Ishte fillim viti 1999 kur drama Kosovare po shënonte kulmin zhvillimeve të tmerrshme. Popullata civile e saj po dëbohej masovikisht nga ushtria e policia serbe. Krimet e makinerisë serbe ndaj popullatës së pafajshme nuk kishin të ndalur. Në situatë lufte totale, Ushtria çlirimtare e Kosovës, për ditë e më shumë po strukturohej duke zhvilluar beteja të suksesshme kundër agresorit okupator serb
Nga Shaban JASHARI
Në këto rrethana, bota e civilizuar gjithnjë e më shumë po bindej se agresionit gjenocidal Serb duhet t’i ndalej hovi, sidomos pas zbrazjes së Kosovës, popullata e së cilës fillimisht ia kishte mësy kufijve të shteteve fqinje.
Qysh në shkurt të 1999, një pjesë e forcave të NATO-s kishte zbarkuar në Maqedoni, duke bërë kështu planet finale për intervenim ushtarak, me qëllim të zmbrapsjes së ushtrisë Serbe. Në këtë kohë shtetet fqinje të Kosovës, përfshirë edhe RMV, ishin të detyruara të hapnin kufijtë për t’i pranuar të dëbuarit e tmerrit. E ballafaquar me këtë situatë, Qeveria e Maqedonisë caktoi disa lokacione për vendosjen e të dëbuarve nga lufta, siç ishte: kampi i Stenkovecit, ai i Çegranit e disa tjerë. Kampi më i madh, e që ishte më afër kufirit jugor të Kosovës, ishte ai Stenkovecit. Në brendi të këtij kampi NATO kishte hapur një shtab të improvizuar të cilin e udhëhiqte koloneli anglez sir Tim Kross. Komandanti Kross iu kishte kërkuar autoriteteve maqedonase të delegonin një përfaqësues të qeverisë, i cili do të ishte ndërlidhje qeveri – shtab, me qëllim të koordinimit të aktiviteteve me refugjatët. Pas kësaj, MPJ-a më kishte ngarkuar mua me këtë detyrë.
Me të marrë detyrën shtabi i Stenkovecit, më dha në dispozicion një tavolinë e një laptop në tendën ku punonte vet koloneli Tim me ca ushtarak tjerë. Më caktuan edhe një ushtarak-shofer, për të lëvizur gjithandej ku e kërkonte nevoja; kryesisht për mbikëqyrjen e sistemimit të refugjatëve, që vinin pandërprerë nga kufiri i Bllacës. Shpeshherë shtrohej nevoja edhe për ta inspektuar gjendjen e kampeve gjithandej nëpër Maqedoni.
Për mua ishte kjo një sfidë e tmerrshme me të cilën po ballafaqohesha ç’do ditë, sepse isha dëshmitar i eksodit që po i ndodhte një populli të tërë, dëshmitar i vuajtjeve që po i shihja, i trajtimit të keq që po u bëhej banorëve të kampeve.
Sa tronditëse të takoje njerëz qe nuk dinin për ma të afërmit e tyre, që ishin ndarë nga me të dashurit e tyre. Nuk kisha kohë e as mundësi të u dilja në ndihmë gjithë asaj mase njerëzish, por që, bëmë mirë, kur me disa banorë të kampit inicuam formimim një këshilli brenda kampit për t’i evidentuar gjërat më emergjente, për të cilët kishin nevojë refugjatët. Pasi që ky këshill më raportonte mua, unë këto vërejtje ia përcillja shtabit, por edhe personave dhe organizatave humanitare që vepronin jashtë kampit.
Veç kësaj, isha i obliguar të bëj “protokollin e Stenkovecit”, i cili asokohe vizitohej nga lider e personalitete nga e gjithë bota mbarë, duke filluar nga Presidenti Klinton, zonja e tij Hillari, Tony Bler, gruaja e mbretit Abdulla, zonja Rania, e deri te aktori i famshëm Richard Gir.
Vizita më mbresëlënëse për mua ishte ardhja e organizuar e 100 hebrenjve nga e gjithë bota, i quajtur grupi ‘100 hebrenj për Kosovën’. Mbaj mend, asokohe mu deshtë të shkoj në aeroportin e Shkupit, për të asistuar në dhënien e vizave, atyre që vinin nga shtete me të cilët RVM asokohe kishte regjim vizash. Të theksoj se këta Izraelitë vinin nga 5 kontinentet e botës, dhe posedonin shtetësi të shteteve të ndryshme: nga Brazili e deri në Portugali, nga Kanadaja e deri në Afrikë të Jugut, dhe nga Europa e deri në Australi. Ishte ky një mision human i tyre, siç deklaronin vet; se ata më së miri e dinin ç’është gjenocidi, në mesin e të cilëve kishte edhe të mbijetuar të kampeve të Holokaustit nazist. Me secilin nga ta, që pata rast të bashkëbisedoja, potenconin kontributin e Shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Të theksoj këtu se personeli mjekësor ushtarak nga Izraeli, ishin të parët që hapën spitalin e improvizuar në tenda, mu në mes të kampit, dhe 24 orë pandërprerë kujdeseshin për shëndetin e refugjatëve. Në mesin e këtyre mjekëve, ishin edhe dy mjek specialist shqiptaro-çifut, që pas 1990 kishin migruar nga Shqipëria në Izrael.
