Një grua ka zbuluar dhjetëra vrima të shpuara në bazën e pemës së saj dhe beson se fqinji i saj duhet fajësuar. Jill Sarchet, 51-vjeçare, u bë e dyshimtë kur gjethet e pemës “sycamore” 200-vjeçare u shndërruan në ngjyrë të kafenjtë.
Ajo zbuloi rreth 50 vrima të shpuara në bazën e pemës të gjatë 30 metra në skaj të shtëpisë së saj në Worsthorne-with-Hurstwood, afër Burnleyt, Lancashire, shkruan “The Metro”. Po ashtu, mendohet se dikush po hyn fshehurazi në pronën e saj gjatë errësirës dhe është duke e injektuar pemën me helm përmes vrimave.
Ekspertët e pemëve, tani thonë se ekziston një shans shumë i madh se kjo pemë, e cila është e mbrojtur nga Këshilli i Rendit për Ruajtjen e Pemëve (KRRP), do të vdesë.
“Kjo sjellje është tërësisht e paarsyeshme dhe e panevojshme. Po ashtu, kjo është një nga pemët më të vjetra dhe më të rëndësishme në Burnley dhe ka qenë këtu shumë më gjatë se personi përgjegjës për këtë”, ka thënë Sarchet, nënë e dy fëmijëve.
Kushdo që shkatërron apo dëmton me dashje një pemë e cila është e mbrojtur nga KRRP, mund të dërgohet në gjykatë dhe të gjobitet deri në rreth 22.000 euro.
Gjithashtu, Sarchet tani ka shpenzuar rreth 550 euro për ndërtimin e një gardhi rreth kopshtit të shtëpisë së saj për penguar vandalët.
“Babai im në moshë të shtyrë dhe djali im ka kaluar disa fundjava për të ndërtuar gardhin. Kjo duhet të ofrojë jo vetëm siguri shtesë, por po ashtu mund të parandalojë ndonjë dëmtim që mund t’i bëhet pemës, e cila tashmë mund të jetë e pandreqshme”, tha 51-vjeçarja, përcjell Koha.net.
Eksperti i pemëve, Greg Thompson, ka udhëtuar për në Burnley nga Cumbria për të dhënë vlerësimin e tij rreth gjendjes së kësaj peme 200-vjeçare.
Ai paralajmëroi një “shans shumë të madh që pema do të duhet të largohet”, para se të shtojë: “Pema mund të vdesë plotësisht në disa muajt e ardhshëm”.