Përveç fqiut, kundër Ismailaki Zilbearit ka dalë edhe Komuna Mavrovë Rostushë. Policia ndërkohë nuk ka marrë asnjë hap konkret për sigurimin e pronës së shqiptarit në qendrën turistike në Mavrovë
Urim HASIPI
Tetovë, 21 janar – 53 vjeçari Ismailaki Zilbeari, nga fshati Bogovinë, kishte vendosur që të blejë pronë në pikën turistike në Mavrovë. Pas blerjes së pronës, gjatë një vizite më 12 prill të vitit të kaluar, ai vëren se është hapur rrugë nga fqinjët e tij pikërisht në pronën e blerë. Sipas tij, fqiu pa pëlqimin e tij ka hapur rrugën dhe ka vijuar të ndërtojë mur. Pikërisht atë ditë, Ismailaki Zilbeari lajmëron rastin në polici.
“Në të njëjtën ditë, unë si pronar i dëmtuar, rastin konkret e kam denoncuar në Stacionin Policor në Mavrovë. Është bërë procesverbali dhe u është rekomanduar pronarëve që kanë filluar objektin të ndërpresin punimet derisa të arrin marrëveshje me mua si palë e dëmtuar. Më 13.04 2019, përsëri shkova në Mavrovë dhe të njëjtit vazhdonin me punë sërish nëpër pronën time edhe pse kishte rekomandime nga organet policore. Në të njëjtën ditë erdhi kamioni me gurë, përsëri hyri në pronën time për të arritur deri te fqiu. Atëherë unë reagova dhe e vura veturën time aty ku ato kalonin. Kamioni tentoi të dalë nga prona ime dhe u afrua për të më goditur, menjëherë përsëri ju lajmërova policisë”, tregon për gazetën KOHA, Zilbeari. Pas kësaj ngjarje, atij i përkeqësohet gjendja dhe përfundon në spital.
“Më kapi paniku dhe u lajmërova tek Ndihma e Shpejtë, ndërsa më dërguan me urgjencë në spitalin e Gostivarit. Në të njëjtën ditë rastin e lajmërova dhe në Komunën e Mavrovës dhe Rostushës, tek Njësia për inspektim dhe urbanizëm. Inspektorati doli në vendin e ngjarjes dhe bëri proces verbalin ku u mor vendimi për prishjen e mureve dhe garazheve më datë 16 maj të vitit të kaluar, mirëpo në kohën e dhënë prej komunës, nuk u realizua dhe fqiu vazhdoi me punime. Më 20 maj më informuan se fqiu nuk posedon dokumentacionin për ndërtim. Disa muaj më vonë, Komuna e Mavrovë – Rostushës ka sjell vendim për ndërtimin e mureve ku bie ndesh me informacionet paraprake dhe vendimin e prishjes”, pohoi ai. Më pas, ai ka kërkuar informacion nga komuna për këtë vendim, por nuk ka përgjigje.
“Për rastin konkret, unë si i dëmtuar në pronën time nga ajo datë u stresova dhe filluan shqetësimet kohë pas kohe ku nuk isha në gjendje shëndetësore të mirë për punën që e punoj. Më 14 janar të këtij viti shpreha revoltën time me shkrim në parcelën time dhe për padrejtësinë ndaj meje si qytetar i këtij shteti. Më datë 17 janar, njerëz të panjohur kanë hyrë në pronën time private dhe e kanë dëmtuar veturën time personale deri në gjendje jofunksionale”, tha ai. Ai ka thënë se nëse nuk gjen zgjidhje, mund edhe të shesë pronën e tij vetëm e vetëm që të ikë nga telashet dhe pret që drejtësia një ditë të arrijë edhe tek ai. (koha.mk)