipëria. Macron mund të punojë gjithashtu për të bindur pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën të ndryshojnë pozicionin e tyre dhe të mbështesin rrugën e saj të integrimit në BE. Pa marrë pëlqimin e shumicës nga të 27 vendet anëtare të BE, Kosova nuk do të vazhdojë procesin e saj të integrimit. Kjo deri më tani ka qenë një pengesë e madhe për një BE që dëshiron të demonstrojë një politikë të jashtme të unifikuar në oborrin e vet. Dhe nëse Macron dëshiron të qëndrojë besnik në idenë e tij për autonominë strategjike evropiane, atëherë ai duhet të jetë më vigjilent për rolin e Evropës në sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme me largimin e afërt nga politika gjermane të kancelares Merkel. (koha.mk)