Pas divorcit dhe zhvendosjes për të 11-ën herë, Barbara Iweins vendosi t’i vë bilanc jetës së saj.
Nga dhoma në dhomë, ajo shpenzoi gati pesë vjet duke dokumentuar çdo objekt që kishte, nga lojërat Lego dhe çelësat, deri te telekomanda, veglat e kuzhinës dhe gjësende të tjera. 12,795 imazhet që rezultuan ofrojnë një portret intim, të pafiltruar të fotografes belge, shkroi CNN të martën. “Secili po mundohet ta mbrojë veten duke treguar një version ideal të jetës së tyre”, tha Iweins. “Kështu që mendova, ‘Mirë, do t’ua tregoj të gjitha; duhet të jetë reale’”.
Derisa fotografoi objektet që zotëronte, Iweins i klasifikoi për nga ngjyra, materiali dhe shpeshtësia e përdorimit. Katalogu i saj solli llojshmëri befasuese dhe zbavitëse. E kaltra është ngjyra dominuese në shtëpinë e saj, 16 për qind nga të gjitha gjësendet, kurse 22 për qind të veshjeve të saj janë të zeza. Nga gjësendet në tualet, 43 për qind janë nga plastika. Rreth 90 për qind të kabllove në shtëpinë e saj nuk përdoren kurrë dhe 19 për qind e librave të saj mbesin të palexuar. Ndër gjetjet më të papritura ishte bollëku i krehrave metalikë të përdorur për t’ua hequr morrat tre fëmijëve të saj nga flokët. “Është diçka që e humbim gjithmonë, dhe unë gjeta se kisha 6 apo 7 nga këto gjëra”, tha ajo. “Isha e befasuar nga të gjitha gjërat që po humbja gjithë kohës dhe që po i riblija”. Projekti e ka nxitur fotografen që të reflektojë për materializmin. Ajo vlerëson se 121,046 euro janë shpenzuar për të gjitha gjësendet në shtëpinë e saj, edhe pse lista zbuloi se vetëm 1 për qind nga objektet kishte vlerë për të.