Vizitorë të shpeshtë të kampit ishin edhe ushtarakët e lartë të NATO-s, komandanti Xhekson, ambasadori Hill, e diplomat të shquar, me të cilët shkurtazi, edhe kemi patur raportime të gjendjes së kampeve në Maqedoni. Në kamp kishte edhe ushtarë italian, francez etj, të cilët vinin e shkonin në bazat e tyre jashtë kampit, gjë që më linte përshtypje se diçka e madhe do të ndodhë, e që ironikisht ma kishte bërë me dije vet komandanti Kros.
Deri në hapjen e vijave ajrore për shpërndarjen e refugjatëve nëpër botë, pjesën ma të madhe të kohës, që nga zbardhja e ditës e deri vonë në mesnatë, e kaloja me refugjatë, e që, në mesin e tyre kishte edhe personalitete të njohura publike e intelektual të shquar, emrat e të cilëve nuk do i përmend këtu. Gjat gjithë kësaj kohe, prej dy muajsh(shkurt-mars) kisha përshtypjen se, Ballkani do të zbrazej nga Shqiptarët përgjithmonë, dhe se kurrë ma nuk do të mbijetojmë në tokat e stërgjyshërve tanë. Ishte kjo një ndjenjë e tmerrshme që të kujtonte egzodet biblike të së kaluarës, sikur po ndodhte fundi apokaliptik i botës.
Në këtë kohë, qyteti im Kumanova ishte plot me paramilitarë të ardhur nga Serbia, të cilit jo rrallëherë sorollateshin rrugëve të qytetit, e që kishin jatakun tek disa nga serbë lokal. Qarkullonin edhe zëra se këta po planifikonin sulme në shtëpitë e Shqiptarëve, të stërmbushura me refugjatë. Ky ankth më përcillte tanë kohën edhe mua, ngase kisha mbushur me refugjatë shtëpitë e vëllezërve të mi kurbetçinj, sidomos më mundonte fakti se gjithë kohën qëndroja jashtë qytetit tim.
Ndërkohë, një shok i im i ngushtë nga Kosova, aktivist i njohur dhe ish i burgosur politik, më pati njoftuar se e kishte sugjeruar bashkëshorten me tre fëmijët e saj të mitur, që të vendosej tek ne,në Kumanovë. Për këtë, ajo me fëmijët e saj, disa herë kishte provuar hyrjen në Maqedoni, por që kufitarët e kishin kthyer mbrapsht. Sigurisht këtë e bënin sepse atë e kishin evidentuar si një ish e burgosur politike dhe pinjolle e një familje të njohur atdhetarësh.
Me të marrë lajmin për moslejimin e hyrjes së saj në Maqedoni, u gjenda në situatë të vështirë. Për dy ditë të tëra po bëja planin si ta sjell këtë familje në Kumanovë. Më 24 mars të vitit 1999 braktisa kampin më herët, në kërkim të familjes në fjalë. Zgjidhje tjetër nuk kisha, pos të kaloj kufirin për të udhëtuar drejt fshatit Tërnovc të Bujanocit, ku supozoja se kjo familje po qëndronte tek të afërmit e tyre.
Mbrëmjen e 24 marsit mora një makinë të vjetër, për të mos rënë në sy, dhe si zyrtarë që isha, kalova kufirin e parë lehtë. Ishte momenti kur, vetëm pak para disa çastesh kishin filluar bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, gjë për të cilën më kishin paralajmëruar kufitarët e RMV, por që nuk e besova edhe pse isha në pritje të këtij lajmi. Ata më paralajmëronin për rrezikun e udhëtimit tim, më sugjeruan që të kthehesha por që, nuk më ndalnin dot, nga se isha i vendosur në misionin tim të asaj nate.
Pasi kalova pengesën e parë, kufirin Serb e gjeta të alarmuar, ishte momenti kur kishin ra ca raketa vetëm disa kilometra afër, që kishte bërë që të gjithë nëpunësit e kufirit të ishin fshehur skutave, si minjtë nga maçoku. Ishte ky një fat për mua, të kaloja kufirin pa problem. Fillimisht shkova në Preshevë për të mësuar mos ndoshta aty diku ishte familja që po e kërkoja. Kah do që shkoja nuk po takoja njeri, nuk kishte rrymë, mbretëronte një errësirë totale, qetësinë e cilës e zbukuronin zërat e aeroplanëve bombardues, që tani më, po tmerronin Serbinë nga qielli.
