Nga Bullgaria, në vend se t’u ndihmojnë pushtetarëve aktualë të Maqedonisë që kanë guximin për t’i futur bullgarët në preambulën kushtetuese, dalin do farë eurodeputetësh a vetë kryetari që me deklaratat e pamatura provokojnë reagime që u shkojnë në favor subjekteve që janë kundër ndryshimeve kushtetuese
Nga Daut DAUTI
- Shoku i keq të le në baltë! Nuk kanë thënë kot, populli ka ditur të gjykojë. Kështu dhe Bullgaria po dëshmon gjithnjë e më shumë se është një shok (lexo: fqinj, mik) i keq i Maqedonisë. Prej se është nënshkruar Marrëveshja për Bashkëpunim dhe Fqinjësi, sikur gjërat kanë marrë drejtimin e gabuar. Sipas asaj fjalës tjetër unë ta jap dorën, ti ma lyp krahun. Sapo u shpreh një gatishmëri për t’i rregulluar disa çështje historike, Bullgaria e kuptoi këtë si dobësi të Maqedonisë. Qarqet bullgare, së pari disa margjinalca nacionalistë, si Karkaçanovi, e pastaj u rreshtuan “kuçi e maçi” në një vijë: t’ia bëjmë fqinjit jetën zi e më zi. Edhe kur u bë një hap plotësues, me atë të famshmin protokoll, edhe pse mendoj se Maqedonia nuk duhej të hynte në aventurë të ridefinimit të Marrëveshjes së mëparshme që nuk kishte kushte të rënda, Bullgaria edhe më shumë shtoi presionin ndaj Maqedonisë. Ditëve të fundit, që nga eurodeputetë e deri te kryetari Radev, sikur nuk dinë të ndalen së mohuari e së provokuari. Harruan se këtu në Maqedoni po zhvillohet një betejë midis pushtetit fleksibil, i gatshëm për kompromise në të mirë të dy vendeve, që me çdo kusht dëshiron t’ia lehtësojë rrugën evropiane vendit, rrugë kjo që shkon përmes rregullimit të çështjeve të ndejshme nga historia. Ndërkaq kundër kësaj janë subjekte të cilat dhe kanë vërejtje serioze ndaj këtij procesi me lëshimet tejmase që i cenon disa parime demokratike dhe liri të të drejtave të njeriut. Kështu është asimetrik kontributi i fqinjit që ka pranuar të fusë bullgarët në preambulë, kurse Sofja përgjigjet me mohimin e ekzistimit të pakicës maqedonase. Madje vijnë dhe në parlamentin e Maqedonisë dhe shesin arrogancë. Në këtë mënyrë, ato iu ndihmojnë pikërisht atyre forcave politike që janë kundër normalizimit të marrëdhënieve me Bullgarinë, sepse nëse i vënë në zgrip qeveritarët fleksibilë,s’do të mbetet kush ta zhvillojnë këtë proces. Ndaj dhe janë tejet parimore përgjigjet që morën nga Pendarovski dhe Kovaçevski.
Vetëm të shtoj edhe një qasje të kahershme personale. Mendoj se Maqedonia edhe mund të shpallë moratorium të zbatimit të marrëveshjes nëse nga Sofja vazhdimisht nxjerrin ndonjë pengesë. Le t’i bëhet me dije edhe BE-së se e kanë nxjerrë dhallin mbi përshesh!
- Një fjalë që e ka sjellë bashkëkohësia, është frustrimi. Si fenomen është përtejkohshëm, s’lidhet veç me ndonjë periudhë, por përdorimi i fjalës lidhet me kohën tonë, të paktën në shqipe. Nëse gjyshërit tanë dikur kanë qenë të mërzitur, ose të sëkëlldisur (fjalë turke), nën ndonjë presion psikik nga jeta e vështirë, sot kollaj është, vetëm thua “i frustruar”(anglicizëm), dhe përshkruan gjendjen emocionale…
Njerëzit janë gjithnjë për diçka të frustruar dhe kërkojnë ndonjë “ilaç”. Përditshmëria më shumë ofron njerëzve frustrime, se ilaçe. Sigurisht dhe heroina e këtij shkrimi, në një moment ka përjetuar një traumë, më 26 prill, dhe kjo u bë lajm. Heroina jonë, Zhaklinë Lekatari, me muaj ka qenë pjesë e shtëpive të shqiptarëve, si opinioniste e Big Brodher-Vipit dhe atje i janë shkaktuar frustrimet që s’i janë ndalë, por më 26 prill dikush “ishte kujdesur” për t’ia prishur ditën, duke ia dëmtuar veturën në parking. E pamë dhe në foto të përlotur. S’ka faj, nuk blihet kollaj një veturë në këtë kohë. Policia për t’ia shtuar edhe më shumë mërzinë, kishte deklaruar se aktorët e mundshëm mund të jenë fansat e Luizit, të cilin ajo kohë pas kohe e kishte kritikuar për veprimet në Big Brother. Dhe kjo ka bërë që përnjëherë t’i urrejë shqiptarët. Ka të ngjarë, prej atij momenti kjo traumë t’ia ketë shtuar frustrimin personal nga animoziteti kolektiv i fansave të Luizit dhe Kiarës. Se çka ka përjetuar në rrjetet sociale, ku sigurisht ka kërcënime, fyerje e primitivizëm, vetëm ajo e di.
