Kosova nuk ka nevojë të trillojë dëshmi, sepse mjaftojnë përvojat e mijëra personave, të cilët drejtpërdrejt ose tërthorazi janë vet dëshmi të gjalla, kurse argumentimi i krimeve serbe nuk kërkon kurrfarë marifeti të posaçëm. Madje, nuk kërkon as sforcim të tezës se viktimat gjithmonë kanë të drejtë. Aq më pak, nëse manipulimi bëhet qëllim, atëherë edhe e drejta mund të zbehet, kurse dhunuesi të rehabilitohet
Nga Emin AZEMI
Ngutia për të prodhuar lajm, por pa e verifikuar paraprakisht, mund të përfundoj në formë të një fotografie me pretendimin se po ofron ndonjë argument mbi gjenocidin serb. Në fakt, ky lajm i rremë në vend se ta denonconte gjenocidin, e ka trimërua atë dhe s’ka si të mos na kujtohet ajo vakia me bariun dhe alarmin e rremë të tij. Jo vetëm se një ditë mund të mbetemi pa asnjë dele, por ka rrezik që ujku të na e gllabërojë edhe atë trohë dinjitet që e kemi ndërtuar me mund e sakrifica.
Floria Brovina doli të jetë viktimë e një manipulimi, por ajo nuk mund ta lajë veten poqese nuk e tregon burimin e fotografisë së rreme. Të gjithë mund të gabojnë, pra edhe zonja Brovina s’ka si të mos gabojë, sidomos kur është e rrethuar nga ujqër që me tinëzi duan ta shqyejnë gjithkënd që projektohet si armik. Por, në fakt, armiqtë e vërtetë vazhdojnë të bëjnë gjumë të rehatshëm, sepse ne punojnë për rehatin e tyre, madje edhe duke prodhuar lajme të rreme.
Pak ditë më parë, një grua nga Kosova, që kishte qenë viktimë e dhunës seksuale, dëshmoi në Uashington për përvojën e saj dhe, bashkë me ish Presidenten Atifete Jahjaga, ngriti në kuota të larta besueshmërie faktografinë kundrejt gjenocidit serb, i cili si mjet lufte kishte targetuar edhe femrat kosovare. Shtypi ndërkombëtar, opinioni demokratik, bota e qytetëruar patën rastin të ballafaqohen me një dëshmi autentike dhe si e tillë – ajo mobilizoi ndërgjegjet e njerëzve në përpjekjet për të dënuar krimet serbe në Kosovë.
Por, sa fotografia e rrejshme e Flora Brovinës do ta komprometojë dhe relativizojë faktografinë e Kosovës kundër gjenocidit serb tash e në të ardhmen? Nëse ky gabim trajtohet drejt dhe dalin adresat e qarta të manipulimit, bota e qytetëruar ka gjasa të mos e humb besimin ndaj Kosovës. Por, nëse vazhdohet më stilin e strucit, të mbulohet koka me pluhurin e manipulimit, atëherë Kosova e ka shumë vështirë të krijojë raporte normale me të vërtetën, që aq shumë i nevojitet në këto momente kur klasa politike e saj po sillet si pa krye.
Faktografia, edhe pa këto fotografi të shpifura është e mjaftueshme për të shprehë gjithë dimensionet makabre të akteve çnjerëzore që i kanë kryer bandat serbe nëpër fshatrat dhe qytetet Kosovës. Në të ardhmen, madje do të fuqizohet lufta e shoqërisë civile kosovare me fakte e dëshmi të reja mbi përmasat e këtij banditizmi, por ajo që do të duhej të merret si mësim është e karakterit etik e profesional, e që ka të bëjë me besueshmërinë.
Kosova nuk ka nevojë të trillojë dëshmi, sepse mjaftojnë përvojat e mijëra personave, të cilët drejtpërdrejt ose tërthorazi janë vet dëshmi të gjalla, kurse argumentimi i krimeve serbe nuk kërkon kurrfarë marifeti të posaçëm. Madje, nuk kërkon as sforcim të tezës se viktimat gjithmonë kanë të drejtë. Aq më pak, nëse manipulimi bëhet qëllim, atëherë edhe e drejta mund të zbehet, kurse dhunuesi të rehabilitohet. Kjo nuk guxon të ndodhë, jo për shkak të këtyre që po i gëzojnë frytet e lirisë, duke abuzuar me pushtetin, por për shkak të atyre që nuk jetojnë më, por edhe të atyre që ende nuk janë shëruar nga traumat e gjenocidit serb.