Për një moment mu kujtua fabrika për prodhimin e lëngjeve, pronarin e të cilës e kisha mik të vjetër. Iu drejtova fabrikës me drita të fikura dhe arrita disi. Aty, në një kabinë-roje takova Fejzën, njërin nga pronarët e saj. Fejza, ky burrë fisnik, u shtang sapo më pa duke më ftuar të hyja brenda. Jo, i thash, sepse kam hallin e një familjeje që më duhet ta gjejë për ta marrë me vete në Kumanovë. Posa më dëgjoi, më tha: ore, a të ka lënë mendja, që ke marr këtë rrezik në këtë natë kaq të paparashikueshme? Jo, i thash, me gjithë mend e kam, o do shkoj ta gjej atë, o do çmendem, nuk ka çmim as rrezik që më ndalë, i thash atij. Deri sa po bisedonim ne dy, plasi një raketë në afërsi të fshatit Geraj, aty ku kishte gjithherë forca serbe.
Pas kësaj, të brengosur vazhduam bisedën, gjithnjë në errësirë. Po i shpjegoja se jam i vendosur për të shkuar në Tërnoc dhe përkundër sugjerimit të tij të mos e bëja këtë. I mora leje dhe u nisa, papritmas ndjeva një fishkëllimë dhe ndalova. Pashë Fejzën që po më afrohej drejt makinës duke më thënë se, do vij edhe unë me ty, le të del ku të del, pra e bëri si burrat.
U nisëm së bashku në drejtim të destinacionit. Në hyrje të Bujanocit ndeshnim ushtarak të tërbuar që legjitimonin makinat në mes të rrugës. Ishin të armatosur deri në dhëmbë, bërtisnin, shanin, rënkonin, por për çudi, neve nuk na ndaluan. Kështu, më në fund, me ndihmën e Fejzës arritëm te adresa të cilës iu kishim drejtuar, kjo falë atij, sepse ai e njihte mirë fshatin. Gjatë trokitëm në derë, sepse askush nuk po e hapte atë. I tërë fshati ishte i heshtur e i frikësuar. Këmbëngulësia jonë bëri që të trokisnim disa herë, dhe më në fund doli i zoti i shtëpisë. Belbëzuari u përshëndetëm duke ia treguar hallin që kishim. Ai na e pohoi se familjen që kërkonim, ishte strehuar tek shtëpia e tij. Ishte ky një lehtësim i paparë për mua, mu duk se mu hap qielli nga gëzimi se më në fund ia dolëm. E lutëm të zotin e shtëpisë të na e thërret zonjën e mikut tim. Ashtu i hutuar, pa mos na futur as në oborr të shtëpisë, e thirri zonjën në fjalë, e cila pas pak erdhi dhe na takoi. Pasi u përshëndeta me te, ia tregova qëllimin e rrugëtimit tim, i thash të bëhej gati se do ta merrja me vete ne Kumanovë. Në fillim sikur kundërshtoi, por pasi që isha këmbëngulës, e binda dhe ajo u pajtua, shkoi i mori fëmijët e plaçkat e pakta që kishte dhe së bashku u nisëm për në Kumanovë.
Rrugës në kthim e njëjta skenë, gjithandej ushtarë që endeshin deri në dalje të qytetit. Mrekullisht askujt nuk i shkoi mendja të na ndalonte. Kështu vazhduam deri te fabrika e lëngjeve ku edhe u ndamë me Fejzon, këtij njeriu fisnik e trim që ma bëri të suksesshme agjendën e udhëtimit. Ne vazhduam rrugën në drejtim të Kumanovës, por kësaj radhe i trimëruar se s’kishte fuqi që të më ndalte. Ana serbe e kufirit ishte e zbrazët, polici nga larg na e bëri me shenjë të vazhdoj. Në anën e Maqedonisë të kufirit u ballafaquam me ca vështirësi, pata edhe zënka me zyrtarët e kufirit, të cilët na ndaluan për një çast, pas konsultave të bëra mes veti, na e hapën rrugën dhe ne vazhduam.
Kështu mbaroi kjo odisejadë e mbrëmjes së 24 marsit të 1999 me përfundim të lumtur.
Me të arritur në shtëpi festuam familjarisht për dy rastet: fillimin e bombardimeve dhe vendosjen në vend të sigurt të familjes së shoku tim.
24 marsi i vitit 1999 do të mbahet mend përjetësisht. Në këtë ditë, bota e civilizuar u solidarizua me vuajtjet e kosovarëve që iu kishte shkaktua Serbia për një shekull të tërë. Falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmës nga NATO-ja, Serbia fashiste u detyrua ta nënshkruaj kapitullimin e saj në qershor të vitit 1999.
Qofshin të bekuara Shtetet e Bashkuara të Amerikës me aleatët europerendimorë. (koha.mk)