Deri këtu është për t’u kuptuar Zhaklina. Madje, edhe hyrja në ujërat e paragjykimeve sa t’i urrejë (të gjithë) shqiptarët, në vend se ta “lokalizojë” vetëm në një grup sish. Dhe këtu vijmë te “episoda 2”: kur ke frustrim, një gjendje të çrregulluar emocionale, kërkon një zgjidhje, një terapi! Pak kohë pasi ka përfunduar BigBrotheri, Zhaklina deshi të ikë prej shqiptarëve, deshi të gjejë strehim diku ku lulëzon mirësia, bukuria, njerëzillëku. Dhe ajo e gjeti vendin! Atje ku shqiptarët tjerë s’do ta gjenin as si alternativë të fundit. Në Serbi. Atje, ku nuk ka shqiptarë, pra, në Serbi, ndihet e sigurt. Kështu e shkroi me dorë të vet. Au, Zhaki, çka na bëre. Tamam bashkëndjenim me ty që të kanë dëmtuar veturën, e në rrjetet sociale të kanë bërë pustel, ama të ikësh prej shqiptarëve të tillë dhe të gjesh strehim në Serbi, kjo paksa duket një sindromë e rëndë shpirtërore! Se me këtë, hodhe poshtë gjithë atë guxim që ta thuash mendimin tënd, për çka dhe mund të të përkrahim, ndonëse nuk mund të themi se jemi tepër të impresionuar nga kjo fushë e jote(psh.një nga ato mendime të guximshme tua kishte qenë dëshira jote, pse jo, në Big Brother edhe të bëhej seks! Kaq thjeshtë e kupton ti moralin publik, nëse është guxim kjo…po nejse). Por perceptimi yt personal i të menduarit dhe perceptimi yt i të gjykuarit të gjërave si një intelektuale e informuar, u ndeshën me realitetin. Me atë realitet që ndoshta disa si ti ende nuk e kanë kuptuar se në Serbi nuk mund të ketë rehati për shqiptarët. Jo të paktën në atë mënyrë sa botën serbe t’ia kundërvësh botës shqiptare si alternativë më të mirë. Për bëmat e të gjitha regjimeve serbe më shumë se një shekull e gjysmë, aq kulturë nga historia duhet të kesh. Për pushtimet e tokave shqiptare, për masakrat dhe spastrimet masovike, ka shkruar historia me të madhe, por dhe kujtesa nga koha më e re është ende e gjallë, tym e flakë, gjak e varre.
Zhaklina nuk është ajo ndonjë tinejxhere që s’çan kokën për asgjë, as ndonjë lëneshë apo beqare që s’i vë dorë kush në vendlindjen e saj, që shkon e shitet si në ndonjë vashar serb për ndonjë vejan të ndonjë katundi në humbëtirat pasive me natalitet regresiv, siç ka ndodhur me jo pak femra nga Shqipëria të martuara për Dragisha e Milivoja të Shumadisë. Zhaki s’mund ta merr Serbinë për shembull të rehatisë, as në aspektet tjera. Ajo duhet të ketë lexuar diku sa gazetarë të guximshëm si ajo, janë vrarë. Për luftërat që i nisi Serbi prej Bosnje, Kroacie gjer në Kosovë, as që ka nevojë t’ia kujtojmë.
Kur e humb njeriu orientimin, s’e gjen rrugën as për në derë të shtëpisë së vet. E duke iu përgjigjur një kosovareje, Nita Latifit, jo vetëm që e fyu për atë që është, duke e quajtur pseudoartiste, por e gjeti të udhës asaj dha atyre tjerëve si ajo, pra kosovarëve, t’u mbajë leksion për ta mësuar gjuhën. Edhe një klishe e paragjykim nga goja e saj. Domethënë, Nita e flet më dobët shqipen se shqiptarët e Shqipërisë. Domethënë, më dobët se Luizi ose shoku i tij shkodran Tan Brahimi me atë të folmen e tyre “me kenë”… Dakord. Po si na e fliskan shqipen shqiptarët e Shqipërisë? Realisht, Nita dhe kosovarët, nuk e flasin më keq shqipen letrare, se shkodranët, për këtë është dëshmi Luizi, i cili gjithë kohën fliste me dialektin shkodran. Si dukej Zhakut kjo e folme? Ose, ajo si jugore që është, nuk e di nëse e ka analizuar vetën nëse e flet gjuhën standarde, apo dialektin jugor që ajo mendon se është standardi! Por në këtë temë, ka shumë për t’u folur, po i vë pikë.
Contradicta adjectio! Rasti i Zhaklinës, na e përkujton edhe një kokëkrisur prej intelektuali, një farë Olsi, që mohon gjithçka identitare shqiptare, i cili kishte ardhur nga Shqipëria në Gazimestan të Kosovës dhe i kishte ngritur tri gishtat, siç bëjnë serbët që nga koha e Millosheviqit. Ky që mbahet një biçim islamisti otomanist, çfarë ekzaltimi shpirtërore do të ketë përjetuar me tri gishtat e serbëve në vendin ku është zhvilluar Beteja e Kosovës në vitin 1489? Të jesh otomanist dhe jesh antishqiptar, disi ka logjikë, por të jesh otomanist e të jesh proserb, është rast për Frojdin!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)